Tri ‘sëmundjet’ e shoqërisë moderne

charles-770x515.jpg

Humbja e domethënies, arsyeja instrumentale dhe humbja e lirisë, janë tri sëmundjet e shoqërisë moderne, sipas filozofit kanadez Charles Taylor. Në veprën “Etika e Autenticitetit” Taylori thotë se kjo i ka hapur rrugë ‘kulturës së narcisizmit’, e të cilën po e jetojmë sot.

Kërkesat e një shoqërie liberale, kësaj që po e jetojmë sot, kanë të bëjnë në mënyrë të vazhdueshme për sa më shumë të drejta për individin. Si në planin ekonomik e po ashtu edhe në atë politik, individi, në liberalizëm përbënë “masën e çdo gjëje në shoqëri”.

Në teoritë politike dhe sociale, në  fakt, ky liberalizëm i skajshëm, ndryshe njihet si liberalizmi tradicional që fillimet i ka më përfaqësuesit e hershëm të liberalizmit –Hobbes, Locke e deri të Rawls e Dworkin.

Por në kushtet e një ekonomie të tregut e cila imponon prodhim masiv në shoqëri dhe, për më shumë, në kushtet e një teknologjie që gjithnjë e më shumë po përvijohet në shoqëri, filozofi kanadez Charles Taylor vëren se ky ideal për individin ka marr përmasa narcistike dhe dehumanizuese.

Si përfaqësues i komunitarizmit, Charles Taylor në veprën “Etika e Autenticitetit” trajton ato probleme apo “sëmundje” nga të cilat vuan sot shoqëria moderne. Sipas Taylorit, tri sëmundjet e shoqërisë moderne janë humbja e domethënies, arsyeja instrumentale dhe humbja e lirisë, ndërsa kultura të cilën sot po e jetojmë është ‘kultura e narcisizmit’ në të cilën marrëdhënia me tjetrin reduktohet në përmbushje personale dhe larg një marrëdhënie të shëndoshë njeri-njeri.

Në këtë vepër Taylori përpiqet të argumentojë se kjo kulturë është pasojë e liberalizmit tradicional i cili për të është liberalizëm abstrakt dhe i rrafshët, dhe i cili lë jashtë lidhjet e pashkëputshme të individit me komunitetin. Natyrisht që Taylori nuk është kundër sistemit liberal në vetvete, por përmes diagnozës se atyre aspekteve devijante të shoqërisë moderne, ai përpiqet që të ofrojë një model më të mirë social ku individi do të bashkëjetonte shëndetshëm me komunitetin ku jeton.

Humbja e domethënies

Për Taylorin, burimi i parë i shqetësimit sa i përket shoqërisë moderne është një individualizëm i skajshëm, të cilit padyshim që i ka paraprirë përmbysja tradicionale e mënyrës se të jetuarit. Megjithatë ngarendja drejt se resë, drejt modeleve moderne të te jetuarit, të cilat tash i zgjedhë vet njeriu përbënë një çështje komplekse. Në njërën anë individi fiton lirinë, të drejtën për të zgjedhur vetë se si dëshiron të jetojë, por në anën tjetër bashkë me këtë rrezikohet edhe ‘aksioni social’ i përbashkët në shoqëri. Pra shqetësimi është se bashkë me rënien e atyre që Taylor i quan ‘horizonte kozmike’ dhe aksionit social, kthimi i njeriut modern kah vetvetja ia ka humbur jetës çdo kuptim dhe heroizëm. Meqë më nuk do të ketë qëllime përtej njeriut, edhe jeta do të jetë pa kurrfarë kuptimi. Për Taylorin kjo e ka vetëm një shpjegim:

“Njerëzit e humbën vizionin e gjerë për jetën ngaqë shkuan e u përqendruan në jetën individuale. Barazia demokratike, thotë Tocqueville, e ktheu individin me fytyrë nga vetvetja”.

Me fjalë të tjera, sipas Taylorit, “ana e errët e individualizmit është qendërzimi në vetvete, gjë që i sheshon dhe tkurr jetët tona, i bën më të varfra nga ana kuptimore dhe më pak të lidhura me njerëzit e tjerë ose shoqërinë”.

