Loading...

Vilajeti, krahina, republika; një reportazh trans-historik për Kosovën, FOTO

0a-27.jpg

Në shumë kultura të vjetra, rrethi i përqendruar, mbahet si një simbol që ka aftësinë për të mbledhur energjitë e liga në qendër të tij. Nëse do të vizatonim një rreth të tillë në mes të hartës së Ballkanit, koka e qendrës së tij do të përfundote mbi një fushë. E quajtur Fusha e Mëllenjave, ajo është e njohur si Fusha e Kosovës. Të paktën gjatë dy shekujve të fundit, gadishulli i Ballkanit është mbajtur si zona më problematike e Evropës dhe nëse ndjekim deri në fund logjikën e simbolit të rrethit të përqendruar, Fusha e Kosovës mund të shihet si qendra e këtij rrethi imagjinar, që mbledh gjithë energjitë e liga të Ballkanit. Për më tepër, historia e saj, duket sikur e vërteton këtë, pasi ajo ka pamjen e një mozaiku që përmbledh të kaluarën aq komplekse të kulturave ballkanike me të gjitha ngjyrat dhe ikonocitetet e saj.

Ulpiana e gjurmëve të mbretërisë

Në periudhën antike, aty kishte një mbretëri aq të madhe dhe aktive, saqë drejtuesi i saj, një fis i madh ilir i njohur si dardanët, do të regjistrohej nga egjiptianët e vjetër mes “popujve të detit” që luftuan kundër faraonit Ramsesi II. Perandori romak Marcus Ulpius Traianus, do të ndërtonte aty një qytet me emrin e tij, Ulpiana, kurse perandori bizantin Justiniani, do ta meremetonte atë dhe pastaj riemëronte po sipas emrit të tij, Justiniana Secunda. Edhe pse vetëm 6 kilometra në jug të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinës, mbetjet e restauruara të këtij qyteti i kthyer sot në një park arkeologjik, ende nuk ka fituar njohjen e merituar të një vendi që duhet vizituar nga turistët që duan të shohin se si dukej një qytet me statusin e municipiumit, në periudhën e vonë romake.

Një bazilikë me një pagëzimore tetëharkore, një tempull pagan i kthyer në kishë, një nekropol me sarkofagë luksozë, një banjo romake me sistem ngrohje e qarkuar nga një shëtitore me mozaik dhe një stelë mbivarrore me një tekst meloromantik, janë vetëm disa nga gjërat që mund të shihen aty.

Dy monumente dhe një histori e ngatërruar

Në po të njejtën largësi, por në një kah tjetër nga Prishtina, 6 kilometra në veriperëndim të saj, në një fshat të quajtur Mazgit, gjendet “kërthiza” e rrethit të përqendruar ballkanik. Në mes të Fushës së Kosovës, në një fushë të gjerë që çuditërisht përkundër hovit të madh të ndërtimit në të gjitha zonat përreth kryeqytetit ka mbetur ende një tokë për mbjellje, dy monumente të ndërtuara në kohëra të largëta nga njëra-tjetra, kujtojnë një histori të vjetër dhe shumë të ngatërruar.

Ndanë autostradës që lidh Prishtinën me Mitrovicën, autoritetet serbe, kishin ndërtuar më 1953 një pirg të njohur si monumenti i Gazimestanit. Më tutje, rreth një kilometër mënë brendësi të fshatit, prej shekujsh qëndron kupola e një mauzoleu mbretëror nga koha e hershme osmane. Të dy këta monumente, kujtojnë historinë e mjegullt të një beteje mesjetare, që në diskursin historik është fiksuar si Beteja e Kosovës. Aq shumë është shkruar dhe folur për këtë betejë sa që edhe vetëm përmendja e saj, fare lehtë mund të shkaktojë irritim në publik.

Burimet bashkëkohore janë të pakta dhe shpeshherë fragmentare, megjithatë, ato janë të mjaftueshme për ta njohur historinë e kësaj beteje sikur të mos kishin qenë diskurset mitike që i janë mbivendosur duke e bërë të pabesueshme të vërtetën e saj. Dhe kjo ka vajtur aq larg, sa për të mos u dukur joserioz dhe spekulues, shpeshherë lihen pa u thënë edhe disa gjëra që dihen me siguri, por që janë vënë në pikëpyetje aq shumë dhe aq gjatë, sa i kanë shpërfytyruar edhe burimet që i kanë prodhuar ato.

Ajo që nuk kundërshtohet nga askush, është që në mes të vitit 1389, një ushtri e bashkuar ballkanike e ndihmuar dhe nga popujt në veri të këtij gadishulli, u ndesh me një ushtri osmane në një betejë ku të dyja palët humbën prijësit e tyre. Llazar Hrebeljanoviq, një princ rashian që komandonte një ushtri me sllavë, shqiptarë, boshnjakë, hungarezë, çekë, vllehë, bullgarë dhe frankë, mbetet i vrarë në betejë përballë osmanëve që ndihmoheshin nga një repart ushtarësh rashianë. Megjithëse osmanët fitojnë betejën, ata humbasin mbretin e tyre, Sulltan Muratin I Hydavendigar.

