Loading...

Trafiku vrasës në Komunën e Çair

thumbnail_foto-3.jpg

Nga: Alpin Ollogu

 

Aksidentet automobilistike janë ndër shqetësimet jetike më serioze të njeriut të sotëm, veçanërisht trafiku rrugor në qytete apo vendbanime me infrastrukturë dhe sinjalizim të dobët rrugor. Pastaj, mosrespektimi i rregullave nga vozitësit, pakujdesia e këmbësorëve, dhe ajo çka është më e rëndesishme, mungesa e prezencës dhe joefikasiteti i policisë rrugore. Shtuar kësaj gjendje të rënduar edhe vendimet e gjykatave dhe prokurorive të korruptuara, të cilët bëhen mburojë e fajtorëve të aksidenteve në trafik, që t`ja dalin pa ju dhënë sanksionet e merituara ligjore, veçanërisht në rastet kur kemi pasoja vdekjeprurwse dhe dëme të lëndimeve të rënda, në këto shtete si ky i yni, me sistemin e një drejtësie të shkatërruar.

Republika e Maqedonisë në statistikat e komunikacionit rrugor të aksidenteve, radhitet në shtetet me bilancin ndër më negativet në Evropë. Ajo që vihet re dhe është thuajse mendim unanim brenda popullatës, është pasiguria në trafikun rrugor në vendbanimet me shumicë shqiptare në qytetin e Shkupit, dhe atë, si për mënyrën e paligjshme të pjesëmarrëvse në komunikacion, ashtu edhe ajo më e rëndësishme, që është “de fakto” gjeneratori i paligjshmërisë së vozitësve dhe këmbësorëve, neglizhenca e autoriteteve kompetente të cilët nuk kanë përfilluar dhe nuk po përfilin nevojat dhe gjendjen alarmante në këto vendbanime, duke i shndëruar në një lloj geto-je vrasëse komunikacioni rrugor.

Fatkëqësisht, kjo gjendje vazhdon edhe sot në drejtimin e qeverisë së re, pavarësisht motos së Kryeministrit për “barazinë qytetare” , “shtetit qytetar”, etj., ngase mentaliteti i

strukturave shumicë me etnitet maqedonas në Ministrinë e punëve të brendëshme – policisë rrugore, ka ngeluar ai i njejti, i diskriminimit në mbajtjen e rendit dhe sistemit të dënimeve në vendbanimet shqiptare, në krahasim me ato të shumicës maqedonase ku vepron forca e ligjit.

Qytetarët shqiptarë, veçanërisht të Komunës Çair, me popullësinë më të madhe shqiptare në qytetin e Shkupit, e kanë kuptuar me kohë se maqedonasit në Ministrinë e punëve të brendshme, një pjesë e konsiderueshme e tyre, në lidhje me aksidentet në komunikacion dhe veprat tjera penale në territoret me shumicë shqiptare, thonë: “një më pak”, “lë të vriten mes tyre”, etj, ndërsa vijnë – procedojnë vetëm kur ndodhin pasojat, marrin viktimat ose të plagosurit, shkruajnë procesverbalet e tyre formale dhe si zakonisht të pashqetësuar për gjendjen vazhdojnë avazin e vjetër, me alternativë korrupsioni për “të rregulluar ndonjë punë”, si zhvatës klasikë, të rregullojnë gjërat që ata i shkaktojnë në mënyrë të tërthortë.

Sa i takon pjesëmarrësve shqiptarë në këto struktura policore, është faktuar se janë të pafuqishëm në përballje me shkelësit e ligjit, si për nga përgatitja profesionale, përvoja, njohja me popullatën, gjendja e frikës së konflikteve të mbas orarit të punës, ashtu edhe për nga politikat brenda Ministrisë se Punëve të Brendeshme, niveli i pamundur komandues për rregullimin e kësaj katrahure aksidentesh dhe pasigurie, fatkeqësisht.

Nëse do të vërejmë më hollësisht bilancin e aksidenteve të komunikacionit në Komunën e Çairit, si komunë me vetëm 3.52 klm2 territor, me i vogli në qytetin e Shkupit dhe gjithë Maqedoninë, statistikat e aksidenteve na tregojnë se:

* në periudhën prej vitit 2015 deri 2017, në territorin e Komunës Çair, gjithsej kanë ndodhur 1044 fatkeqësi komunikacioni me pasoja të rënda, nga të cilat 13 fatkeqësi me humbje jete.

