Ushqimet më të mira për në verë? Ja cilët janë

0342.jpg

Edhe për stinën e verës, ekspertët e dietave kanë klasifikuar disa ushqime, që janë më të mira sa i përket hidratimit dhe mbajtjes së mirë të formës trupore. Ja se cilat janë ato.

Mbajtja e ekuilibrit të duhur përsa i përket hidratimit është gjithmonë e rëndësishme, por kjo çështje bëhet shumë më e vështirë në sezonin e nxehtë. Ndjesia e fryrjes dhe problemet e mbajtjes së ujit janë vazhdimisht pas “shpine”.

Po çfarë duhet të bëni?

Zgjidhja më e mirë është që t’i nënshtroheni një aktiviteti të rregullt fizik dhe të ndiqni një ushqyerje të pasur me ushqime diuretike dhe pastruese. Frutat dhe perimet absolutisht nuk duhet të mungojnë, por thelbësore është që të zgjidhni me vëmendje edhe llojet e ushqimeve, duke preferuar ato që favorizojnë diuresinë (mosmbajtjen e ujit në organizëm). Nëse dëshironi të dini diçka më shumë atëherë, ja disa këshilla për ushqimet më të mira gjatë verës.

Koperi

Për të parandaluar problemin e mbajtjes së ujit, shumë i zakonshëm në verë, mjafton të zgjidhni ushqimet e duhura. Koperi është një prej tyre, sepse është i pasur me fibra që eliminojnë toksinat. Është i mirë edhe për përgatitjen në shtëpi të një çaji me efekt kullues (nxjerrjen jashtë organizmit të ujit të tepërt e jo të shëndetshëm).

Shalqiri

Shalqiri mund të thuhet se mban vendin e parë në kategorinë e frutave me efekt kullues, sepse përmban rreth 90% ujë, i cili së bashku me praninë e potasit, rrit më shumë veprimin e këtij efekti.

Ananasi

Ashtu si shalqiri, edhe ananasi është i pasur me ujë, ndërsa renditet ndër ushqimet që djegin yndyrat, sepse tretja e tij përcakton një harxhim më të madh të kalorive të gjendura në këtë frutë. Ndër të tjera, konsumimi i tij këshillohet edhe për një ushqyerje kundër të nxehtit.

Çaji gjelbër

Çaji i gjelbër ka mjaft cilësi të mira pastruese, por është e këshillueshme që atë ta pini me stomakun bosh për të rritur efektet.

Molla

Në dietën kulluese nuk kanë se si të mungojnë mollët, të duhura për detoksifikimin e organizmit. Mollët ndihmojnë në eliminimin e mbeturinave në trup, ndërsa parandalojnë futjen në organizëm të substancave të dëmshme të ambientit: merita i takon pektinës, substancës e cila gjendet në to.

Domatja

Nëse gjatë verës shqetësoheni për cilësinë e lëkurës suaj, në ushqyerjen tuaj të përditshme mos harroni të konsumoni ushqimet më të mira kulluese anticelulit. Veçanërisht domatet, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të ujit dhe të kripërave minerale. Ato favorizojnë eliminimin e toksinave.

Shpargu

Mes ushqimeve kulluese dhe diuretike, një vend të rëndësishëm zë shpargu, i cili e ndihmon mëlçinë të punojë më mirë për të “shkatërruar” toksinat dhe lëngjet e tepërta, një karakteristikë e cila e bën ideale edhe për dietën pastruese pas festave.

Karçofi

Karçofi është perime e pasur me ujë dhe fibra vegjetale, thelbësore për të stimuluar funksionimin e duhur të zorrëve. Përveç kësaj ai është edhe një diuretik shumë i vlefshëm natyral.

Tërshëra

Përsa u përket drithërave me efekt kullues, ju sugjerohet zgjedhja e tërshërës, e duhur për të pastruar organizmin.

Majdanozi

Në fund, ju sugjerohet edhe një bimë aromatike, të cilën mund ta përdorni si në përgatitjen e pijeve kulluese ashtu edhe në pjatat më të shijshme. Bëhet fjalë për majdanozin, i dobishëm për të favorizuar tretjen dhe për të lehtësuar eliminimin e lëngjeve të tepërta.

Komentet

Leave a Reply

Top