Aty ku kishte rënë i vdekur, i biri i tij që e trashëgoi në fronin osman, Sulltan Bajazid Vetëtima, varrosi zemrën, mëlçinë dhe veshkat e të atit për të ndërtuar mbi to një mauzole sipas traditës osmano-islamike, i njohur si tyrbja e Sulltan Muratit. Duke u nisur nga shekulli i 19-të, serbët do të rrëmbenin diskursin për këtë betejë duke e mitizuar atë fillimisht përmes folklorit e pastaj edhe përmes shkencës, për të imponuar një version sipas të cilit, vdekja e Llazarit, si flijimi i një “Krishti të dytë”, ishte një fitore hyjnore ndaj myslimanëve.

Në dhjetorin e vitit 1660, i nisur nga Banja Luka, guvernatori i Bosnjës, Meleq Ahmet Pasha, po kalonte mes për mes Ballkanit për të vajtur në Sofje, prej nga do të drejtonte si guvernator gjithë Rumelinë. Bashkë me shpurën që po e shoqëronte drejt detyrës së re, ishte edhe Mehmed Zilli, një funksionar osman që e kishte kthyer në shprehi të mbante shënime për vendet ku udhëtonte.

Të njohura si “Sejhatname” apo “Libri i udhëtimeve”, këto shënime do ta bënin shumë të njohur atë, me emrin e tij honorifik Evlija Çelebiu. Teksa vinte nga Mitrovica dhe Vushtrria, për të kaluar kah Prishtina drejt Kaçanikut, Meleq Ahmet Pasha u ndal te tyrbja e Sulltan Muratit, ku siç shkruan Çelebiu, fshatarët e fshatrave përreth, teksa shkonin drejt Prishtinës apo Vushtrrisë, e kishin bërë zakon që për fyerje, të kryenin nevojën aty.

Kjo sipas shoqëruesit të tij, e xhindosi Meleq Pashën i cili urdhëroi që fshatarët ta pastronin oborrin e tyrbes, të ndërtonin një mur të lartë përreth saj dhe të caktohej një familje që do të kujdesej për mirëmbajtjen e tyrbes, kundrejt një pagese të rregullt nga vojvoda e Zveçanit.

Kjo traditë duket të ketë vazhduar aq gjatë dhe të ketë lëshuar rrënjë, sa edhe sot nëse vizitoni këtë tyrbe, në oborrin e saj do të gjeni disa varre të kujdestarëve më të vonshëm, që nga detyra prej kujdestarit e shndërruar në të trashëgueshme familjarisht, me kohë kishin marrë mbiemrin Tyrbedar.

Mauzoleu i sulltanit

Mauzoleu i këtij sulltani, trupi i të cilit është varrosur në Bursa, do të renovohej më 1845, kurse oborri i tij më 1866. Por siç e ka regjistruar në një libër të tij për Kosovën, konsulli i Mbretërisë Serbe në Prishtinë atë kohë, Branisllav Nushiq, në vitin 1896, Sulltan Abdylhamidi II me shpenzimet e tij, kishte ndërtuar një selamllëk për pritjen e vizitorëve që shkonin për t’u lutur në këtë tyrbe. Ky selamllëk, sot është shndërruar në një lloj muzeu të vogël i bërë me financat e shtetit turk ku në mungesë të çfarëdo relikeje origjinale të kohës, në një vitrinë janë vendosur kukulla me pamje njeriu që tregojnë se si ishin të veshur dhe të armatosur ushtarët osmanë të shekullit të 14-të, kur edhe ishte zhvilluar Beteja e Kosovës.

Pllakëzat me legjendat që shpjegojnë historinë e Betejës së Kosovës në këtë muze, janë shkruar së pari në turqisht, pastaj në shqip, serbisht dhe anglisht, kurse në një podium të vendosur në oborrin e këtij muzeu, një logo e madhe e agjencisë turke TIKA, është një shenjë e painjorueshme që tregon ndikimin e madh të shtetit turk në Kosovë përmes investimeve të tilla.

Milionat që kjo agjenci ka investuar në Kosovë, shumkush i ka kritikuar si një përpjekje e Turqisë së Erdoganit për të shtrirë ndikimin e saj në ish-vendet e Perandorisë Osmane, sidomos në ato me popullsi myslimane, sipas ideologjisë së neootomanizmit të projektuar nga dikur njëri prej njerëzve më të afërm të Erdoganit, Ahmet Davutoglu.

