“Viktimat e monizmit”, dritë mbi skëterrën e shqiptarëve

rsz_kopertina_e_librit_ismail_arsllani_final.jpg

Publicisti Ismail Arsllani, këtyre ditëve, doli në opinion me librin e tij të tretë, “Viktimat e monizmit”, që reflekton me zbardhjen e një periudhe të errët të diferencimit ideopolitik të shqiptarëve në Maqedoni, në periudhën e viteve 1981-1990

Publicisti Ismail Arsllani ka sjellë këtyre ditëve librin e tij të tretë, të titulluar “Viktimat e monizmit”, që përfshinë një periudhë të errët të diferencimit ideopolitik të shqiptarëve në Maqedoni, në sistemin e perënduar komunist të viteve 1981-1990. Autori bën përpjekje për të pasqyruar në mënyrë reale situatën e nderë politike, të trysnisë dhe represionit mbi shqiptarët në një hark kohor prej afër dhjetë vjetësh, në mbështetje të fakteve e dokumenteve të kohës, si dhe shkrimeve që i ka botuar në atë periudhë në të përditshmen “Rilindja” të Prishtinës.

Në libër janë strukturuar tri kategori të veprimtarëve të persekutuar: ata që janë marrë me veprimtari ilegale kombëtare, ata që kanë kundërshtuar procesin e diferencimit ideopolitik dhe ata që kanë rezistuar me heshtje. Të gjithë këta pa dallim, janë denoncuar nga pushteti komunist, qoftë me masa ideopolitike e qoftë me përjashtim nga puna.

Autori kujton demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981 në Kosovë, që ishin një pretekst i fuqishëm për boshtin Beograd-Shkup-Titograd, për të ushtruar një presion gjenocidal ndaj shqiptarëve në Maqedoni, si poligon eksperimenti, me forma dhe mënyra të sajuara nga elaboratet famëkeqe të Andriqit-Çubrilloviqit. Me pretekstin e luftës kundër “nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, komunistët pretendonin se ruajnë rendin dhe sistemin shoqëror-politik e kushtetues të vendit, si dhe marrëdhëniet ndërnacionale. Ky proces i goditjes më të egër të mundshme të komunistëve ndaj kulturës, arsimit, traditës dhe historisë shqiptare, me qëllim të thyerjes së dinjitetit, krenarisë dhe identitetit të tyre të lashtë ilir, do të vazhdojë me intensitet të shtuar deri në vitin 1989, por edhe më vonë.

Fokusi i trysnisë së komunistëve të Maqedonisë mbi shqiptarët ishte përqendruar në radhë të parë në Tetovë, si kryeqendër e shqiptarëve të këtij vendi, me më shumë banorë dhe si bastion politik e historik i tyre, ku emancipimi kulturor-arsimor ishte një hap para sesa në qytetet e tjera shqiptare. Disa prej komunistëve shqiptarë kuptuan më herët e disa të tjerë më vonë, se duhej flakur kjo “luftë ideologjike” kundër popullatës shqiptare, që kishte për

qëllim ta vërë atë nën pranga dhe kontroll të hekurt. Në fakt, kjo luftë ideopolitike ishte imponuar me instrumente të frikësimit dhe kërcënimeve vetëm ndaj shqiptarëve.

Recensenti i librit, prof. Xhelal Zejneli thotë se nga vepra publicistike “Viktimat e monizmit” të Ismail Arsllanit mund të konstatojmë se antishqiptarizmi i periudhës së viteve 1981-1990 në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi ishte politikë e shtetit. Ndaj shqiptarëve do të ndiqet politikë diskriminuese, politikë restriktive dhe politikë represive. Opresioni ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie. Me shqiptarët do të merren gjyqtarët, policët, hetuesit, dëshmitarët e rrejshëm dhe gardianët. Shqiptarët do të arrestohen, do t’i nënshtrohen hetuesisë, do të torturohen dhe do të dënohen me dënime drakonike.

Autori i librit, Ismail Arsllani, dëshmon me argumente dhe në mënyrë rrëqethëse për ngjarjet dramatike të atyre viteve, nëpër të cilat kalon populli shqiptar në Maqedoni. Do të sulmohen me egërsi dhe në mënyrë barbare: gjuha shqipe, kultura shqiptare, kënga shqipe dhe folklori shqiptar. Do të vihen në shënjestër: arsimi shqiptar dhe plan-programet mësimore. Shkolla shqipe do të shpallet bastion i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar. Partia komuniste sllavo-maqedonase do të japë direktiva që nga repertori i këngëve nëpër dasmat shqiptare, të hiqen këngët që cilësohen si nacionaliste. Nëpërmjet të ashtuquajturave paralele të përziera, synohej të ndalohej arsimi shqiptar. Ndaluan pagëzimin e fëmijëve shqiptarëve me emra shqip. Emrat toponomastikë si Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Shkup, Manastir etj., duhej të shqiptoheshin sipas shqiptimit sllav. Format e gjenocidit mbi shqiptarët ishin të shumta. Pjesë e trysnisë ishte edhe prishja e mureve të shtëpive. Librat që cilësoheshin se posedojnë përmbajtje nacionaliste, u flakën nga bibliotekat dhe u futën nëpër bodrume që të myken. Intelektualët syrvejoheshin, ndiqeshin, përcilleshin dhe përndiqeshin në çdo hap.

Recensenti Xhelal Zejneli, më tej, thekson se libri “Viktimat e monizmit” i Ismail Arsllanit është një dëshmi e gjallë për ngjarjet dramatike dhe për golgotën që e ka përjetuar populli shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1981-1990. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, stil të përkryer dhe i pajisur me prova, argumente, dokumente dhe fotografi figurash dhe personalitetesh që kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, libri paraqet burim të dorës së parë për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo vepër u bën të mundur brezave të ri për ta njohur ferrin dantesk, terrin bizantin dhe tmerrin bolshevik që kanë përjetuar etërit e tyre. Libri ka dhe një mesazh të fuqishëm: Një sasi lirie që gëzojnë shqiptarët sot, nuk është fryt i një sakrifice të djeshme, por i një lufte dhe i një qëndrese shekullore të shqiptarëve ndër breza.

Artan ARSLLANI

Komentet

Leave a Reply

Top