TRAGJIKE: Humbë jetën në Zvicër shqiptarja e re 19-vjeçare nga Tetova

sdg.jpg

Një aksident fatal ka ndodhur në rrugën „Hendschikerstrasse“ në Lenzburg të Kantonit Aargau. Mbrëmjen e së hënës, një pensionist zviceran 8o-vjeçar, me veturën e vet e ka goditur pa frenuar fare shqiptaren nga Maqedonia, Elida Osmani (19) me prejardhje nga Tetova. Vajza e re ka qenë duke kaluar nëpër vendkalimin e rregullt për këmbësorë, kur paprtimas e godet zvicerani 80-vjeçar. Nga goditja e fuqishme, vajza tashmë e ndjerë është shtyrë për disa metra në asfalt, duke pësuar lëndime të rënda trupore dhe në kokë. Pas arritjes së ekipit të shpëtimit në vendngjarje, ajo nuk ka qenë e aftë të flasë, shkruan „Blick“, përcjellë „Shtegu.com“. Pas pak kohësh, praktikantja e Migrosit nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Për familjen shqiptare jeta më nuk ka kuptim. I vetmi që mund të shqiptojë ndonjë fjalë është kushëriri i saj, Bedri Asani (34) i cili me lot në sy pohon: „Ishte aq vajzë e lumtur. Buzëqeshja e saj do të mbetet e pavdekshme!“. Shqiptari nga Maqedonia më pas rrëfen: „Elida ishte duke u kthyer në shtëpi me autobus nga vendi i saj i praktikës, nga Migrosi në Cyrih. Paraprakisht ajo ka biseduar në telefon me nënën e saj dhe i kishte thënë se së shpejti do të kthehet në shtëpi“.

Por, atje nuk arriti asnjëherë, familja kot e priti. „Babai i saj i brengosur, shkoi për ta kërkuar dhe në stacionin e autobusëve kishte vërejtur ekipet e shpëtimit. Menjëherë i shkoi mendja te më e keqja. Ai vrapoi në vendngjarje dhe për herë të fundit e mori Elidën në përqafim“.

Ekipet e shpëtimit u munduan me çdo kusht ta shpëtojnë vajzën e re, por pa sukses. Ajo ndërron jetë në ora 01.19 në spital. „Prindërit e Elidës janë buzë greminës. Aktualisht janë nën ndikim të konsumimit të medikamenteve. Elida ka edhe një vëlla, i cili gjithashtu është tronditur nga ngjarja“, përfundon kushëriri.

Vozitësi i automjetit është rrëqethur nga ngjarja, ndërsa policia zvicerane është duke hetuar rastin. Ndaj pensionistit zviceran është urdhëruar kontrolli i gjakut dhe urinës, por edhe i është konfiskuar patenta e shoferit.

Komentet
Top