Në të njejtën periudhë, 2015 – 2017:

* kanë pësuar gjithsej 1562 persona, nga këta 13 persona humbën jetën dhe 1549 të tjerë të lënduar lehte ose rëndë.

Si faktorë më të shpeshtë për shkaktimin e fatkeqësive në komunikacion me pasoja më të rënda, në periudhën 2015-2017 në territorin e Komunës Çair, janë:

* mosrespektimi i rregullave të përparësisë në kalim, me 166 raste;

* vozitja e makinës më shumë se shpejtësia e lejuar, me 123 raste;

* mosmbajtje të anës dhe drejtimit të lëvizjes, me 67 raste;

* vozitje nën ndikimit e alkoolit, me 13 raste.

(Këto të dhëna janë marrë me shkrim nga Ministria e punëve të brendshme (nr.22-4 94/21/2, më 30.11.2018), në përgjigje të kërkesës sime drejtuar këtij institucioni, për statistikën e aksidenteve në territorin e komunës Çair, gjatë periudhës së sipërshënuar).

Shifrat e frikshme të aksidenteve në trafik, në një territor kaq të vogël, me logjikë të thjeshtë duhet të ngrenë patjetër alarmin tek kompetentët, aq më tepër kur në këtë territor komune jeton një popullsi nga më të dendurat në Evropë, apo një ndër tre komunat me popullsi më të dendur në Evropë, me 66773 banorë, ose 18400 banorë për klm2.

Gjendja e pasigurisë që hasin çdo ditë vozitësit, dhe me shumë të rrëzikuarit, këmbësorët, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit të cilët pësojnë më së shumti prej vozitësve të papërgjegjshëm, atyre që askush nuk i ndalon/kontrollon për shpejtësinë maramendëse; mospasjen e lejes së vozitjes; makinave të paregjistruara të drejtuara nga minorenë; gjendjes së dehur/droguar, etj., e bën Çairin një geto ku policia j’u ka dhënë liri njerëzve të bëjnë ç’të duan, derisa të ndodhin fatkeqësitë, dhe më pas fillojnë proceduarat e zakonshme të autoriteteve policore. Gjithmonë në dëm të qytetarëve të cilët jetojnë me ankthin se në çdo moment mund të goditen nga ndonjë makinë apo motoçikletë (që i kanë shndërruar rrugët si gara në pistë), në trotuar apo në mes të rrugës ku qytetarët ecin. Po po në mes të rrugës, pasiqë janë të detyruar nga mospasja e trotuareve të lira, gjithandej komunës, ku më pak e ku më shumë.

Me ankth janë edhe vozitësit nga këmbësorët e papërgjegjshëm në trafikun rrugor, duke lëvizur edhe aty ku nuk ka kalim këmbësorësh (zebrat), dhe pavarësisht vjen apo nuk vjen makinë në drejtim të tij, sepse edhe këmbësori ashtu si vozitësi, nuk ka frikë nga autoriteti policior, për vetë faktin se ky autoritet nuk ekziston, është null. Prandaj pasojat janë fatale.

Sa i takon shpejtësisë së palejuar të qarkullimit automobilistik, si shkaku më i madh i aksidenteve me pasoja vdekjepruese, ne si banues të kësaj komune jemi dëshmitarë së në këto rrugë mund të vozitësh me shpejtësi sa të duash / klm në orë, pavarësisht së në shumicën e rrugëve, ligjërisht nuk mund të vozisësh më shumë se 40 klm në orë. Megjithatë shifrat reale të një pjese të konsiderueshme vozitësish, kalojnë qindëshen e klm në orë, pa asnjë shqetësim nga autoritetet. Nuk sheh asgjekundi polici rrugore, nuk ka as kamera të dënimit rrugor, siç janë në vendbanimet me shumicë maqedonase. Njerëzit janë lënë të lirë të vrasin veten dhe të tjerët, si në geto të vërtetë.

