Loading...

Turqit, me shqiptarët “dashurinë”, me maqedonasit biznesin

DSC_0340-520x320.jpg

Shqiptarët i kanë idealizuar turqit dhe politikat e tyre në Maqedoni, duke i konsideruar si “dashnorë të pagabueshëm dhe të sinqertë”. Që të jetë tragjedia edhe më e madhe, kjo dashuri e verbër ekziston edhe në struktura të caktuara politike shqiptare, kryesisht te ata që vijnë nga mjedise rurale dhe që harrojnë përcaktimet strategjike të shqiptarëve për hir të ndonjë “ryshfeti të vockël”

Zejnulla VESELI – KOHA

 

Shkup, 12 dhjetor – Çdo ditë e më shumë kompanitë turke po pushtojnë Maqedoninë. Marrja e dy aeroporteve me koncesion, aeroportit të Shkupit dhe Ohrit nga kompania “TAV”, ndërtimi i qendrës tregtare “Ramstor” në Shkup dhe Tetovë, hyrja e bankës turke “Hallk Bank” në sistemin bankar dhe investimi i fundit në sektorin e ndërtimtarisë nga “Xhevahir Holding”, janë vetëm disa nga investimet me serioze turke në Maqedoni.

Por pavarësisht ndjenjave kolektive të shqiptarëve në Maqedoni për afërsi tradicionale me turqit, politikat e investimeve turke në vendin tonë, është kryesisht pro-maqedonase. Deri më tani, asnjë investim i rëndësishëm turk nuk është realizuar në pjesën shqiptare të Maqedonisë, por edhe ato pak investime që janë bërë në vendet ku shqiptarët janë shumicë, të punësuarit në ato kompani janë kryesisht maqedonas, turq të vendit, torbeshë, e pastaj vijnë shqiptarët.

turqit...

Nëse dikur Aeroporti i Shkupit mund të krenohej për numrin e të punësuarve shqiptarë, sot pas ardhjes së kapitalit turk mund të thuhet se aty gjendja është e dëshpëruese, ndërsa në hierarkinë e këtij investuesi, tanimë nuk gjen asnjë menaxher shqiptar, por thuajse të gjithë drejtuesit e sektorëve janë maqedonas, apo edhe ndonjë turk i Maqedonisë. Kur mediat shqipe i kërkojnë nga kompanitë turke të dhënat për përkatësinë etnike të të punësuarve, ato nuk jepen me arsyetime banale, me të vetmin qëllim, për ta fshehur nga opinioni më i gjerë të vërtetën për mungesën e shqiptarëve në radhët e tyre, ose përfaqësimin simbolik të punësuarve shqiptarë. Me një fjalë, politika e investimeve turke në Maqedoni nuk dallon shumë nga modeli tradicional maqedonas, që ka për qëllim thellimin e pabarazisë ekonomike mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe krijimin e vendeve të reja të punës kryesisht për popullatën maqedonase. Ajo që habit është që përkundër situatës faktike, shqiptarët i kanë idealizuar turqit dhe politikat e tyre në Maqedoni duke i konsideruar si “dashnorë të pagabueshëm dhe të sinqertë”. Që të jetë tragjedia edhe më e madhe, kjo dashuri e verbër ekziston edhe në struktura të caktuara politike shqiptare, kryesisht te ata që vijnë nga mjedise rurale dhe harrojnë përcaktimet strategjike të shqiptarëve për hir të ndonjë “ryshfeti të vockël”, për të kaluar pushimet verore në ndonjë nga qendrat turistike në këtë vend.

Për të zbuluar arsyet e kësaj politike të investitorëve turk në Maqedoni, biseduam me disa ekspertë ekonomik. Profesori i ekonomisë, Nasir Selimit, pranon se kompanitë nga Turqia gjithnjë e më tepër janë prezentë në Maqedoni. “Kjo është normale, kur kemi parasysh se ekonomia e Turqisë vite me radhë shënon rezultate më të mira në rajon dhe më gjerë. Në vende tjera të rajonit ato janë akoma më agresive dhe luajnë rol të rëndësishëm në ekonominë e vendeve mike”, thotë Selimi. Megjithatë, sipas tij, është shumë e vërtetë se në kuadër të këtyre kompanive ka shumë pak shqiptarë të punësuar. “Shkaqet, janë të shumtë, por pa dyshim se edhe këtu nuk mund të anashkalohet faktori politik dhe etnik. Është mjaft e njohur edhe çështja e kushtëzimit të investitorëve të huaj me punësimin që e dikton strukturat e ndryshme qeveritare. Meqenëse hapja e vendeve të reja të punës nga ana e investitorëve vendas është fenomen i rrallë, atëherë gjasat për punësime të reja në dorë i kanë partitë politike në Qeveri, dhe një numër të anëtarësisë së vet e punësojnë pikërisht tek këto investime të realizuara nga të huajt”, thotë Selimi. Ai nënvizon rolin më aktiv që duhet të ketë parteri shqiptarë në qeveri për të mos lejuar këtë politikë të zërë vend në Maqedoni në këtë formë siç është duke u zhvilluar.

