Truri ynë i sheh fjalët si fotografi

0145.jpg

Derisa po e lexoni këtë tekst, mendoni se si t’i vizualizoni fjalët që jeni duke i lexuar. Ka shumë të ngjarë që nuk do ta shihni çdo shkronjë veç e veç – në vend të kësaj, truri juaj do ta njohë çdo fjalë si një fotografi të vetme.

Supozimet për ekzistencën e këtyre aftësive kanë filluar të shfaqen disa vite më parë kur shkencëtarët e zbuluan pjesën e trurit e cila aktivizohet gjatë leximit, por përgjigjja është krejtësisht vizuale, transmeton Koha.net. Pikërisht ky fakt i ka bërë shkencëtarët të besojnë se jemi në gjendje t’i njohim fjalët si fotografi para se t’i lidhim me tinguj dhe kuptime.

Edhe pse kjo ide ishte hedhur poshtë, shkencëtarët tani kanë mbledhur prova në favor të kësaj hipoteze. Sipas një studimi të ri të publikuar në Journal of Neuroscience, truri ynë fjalët që i njohim i sheh si fotografi, i njeh fjalët e tëra në vend të çdo shkronje veç e veç.

“Ne nuk i njohim fjalët duke i lexuar shpejt pasi që e kemi identifikuar çdo shkronjë veç e veç, siç kanë supozuar disa shkencëtarë deri më tani. Në vend të kësaj, neuronet në një rajon të veçantë të trurit i mbajnë mend të gjitha fjalët duke e përdorur të ashtuquajturën “teknikën e fjalorit vizual’,” tha një nga autorët e studimit, Maximilian Reisenhuber.

Ky rajon i trurit që përmend Reisenhuber quhet rajon për formimin vizual të fjalëve. Ai ndodhet në anën e majtë të korteksit vizual, afërsisht pas veshit të majtë dhe përballë rajonit të ngjashëm në anën e djathtë, i cili është përgjegjës për njohjen e fytyrave.

Për ta testuar këtë hipotezë, ekipi i shkencëtarëve nga Universiteti Georgetown e ka mbledhur një grup të vogël të pjesëmarrësve të rritur dhe i ka trajnuar ata që t’i njohin fjalët e reja të pakuptimta, pseudofjalët. Duke dashur ta hulumtojnë aktivitetin e trurit dhe ta vizualizojnë mënyrën se si neuronet reagojnë ndaj fjalëve, pjesëmarrësit e hulumtimit iu nënshtruan rezonancës magnetike para dhe pas mësimit të fjalëve.

Siç përshkruhet në studim, ata zbuluan se neuronet brenda rajoneve të trurit reagojnë ndryshe në fjalët e duhura në krahasim me pseudofjalët. Gjithashtu, ata zbuluan se aktiviteti i trurit ndryshoi pasi që pjesëmarrësit kishin mësuar t’i njohin këto pseudofjalë, transmeton Koha.net. Para këtij ushtrimi, këto fjalë kanë provokuar reagime të ndryshme, por pasi që i kanë mësuar, përgjigjet janë bërë shumë më konkrete, sikur t’i kenë shikuar fjalët e duhura.

“Ky studim është i pari i këtij lloji i cili tregon se si ndryshojnë neuronet gjatë të mësuarit të fjalëve, duke e demonstruar plasticitetin e trurit”, konkludoi autorja kryesore e studimit, Laurie Glezer. Me avancimin e njohurive tona për mënyrën se si truri i përpunon fjalët, ky hulumtim ka potencial të madh për t’i ndihmuar njerëzit me vështirësi në lexim.

Komentet

Leave a Reply

Top