Ushtarakët rusë do inspektojnë 12 mijë km2 në Shqipëri

0315.jpg

Agjensia e lajmeve ruse “RIA Novosti” e afërt me regjimin e Presidentit Putin njofton se specialistë ushtarakë rusë do të mbikqyrin në terren rreth 12 000 km katrorë të sipërfaqes së Shqipërisë. Ky mision inspektimi është i bazuar në Dokumentin e Vjenës 2011 të FSC-së (Forum for Security Co-operation). Inspektimi do të kryhet nga rusët për të kontrolluar në terren, nëse Shqipëria po u përmbahet angazhimeve të saja të marra në Konferencën për Masat e Sigurisë, të Rritjes së Besimit dhe Çarmatimit në Europë (Confidence-and Security-Building Measures and Disarmament in Europe). Lajmi i agjensisë ruse është i datës 22 qershor 2015. Përveç kësaj agjensie lajmesh edhe “Rosijska Gazeta” që është gazetë zyrtare e Qeverisë Ruse, jep pak a shumë të njëjtin lajm duke cituar si burim lajmi Sergej Ryshkov-in, zyrtar i lartë i Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.

Shiko linket: http://www.aex.ru/news/2015/6/22/136476/

Dhe: http://news.rambler.ru/europe/30559374/

Inspektorët ushtarakë rusë do ta kryejnë inspektimin në territorin shqiptar në periudhën 22-25 qershor. Këta ushtarakë rusë do të inspektojnë reparte, kazerma, depo, poligone dhe vend stërvitje të forcave të armatosura shqiptare në pika të ndryshme të vendit. Siç e theksuam edhe më sipër inspektimi do të mbulojë rreth 12 000 km. katrorë të territorit shqiptar.

Rusët i kushtojnë një rëndësi të vecantë inspektimit të veprimtarive, që po kryhen në stërvitjen ushtarake të koduar “Biza-2015”, e cila po zhvillohet në periudhën 20-30 qershor. Inspektorët rusë do të marrin “brifingun” e stërvitjes si edhe do të inspektojnë poligonet e qitjes në zonën e Martaneshit (Bizë).

Ndërsa Rusia putiniane informon publikun për këtë mision inspektimi rus në Shqipëri, madje edhe duke ofruar hollësi si psh. ato që kanë të bëjnë me Stërvitjen “Biza-2015”, Ministria jonë e Mbrojtjes si edhe Shtabi i Përgjithshëm nuk jep asnjë lloj njoftimi për një inspektim të tillë. Në faqet online të ministrisë apo të shtabit nuk gjen madje as edhe një njoftim lakonik për këtë cështje. Në këtë faqe online mund të gjesh njoftim të datës 23 qershor për Stërvitjen “JCRT-2015” të mbajtur në zonën e Zall-Herrit, apo edhe për “Adrion-2015” të datës 15 qershor, por absolutisht asnjë fjalë për “Biza-2015”, asnjë informacion për “mysafirët” rusë. Ndonëse ju drejtuam me shkrim (me e-mail) zëdhënëses së Ministrisë së Mbrojtjes, gjithsesi nuk morrëm asnjë përgjigje.

Një mungesë e tillë transparence na kujton atë thënien barsaletë, që qarkullonte në elitën politike të Tiranës së vitit 1956 në prag të famëkeqes “Konferenca e Partisë e Tiranës.” Thënia ka të bëjë me mosdhënien nga ATSH-ja e jonë të asnjë informacioni për mënyrën sesi Kongresi i XX-të i PKBS e trajtoi çështjen e Kultit të individit të Stalinit. Thënia lapidare ishte: E jep TASS-i, por nuk e jep Thanasi (Nano). Pas gati 60 vjetësh kemi një thuajse “Remake”. E jep RIA (Novosti), por nuk e jep Ministria. Pavarësisht nga mungesa e transparencës së palës shqiptare me mediat tona ne urojmë, që “mysafirët” rusë në cilësinë e inspektorëve ushtarakë të shohin me sytë e tyre dhe të binden që forcat e armatosura shqiptare nuk po ndërmarrin asnjë veprimtari dhe nuk po kërkojnë të kenë asnjë lloj kapaciteti e mundësie, që të kryejnë sulm të pabesë (sneak attack), duke rrezikuar sovranitetin apo tërësinë territoriale të Federatës Ruse, kufijtë e së cilës janë vetëm pak mijëra kilometra larg kufijve shqiptarë.

Me që jemi edhe në prag të pushimeve verore, një inspektim i tillë merr edhe ngjyra humori duke na kujtuar filmin anglez të zhanrit komedi “The Mouse that Roared” (Miu, që bulëronte si luan), të vitit 1959. Ky inspektim rus ofron po aq humor dhe buzëqeshje sa edhe aventura e këtij filmi, që ndër të tjera zhvillohet në territorin e Dukatit të Fenuikut të Madh (Duchy of Grand Fenwick). Sigurisht jemi në verë dhe njeriu, kur shkon për pushime në plazh ka nevojë edhe për humor.

0a

0b

Komentet

Leave a Reply

Top