Teuta Arifi: Betohem për Tetovën time

thumbnail_Tetove3.jpg
Çdo fitore fillon për një betim, dhe ne sot betohemi për luftën e pa kompromis. Betohemi për drejtësinë e secilit, për respektin ndaj qytetarit tonë dhe betohemi për ardhmërinë e qytetit tonë. Kështu e ka nisur fjalimin e saj sonte në tubimin e Tetovës, kryetarja e Komunës, njëherësh kandidate edhe për një mandat në Tetovë, Teuta Arifi, e cila para mijëra simpatizantëve dhe aktivistëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, ka folur për projektet që ka realizuar dhe do të realizojë udhëheqësia e Komunës së Tetovës.
“Sot dalim ballë hapur në fushë të mejdanit, sepse për tu bërë mejdanxhi, duhet të ishte i drejtë në udhëheqjen tënde dhe i hapur me qytetarin tënd – edhe në ditët e mira, por edhe në ditët e vështira. Ne filluam rrugëtimin tonë në këtë qytet nga një situatë dhe një shkatërrim që i ishte bërë dhe ne u ngritëm mbi dëshpërimin për t’ia kthyer këtij qyteti dinjitetin, dhe për të qenë një qytetar i respektuar në një qytet të respektuar. Tetova nuk është qytet ‘pak a shumë’, por kjo është Tetova e Abdurrahma Pashës, e Flamurit Shqiptar të vitit 1968, e dy universiteteve dhe mbi gjitha – është Tetova e luftës së popullit dhe UÇK-së, është Tetova që e ndërroi gjeografinë politike të këtij shteti”, ka thënë Arifi. Tetova, ka vijuar më tej ajo, është obligimi ynë kombëtar dhe Tetova mbetet shtëpia jonë për të cilën në katër vjet punuam për ta ndërtuar nga themelet.
“Por, ja që na kanë dalë disa kundërshtarë politikë, të cilët mendojnë se shtëpitë ndërtohen nga kulmi dhe jo nga themelet. Prandaj, unë u them se në këto zgjedhje përballen dy oferta: argumentet dhe iluzionet. Në Tetovë dhe askund te shqiptarët nuk kalojnë dot gënjeshtrat. Faktet tona janë si drita e diellit dhe ato janë: Tetova pa deponi, pa Jugohrom, me ujësjellës, me 20 kilometra rrugë dhe shteti ynë me një Qeveri reformiste që është një rezultat i politikave të mençura të BDI-së”, është shprehur Arifi nën duartrokitje të shumta frenetike nga të pranishmit. Ajo ka siguruar se gjatë mandatit të ardhshëm, do të realizohet projekti 33 milionë euro për menaxhimin me ujërat e zeza, gazifikimin e Tetovës dhe ardhmërinë evropiane të qytetit. Gjatë mandatit të ardhshëm, ka siguruar kryetarja Arifi, do të intervenohet në rindërtimin, rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në territorin e tetovës, do të vendos mekanizma për menaxhimin efikas të ujit, kontrollin e harxhimit, evitimin e humbjeve të ujit në sistem dhe tarifën e ujit, do të zëvendësojë tubacionet e vjetra nga azbesti i çimentuar me material të polietilenit i cili do të sigurojë ujë cilësor për qytetarët e Tetovës dhe paralelisht me rrjetin e ujësjellësit do të ndërtojë rrjetin e ujësjellësit për ujërat teknik dhe teknologjik. “E vetmja fitore që nuk shkakton dhimbje, është fitorja mbi injorancën. Prandaj, ti japim forcë arsyes dhe argumentit më 15 tetor, për Tetovën që duam, sepse ndryshimi fillon me ne”, ka thënë Arifi.
Tubimit madhështor i është drejtuar edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, i obliguar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika. “Është e vështirë të flasësh pas gjithë atyre cikleve zgjedhore që kemi kaluar bashkë, sepse vjen se përsëritemi me fjalë, por demokracia këtë e ka. Demokracia të jep mundësi më shumë dhe për tu takuar më shpesh e për ti identifiku problemet që na identifikojnë dhe për ti futur në rrugën e zgjidhjes. E nisa kështu fjalimin, duke përshkruar gjithë historikun që bëmë bashkë dhe duke kujtuar të gjitha ballafaqimet që kemi pas në rrugëtimin tonë, ku për ne nuk ishte e lehtë dhe besoj se edhe ju, të njëjtat vështirësi i keni kaluar. Gjatë gjithë procesit ka pasur përpjekje të vazhdueshme për ta sfiduar BDI-në, mirëpo fatmirësisht nuk arritën ta mposhtin gjithë atë përpjekje që BDI e gërshetoi, e organizoi dhe e shfrytëzoi për të mirë e shqiptarëve. Kurorëzimet e njëpasnjëshme të fitoreve tona, e manifestuan në mënyrën më të mirë djersën tonë. Sot, pas 15 vitesh punë dhe përpjekje, jemi kujdesur që edhe më tej të dalim në këto gara me njerëz më të devotshëm që ka në gjirin e BDI.
Ky kujdes ishte edhe për listat e këshilltarëve. Jam krenar në rrugën që kemi ndjekur deri më sot dhe kam besim se edhe në rrugën që na pret, do të jemi krah për krah me të gjithë kryetarët e komunave dhe besoj në mbështetjen e fuqishme për zgjidhjen e problemeve me të cilët ballafaqohemi. Nuk kam dyshim unë, dhe kërkojë që dyshim të mos keni dhe ju dhe fatin tonë të mos lejojmë ta lëmë në duar të pasigurta. Ashtu sikurse të më herët, edhe këto lëvizje e parti nuk do mbijetojnë pas 15 tetorit”, ka thënë Lika.
Bekim Memeti, bartës i Listë për këshilltarë në Komunën  e Tetovës, në tubimin madhështor sonte në Tetovë është zotuar se Këshilli i ardhshëm lokal i Komunës së Tetovës do të përmbush të gjitha obligimet që dalin nga Programi parazgjedhor i BDI-së për mandatin 2017-2021 për Komunën e Tetovës.
“Zotohemi për përmbushjen e obligimeve tona pa luhatje dhe me vendosmëri. Qëllimi dhe synimi ynë është vazhdimi i projekteve të nisura më herët he nisja e gjithë atyre projekteve që i kemi paraparë për të mirën e Tetovës, qytetit tonë. Kemi shumë punë për të bërë, mirëpo ne do të tregojmë se jemi të gatshëm të ballafaqohemi me mençuri dhe me shumë përkushtim në detyrat që na presin. Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Tetovës, të dielën – të bashkohemi dhe të votojmë numrin 3. Vota juaj është shumë e rëndësishme për të ardhmen e fëmijëve tuaj, për të ardhmen e Tetovës”, ka thënë Memeti.
Komentet
Top