Kalimi i këmbësorëve në vizëbardha është problem në vete, madje inercioni i papërgjegjshmërisë kaplon edhe makinat e policisë të cilat shpesh herë nuk ndalojnë as vetë për t’ju dhënë përparësi këmbësorëve, dhe jo më të ndalojnë apo dënojnë vozitësit e tjerë që nuk u japin përparësi, fenomen ky i njohur nga banorët e Çairit. Edhe aty ku së fundmi autoritetet komunale kanë vendosur sinjalizim ndriçues mbi vizëbardhat (rrugën “Ferid Murad”), është e kotë, pasi makinat nuk ndalojnë, nuk kanë frikë nga ndëshkimet ligjore, thjesht ska kush ti japë ato!

Thuajse në gjithë rrugët e Çairit nuk ka polici rrugore, mund të bësh çtë duash, kalo dhe rrotullohu në udhëkryq, xhiro gomat, bëj akrobaci me makinë, madje parakalo si i çmendur dhe bëj çtë të të dojë qejfi. “De jure” ka polici rrugore, “de fakto” janë inekzistente. Madje në semaforë mund të kalosh pa problem në dritë të kuqë, si p.sh te semafori i famshëm pranë kompleksit “Princ”.

Për të qenë korrekt, autoritetet në ditët e para mbas rrotacionit qeverisës, filluan kontrolle të policisë rrugore në ato rrugë që quhen rrugë lidhëse mes kufirit të komunave tjera, pranë qendrës tregtare “Mavrovka”, rrugës së “plastikave” apo në “çaircankë”, për të zhbllokuar parkimin anësor, edhe kjo zgjati aq sa zgjati. Pavarësisht se kishte të bëjë më shumë me lirimin e rrugës për lëvizje të lirë dhe të shpejtë të

automjeteve, sesa me sigurinë e këmbësoreve dhe lëvizjen e makinave në trafik konform ligjit, duke mos e shtrirë zgjidhjen e problemit në brendësi të rrugëve të Çairit, në rrugët ku në të vërtetë ndodhin shumica e aksidenteve.

Në infrastrukurën rrugore pavarësisht se nga administrimi i ri komunal janë bërë disa trotuare të reja, po të njëjtat, janë zënë dhe përdoren për parking makinash si mungesë e parkingjeve adekuate, dhe kështu qytetarët detyrohen të kalojnë mes rrugës, duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre. Duhet të kemi parasysh edhe diçka, është e kotë ti thuash qytetarit mos lëviz me shpejtësi, mos parakalo ku nuk duhet, mos bëj këtë dhe mos bëje atë, për sa kohë mungon dora e shtetit, aparati i dhunës – sanskionit ligjor. Kështu funskionon, aty ku ska ligj, ska autoritet, aty bëhet kaos.

Njeriu është i prirur të jetojë në lirinë e tij kaotike, ku nëse nuk e ndjen prezencën e ligjit – dënimit, ai do të vozisë më shpejt për në destinacion, të mos humbasë kohë, mos presë radhë, apo argëtohet me shpejtësi. I kemi shembull mërgimtarët, të njëjtët kur janë në shtetet perëndimore janë të disiplinuar dhe konform rregullave, por kur vijnë këtu, në mungesë të autoriteteve, transformohen njëlloj si vendasit. Fushata vetëdijësuese për mosvozitje të shpejtë, janë pa efekt, kur në të vërtetë ata duhet t’ju drejtohen autoriteteve që ti detyrojne të mbajnë rendin rrugor, të bëjnë punën për të cilën paguhen dhe votohen në zgjedhje ata që i drejtojnë këto autoritete.

Dallimi i komunikacionit automobilisitk në Komunën e Çairit me ato të komunave maqedonase shumicë, është si nata me ditën, madje banorët e këtyre komunave kanë frikë të kalojnë nëpër territorin e Çairit pikërisht për shkak të këtyre problematikave.