Pasojë e parë e këtij individualizmi pa relacion me shoqërinë është një ‘shoqëri e shthurur’ ku mbizotëron narcisizmi. Kjo më se miri vërehet edhe tek komunikimi dhe gjuha. Në natyrën e qenies thotë Taylori është që të komunikojë me tjetrin, të ngjashmin e tij. Sot gjithnjë e më pak flasim me njeri-tjetrin, në atë kuptimin e idealit heideggerian të komunikimit; njerëzit, sipas Heidegger, e kuptimësojnë ekzistencën e tyre në botë përmes gjuhës, pra komunikimit, dialogut. Por këtë ideal sipas Taylorit e ka shtrembëruar në masë të madhe harbutëria e një teknologjie që është kapilarizuar në çdo pore të shoqërisë. Më shumë sesa me njeri tjetrin, njerëzit sot janë në raport me pajisjet e tyre teknologjike. Njerëzit janë në raport me njëri tjetrin vetëm për aq sa kjo do t’i shërbejë përmbushjes se tyre personale dhe interesave meskine.

Një shembull të ngjashëm të zvetënimit të njeriut bashkëkohor e hasim edhe në letërsinë e shkrimtarit francez Michele Houellebecq. Edhe Houllebecq, sikurse Taylori, rrokë pikërisht këtë dimension realist të zvetënimit të njeriut nga ajo që Houellebecq me shumë qejf do ta quante ‘shoqëria erotiko-publicitare’. Një shoqëri atomizuese si kjo, që nën diktatin e tregut të lirë, përmes nxitjes se epshit dhe nevojave fiktive dhe një konkurrence mbytëse, ka zvetënuar çdo gjë njerëzore. Prandaj për të funksionuar asaj i duhet ta organizojë epshin në shoqëri dhe ta zhvillojë atë në përmasa të papara. Siç shprehet vet Houellebecq:

“…që shoqëria të funksionojë, që konkurrenca të vazhdojë, duhet që epshi të rritet, të zgjerohet dhe të përpijë jetën e njerëzve..”.

Prandaj natyrshëm kultura e individualizmit të skajshëm, ka prekur edhe marrëdhëniet mes njerëzve. Dhe atë në të dyja drejtimet: qoftë kjo si marrëdhënie e individit me shoqërinë, qoftë si raport njeri-njeri.

‘Kultura e vetërealizimit’, siç e quan Taylori kulturën e sotme, në veçanti e bën gjithnjë e më margjinale qytetarinë politike së bashku “me ndjenjën e saj të detyrës dhe besnikërisë ndaj shoqërisë politike”. Ndërsa në një nivel më privat, individualizmi “nxit këndvështrimin sipas të cilit marrëdhëniet duhet të vihen në shërbim të përmbushjes personale. Marrëdhënia është dytësore kundrejt vetërealizimit të partnerëve”.

Prandaj një njëri i plogët në rrafshin politik dhe atë privat, natyrshëm çon tek individ të instrumentalizuar, qoftë nga tregu, qoftë nga modele të gatshme që ofron pushteti, për ta reprodukuar vetveten. Njerëz të flashkët, të cilët të përpirë nga ‘ideali i vetërealizimit’, humbin krejtësisht sensin e qytetarisë politike. Në shoqëri si këto nuk është e habitshme që njerëzit nuk arrijnë të mblidhen në një grup sado të vogël, qoftë edhe për nevojat më jetike për ta.

Instrumentalizimi i arsyes

“Çmagjepsja e botës” është një dukuri tjetër masive e kohëve moderne, sipas Taylorit. Njerëzit nuk janë më të magjepsur; as me natyrën, as më botën e aq më pak me ato horizonte sociale që e fisnikërojnë shpirtin e njeriut. Kultura, veprat e artit dhe letërsia është zëvendësuar me modën dhe reklamat e kompanive transnacionale. Siç thotë edhe Giovani Sartori “…sot imazhi dhe teknologjia e sundojnë jetën e njeriut..”. Kjo çmagjepsje prej gjthçkaje fisnikëruese do t’ia trasojë rrugën asaj që Taylori e quan “përparësia e arsyes instrumentale”. Me ‘arsye instrumentale’ Taylori ka parasysh atë lloj të racionalitetit që futet në punë kur planifikojmë përdorimin sa më ekonomik të mjeteve për një qëllim të caktuar. Të ‘Etika e Autenticitetit’ ai shprehet:

“Efiçiencë në maksimum, raportin më të mirë mes kostos dhe prodhimit, ja kjo është masa e suksesit”.