“Sigurisht që këtu duhet pjesëmarrësit shqiptarë në Qeveri të jenë më të kujdesshëm dhe të reagojnë më tepër që kjo të mos ndodhë në të ardhmen dhe që të ndryshojnë gjërat në favor të një realiteti të këtij vendi. Nëse investitorët e huaj turq informohen akoma më tepër dhe iu ofrohen punëtorë të rinj të aftë dhe me kualifikime adekuate të fituara në vend dhe në botë, kjo gjendje do të ndryshojë. Ndihmesë të madhe do të duhet të japin edhe të punësuarit momental me punën dhe përkushtimin e tyre ndaj detyrave të cilët i kryejnë momentalisht në këto kompani”, thotë Selimi.

Këtë realitet nuk e njohin përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP). Fatmir Bytyqi, drejtor ekzekutiv i saj vlerëson se anashkalimi i shqiptarëve bëhet për shkak të mungesës së cilësisë, e jo për shkaqe tjera.

“Nuk kisha thëne se kompanitë turke anashkalojnë shqiptarët kur është fjalë për punësim. Në takimet që OEMVP-ja ka pasur me kompanitë turke është potencuar se në fakt ata kanë një kriter se kërkojnë cilësi për vendin e punës. Jo gjithmonë shqiptarët kur dorëzojnë kërkesë i plotësojnë të gjitha kushtet që parashihen në konkurs”, thotë Bytyqi. Sipas tij, shpesh ndodhë që në këto konkurse të paraqiten numri më i madh i maqedonasve që i plotësojnë të gjitha kriteret, ndërsa shqiptarët paraqiten në numër të vogël për shkak se nuk i plotësojnë kushtet e parapara në konkurs. Nuk dua të prejudikoj se kemi apo s’kemi kuadër shqiptarë për vendet e punës që kërkohen, por fakt është se shqiptarët paraqiten në numër më të vogël në konkurse që shpallën nga kompanitë turke”, thotë Fatmir Bytyqi, njeriu i dytë i OEMVP.

Sa i përket bashkëpunimit midis kompanive shqiptare dhe atyre turke, Bytyqi shprehet se numër i madh i kompanive shqiptare kanë qenë dhe janë të angazhuar në kryerjen e punimeve si në aeroportin e Shkupit, por edhe në ndërtimin e kolegjit turk “Jahja Kemal”. “Në parim nuk jemi të kënaqur sa i përket punësimeve të shqiptarëve por mund të them se biznesi shqiptarë nuk është i anashkaluar me kompanitë turke, porse në fakt ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të shumë kompanive shqiptare”, thotë Bytyqi.  Pavarësisht këtyre vlerësimeve pozitive nga njerëzit që duhet të mendojnë për shtimin e kapitalit turk në mjediset shqiptare, është fakt i pamohueshëm se investimet më të mëdha të turqve, TAV, kullat e kompanisë Xhevahir, Ramstore, si dhe shume investime tjera, janë koncentruar në vendbanimet me popullatë maqedonase, ndërsa edhe ato pak shitore që ka hapur Ramstore në viset shqiptare, siç është ajo në lagjen e Topanë në Shkup, dominojnë të punësuarit maqedonas. Sa i përket kualifikimeve të nevojshme, në gazetën KOHA disa herë janë ankuar qytetarë shqiptarë të cilët janë refuzuar në konkurset e ndryshme, edhe kur është bërë fjalë për vende të thjeshta të punës. Pavarësisht kësaj, si duket shqiptarët e Maqedonisë do ta kenë edhe në të ardhmen “dashurinë” ndaj turqve pa “hile”, ndërsa ata biznesin do të vazhdojnë ta bëjnë kryesisht me maqedonasit. Dhe kjo do të ndodhë deri sa përfaqësuesit tanë në Qeveri nuk përcaktohen një herë e përgjithmonë për interesat strategjike shqiptare, para atyre të imta personale, që i kënaqin interesat e disa individëve që shpeshherë janë edhe banale.

Shkrim i ribotuar nga dhjetori i vitti 2012

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media