“Titaniku”, Specialja përpilon akuzën për manipuluesit e zgjedhjeve

fatime.jpg

Prokuroria Speciale është duke hetuar rastin “Titanik” dhe duke mbledhur prova shtesë për 9 të dyshuarit për manipulime zgjedhore. Pas refuzimit të masave të paraburgimit për 9 të dyshuarit me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ky trup është duke mbledhur materialin e nevojshëm për përpilimin e aktakuzës. Të pyetur nga televizioni Shenja se kur do të parashtrohet aktakuza, Specialja njoftoi se nuk mund të kumtojë detaje për shkak të fshehtësisë së hetimit. Sa i përket veprave të reja që mund të rëndojnë dosjet e të dyshuarve për manipulime zgjedhore, Prokuroria vetëm njoftoi se kanë nisur procedura parahetimore për të cilat nuk mund të japë detaje.

“Procedura hetimore po vazhdon, por nuk kemi mundësi që të tregojmë se kur do të parashtrohet aktakuza. Masa e paraburgimit që e propozuam ishte mënyrë që ne të zhvillojmë hetimin pa pengesa, por edhe pse propozimi u refuzua ne do të vazhdojmë hetimin duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të parapara me ligj. Nuk mund të tregojmë nëse për të gjithë të dyshuarit do të ketë hetime të reja. Janë nisur procedura parahetimore, por duke marrë parasysh se hetimi është sekret, nuk mund të ju njoftojmë me detajet”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë Speciale për televizionin Shenja.

Aktakuza përpilohet duke u bazuar në dëshmi të mjaftueshme për përfshirjen e të dyshuarve në manipulime zgjedhore, por nuk përjashtohet mundësia që dosjet e personave të dyshuar të ngarkohen edhe me vepra të tjera kriminele që do të dalin nga hetimi.

Pas përpilimit të aktakuzës rihapet mundësia për kërkesën e paraburgimit me prova shtesë. Pasdorëzimit të aktakuzës në gjykatë, këshilli ose gjykatësi për vlerësim të aktakuzës do të bëjë vlerësimi cili mund të bëhet edhe në seancë publike. Kjo do të jetë nisma e gjykimit për të gjithë 9 të dyshuarit. Aksioni “Titanik” filloi dhjetë ditë më parë me kërkesë të Prokurorisë Speciale për paraburgimin e 9 të dyshuarve për manipulime zgjedhore mes të cilëve ish ministri i transportit Mile Janakievski, ish ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, sekretari i Qeverisë Kirill Bozhinovski, kreu i komunës së Liqenasit të Shqipërisë Edmond Temellko, anëtari i Komisionit komunal zgjedhor të Çairit Ismet Gurri, dhe katër persona nga ekipet lokale të KSHZ-së emrat e të cilëve nuk u kumtuan. Ato ngarkohen me veprat “bashkim kriminel”, cënim i të drejtës së votës, cënim i të drejtës për zgjedhje, ryshfet gjatë votimit, shkatërrim i materialit votues si dhe keqpëdorim i parave për financim të fushatës zgjedhore. Prokuroria Speciale gjatë konferencës për media, tha se Ministrja e punëve të brendshme, ministri i transportit dhe lidhjeve si dhe sekretari i qeverisë, kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre që kanë pasur në shtet, për tia siguruar fitoren në zgjedhje partisë së tyre.

Prokuroria Speciale ankimoi vendimet për refuzim të paraburgimit për të gjithë 9 të dyshuarit e rastit “Titanik” duke vlerësuar se kështu do të parandalohej kryerja e mëtutjeshme e veprave të ngjashme si dhe do të pengohej ndikimi në procesin hetues. Por Gjykata Penale vlerësoi propozimet për paraburgim si të pabaza pasi nuk ka prova të mjaftueshme se personat e dyshuar kanë kryer manipulimet zgjedhore. Këtë akt të Penales, Prokuroria Speciale e quajti si humbje e shansit për t’u shënuar në historinë e Maqedonisë.

Specialja mes tjerash kumtoi se kanë filluar hetimin edhe për 4 anëtarë të KSHZ-së nën dyshimin për Keqpërdorim të postit zyrtar dhe autorizimit. E njëjta vepër iu ngarkohet edhe pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative në Shkup. Dënimi minimal për veprat me të cilat ngarkohen të dyshuarit është burg prej 3 vjetësh.

Duke parë refuzimet e Gjykatës për paraburgim në opinion lindi ideja për një Gjykatë Speciale e cila do të merrej vetëm me rastet që burojnë nga bisedat e përgjuara telefonike. Por, krerët e Këshillit Gjyqësor, të Prokurorëve dhe kryetari i Gjykatës Themelore të Shkupit, vlerësuan se nuk ka nevojë për një institucion të tillë pasi që ata janë të pavarur dhe marrin vendime profesionale.

Komentet
Loading...

Leave a Reply

Top