Pra njeriu, në kushtet e një ekonomie të tregut, gjendet diku në raportin ekonomik mes bilancit të kostove dhe prodhimit. Kjo logjikë e bënë njeri të suksesshëm vetëm atë që ia del në planin ekonomik. Sa më i suksesshëm në hierarkinë sociale, aq më i pranueshëm bëhet njeriu për komunitetin. Se a lexon ndonjë eremit Balzakun diku në humbëtirë kjo nuk ka kurrfarë rëndësie; për me tepër që kjo në kulturën e narcisizmit mund të merret si shenjë se dikush në shoqëri ‘ka filluar të çmendet’. Sepse secila përpjekje për ikje nga instrumentalizimi shihet si përpjekje prej të çmenduri!

Taylori vëren se fshirja e rendeve të vjetra nga faqja e dheut e ka zgjeruar pafundësisht rrezen e veprimit të arsyes instrumentale. Kjo sepse arsyeja instrumentale është pasoja më fatale e një ekonomie tregu që synon në pafundësi fitimin dhe njeriun si mjetin instrumental për realizmin e këtij qëllimi. Kjo ka shkuar aq larg sa për Taylorin jeta e njeriut sot “mbizotërohet nga forma të analizës kosto-fitim që çon në përllogaritje groteske, duke vendosur vlerësimin me dollar të jetës se njeriut”.

Humbja e lirisë

Pashmangshëm kjo na çon edhe në nivelin politik, dhe të pasojat e papëlqyeshme të individualizmit e të arsyes instrumentale në jetën politike. Kjo sepse siç shprehet Taylori “institucionet dhe strukturat e shoqërisë industrial-teknologjike i kufizojnë rreptësisht zgjidhjet tona, ato i shtrëngojnë shoqëritë si dhe individët t’i japin peshë arsyes instrumentale, çka pas një përsiatje serioze morale nuk kishim për ta bërë kurrë, dhe që ka të ngjarë të jetë tepër shkatërrimtare”. I futur kështu nën mekanizëm, mes kostove dhe prodhimit, njeriu humb gjënë më të shtrenjtë për të cilën trumbeton edhe kultura e narcisizmit: lirinë. Humbja e lirisë për Taylorin është pasojë e këtyre forcave industrialo-teknologjike që ia imponojnë njeriut një mënyrë të jetuari në shërbim të po atyre forcave dhe duke e bërë atë të mendoj në mënyrë iluzive se vendimet sociale që ai merr janë të tij.

Humbja e lirisë konsiston edhe në imponimin e një stili jetese sepse, siç shprehet Taylor, “edhe stili i jetës së një individi është e vështirë të mbahet kundër rrymës”.

Taylori këtu e adapton edhe pikëpamjen e Alexis de Tocqueville i cili mendon se, në një shoqëri ku secili mbyllet në vetvete, pa as me të voglën dëshirë për të qenë aktiv në jetën sociale, kjo gjë ngjall rrezikun e një forme të re moderne të despotizmit, të cilin Toqueville e quan ‘despotizëm të butë’. Kjo sepse në një shoqëri ku njerëzit përfundojnë si puna e atyre individëve të “mbyllur brenda mureve të zemrës së tyre” janë të pakët ata që dëshirojnë të marrin pjesë aktivisht në vetëqeverisje. Dhe në një shoqëri ku individët janë jo aktiv politikisht, qeveria e atij vendi s’ka se si te jetë tjetër përveç se despotike, veçse tash e një forme më të butë. Për këtë Taylori shprehet:

“Qeveria në shoqëritë e sotme nuk ka për të qenë një tirani e terrorit dhe e shtypjes, si njëherë e një kohë. Qeveria do të jetë e butë dhe paternaliste. Madje mund edhe të ruajë format demokratike duke organizuar zgjedhje periodike. Po në fakt, gjithçka do të drejtohet përmes “tutelës së pakufizuar të pushtetit”, mbi të cilin populli ka fare pak kontroll”.

Taylori mendon se humbja e lirisë politike, që është pasojë poashtu e kësaj kulture narcistike, “do të thotë që edhe zgjidhjet që na kanë mbetur mund të mos jenë më në duart tona si qytetarë, por në ato të pushtetit mbikëqyrës e të papërgjegjshëm”. Njeriu do të jetë i lirë politikisht vetëm atëherë kur vetëdijesohet për këto forca, shpeshherë shkatërrimtare, e të cilat e modelojnë jetën sociale.

Shkruan: Agon Sinanaj

Komentet
Top