”Merimangat” apo karrotrecët për marrjen e makinave të parkuara në vendet e ndaluara, janë utopi në këtë vendbanim, dhe nëse ndonjëherë kanë marrë ndonjë makinë, sigurisht jane dukur qesharak. Shkaqet dihen, frika nga banorët, neglizhenca, ngase nuk janë të mbrojtur nga policia që nuk ekziston, pabarazia ne veprim. Kur ti heqësh njërit makinën, duhet t`ju heqësh edhe njëmijë të tjerëve përballë tij. Por autoriteteve kaq ju intereson… mendësia e diskriminimit dhe mungesës së vullnetit për të vepruar në pjesën shqiptare, akoma vazhdon.

Mjafton të shikojmë rrugën “Xhon Kenedi”, “Ferid Murad”, “Brigada Maqedonase Kosovare”, “Kemal Sejfulla”, kalimin e këmbësorëve poshtë mbikalimit vrasës ne “Bit Pazar” dhe të kuptojmë se pse ky komunikacion rrugor vret, shkatërron jetë dhe pronë në këtë dendësi anormale popullsie. Në Çair nuk ka trotuare të lira (përveçse te “Brigada e dytë maqedonase”, në pjesën më të madhe të saj); shpejtësi marramendëse vozitjesh; mosrespektimi i këmbësorëve në vizëbardha, e as kontrolle të policisë rrugore për siguri trafiku; parakalime makinash jashtë çdo standarti ligjor. Trotuaret janë të mbushura me makinat e lavazheve të shumta, e servisëve të makinave (bashkë me makinat e prishura), ndërtimet e reja që zënë trotuare dhe që qytetarët duhet të presin – rrezikojnë me vite, derisa të mbarojë punë ndërtuesi. Sikur të mos mjaftonte, edhe koshat e mbeturinave mes trotuarit si për “aromë” ashtu edhe për karshillëk brutal këmbësorëve që detyrohen të lëvizin në rrugët e rrezikshme.

Rregullimi i trotuarëve nga administrimi i ri komunal, është përsëri jashtë funksioni, sepse të njëjtët janë bërë vendparkime makinash. Dikush mund të thotë se kjo gjendje është shkaktuar pasi ka shumë banorë në një territor kaq të vogël, ndërtime jashtë standartit ligjor, se gjendja është rënduar me vite rradhazi për këtë apo atë arsye, atëherë zotëri duhet bërë zgjidhje e jashtzakonshme, më mirë të shpëtohen jetë njerëzish dhe shëndeti i tyre, sesa të evitohet konflikti dhe pakënaqësia nga ata që zënë hapësirat publike, duke i detyruar ata ti largojnë makinat apo ti parkojnë më larg shtëpive të tyre, ku nuk pengojnë të paktën lëvizjen minimale në trotuar të këmbësorëve. Por që të bëhet kjo duhet të ketë një drejtësi për të gjithë, pa selektime penalizimesh, kështu do të qetësohej edhe më i revoltuari, kur të shikojë se ka drejtësi. Gjithmonë deri në realizmin e premtimeve zgjedhore për garazhet me kate – parkingje, pastaj mosdhënia e lejeve te ndërtimit pa siguruar investitori garazhe të mjaftueshme për blerësit e apartamenteve.

Ёshtë përgjegjësi e partive politike shqiptare qeverisëse dhe opozitare, veçanërisht e Këshillit dhe Kryetarit të Komunës Çair, të veprojnë seriozisht në këtë çështje jetike të trafikut vrasës, madje të detyrojnë edhe palën maqedonase të ndryshojë mentalitetin diskriminues. Po ashtu detyrojnë Ministrinë e Punëve të Brendshme të zbatojë ligjin për të vendosur rend dhe siguri në trafikun rrugor, dhe jo për kohë të shkurt sa për sy e faqe, por në vazhdimësi, ashtu siç paguhen nga taksapaguesit në vazhdimësi, ngase mjaft është getoizuar dhe anashkaluar qëllimisht, në çdo aspekt.

Banorët me shumicë dërrmuese shqiptare të Çairit, për autoritetet kompetente nuk mund të vazhdojnë të jenë vetëm statistikë vdekjesh dhe lëndimesh, por njerëz që jeta dhe shëndeti ju ka vlerë dhe peshë, njëlloj si në vendbanimet me shumicë maqedonase. Aq më tepër kur shteti – qeveria, banorëve të Çairit j’u ka borxh për padrejtësitë e mëdha me dekada të tëra.

Komentet
Top