Në ditën e 10-vjetorit të shpalljes së Republikës së Kosovës, Davutoglu promovoi librin e tij “Qytete dhe qytetërime” në Prishtinë, në praninë e disa prej politikanëve më të lartë kosovarë. Kurse, godina e konsullatës serbe, ku Nushiq duhet të ketë mbajtur shënimet e tij për këtë monument, ndonëse e futur në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore, sot ka ngelur gjysmë e rrënuar, pasi ishte përfshirë nga zjarri para tri vjetësh. Pozita e saj e përshtatshme, e gjendur në hyrje të rrugës që çon drejt televizionit publik, i ka shtyrë mediat të spekulojnë jo pa të drejtë, se djegia kishte qenë e qëllimshme, për të liruar vend për ndonjë ndërtesë të re biznesi.

Prishtina me 24 xhami

Në verën e vitit 1836, gjeologu austriak Ami Boue, që po udhëtonte nëpër Ballkan me qëllim të përpilimit të një harte etnografike të këtij gadishulli, shkruan se duheshin 17 orë rrugë për të shkuar nga Peja në Prishtinë. Sot, kjo rrugë mund të bëhet me makinë për më pak se dy orë përmes një autoudhe modern të ndërtuar nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq për ata që kërkojnë diçka nga koha e komunizmit jugosllav, këtë rrugë mund ta bëjnë edhe me tren, përmes njërës prej tri linjave hekurudhore që janë funksionale në Kosovë.

Në trenin me katër vagona të kësaj linje, udhëtarët janë kryesisht studentë, që duke paguar biletën për dy euro, kursejnë dy të tjera nga bileta katër euroshe e autobusit me të njëjtin destinacion. Kur udhëton me tren në njërën prej tri linjave të saj, kupton që ata pak vagonë trenash që ende qarkullojnë nëpër binarët e Kosovës, bartin jetët dhe fatet më të rëndomta të njerëzve që jetojnë në këtë republikë, më të renë e kontinentit të vjetër.

Duke shkruar për kryeqytetin e sotëm të Kosovës në librin e tij “Turqia evropiane”, Boue shkruan se “ndërtesat e vetme të dallueshme të Prishtinës janë një kullë ore dhe dymbëdhjetë xhami. Prishtina mu duk se kishte një popullsi prej 7000 deri 9000 frymë, midis të cilëve është një numër i madh serbësh ortodoksë së bashku me arnautët dhe serbët gjysmë myslimanë.” Gati dy shekuj më pas, Prishtina ka saktësisht dyfishin e xhamive, gjithsej 24 të tilla, ndërkohë që një xhami e madhe e cilësuar si qendore që pritet të ndërtohet në lagjen “Dardania”, ka nxitur shumë debat në publik si për lokacionin ashtu dhe për arkitekturën e saj.

Ndërkohë, si kryeqytet i Krahinës së Kosovës në kuadër të Jugosllavisë, Prishtinës do t’i shumëfishohej popullsia që në fillim të viteve ’90-të kaloi dyqindmijëshin. Sot, tashmë si kryeqytet i Republikës së Kosovës, por pa ligj për kryeqytetitn, popullsia e Prishtinës llogaritet të jetë rreth gjysmë milioni njerëz. Një regjistrim i dështuar i popullsisë më 2012 e ka mjegulluar edhe më këtë numër, që ndryshon edhe nga numri i madh i banorëve jorezisdentë.

Në kohën kur Boue e pa Prishtinën ajo ishte thjesht kryeqendra e një pashallëku, pasi që do të duhej të vinte viti 1877, që kryeministri osman Mit’hat Pasha, të krijonte Vilajetin e Kosovës, fillimisht me qendër në Prizren e pastaj në Prishtinë. Sipas Salnamesë Perandorake të vitit 1878, Vilajeti i Kosovës që përveç Kosovës së sotme përfshinte edhe Sanxhakun e Novi Pazarit, Sanxhakun e Nishit, Sanxhakun e Shehirqojt apo Pirotit dhe Sanxhakun e Dibrës, kishte një popullsi prej 1 milion e 527 mijë e 294 banorësh.

Duket e pabesueshme dhe mbase më shumë se kaq e papranueshme, se si regjistri i një shteti në rënie në fund të shekullit të 19-të siç ishte ai osman, ofron të dhëna më të sakta dhe të besueshme se sa ato të institucioneve të Republikës së Kosovës, të dala nga regjistrimi jokredibil apo edhe i dështuar i vitit 2012!

“Përpara, përpara. Më lini të shoh Prizrenin”

Në verën e vitit 1908, kur udhëtarja angleze Mary Edith Durham vizitoi viset e Kosovës ajo u bë dëshmitare e atmosferës së rënduar politike në një vilajet që kishte pasur një rol të veçantë për Revolucionin e Turqve Rinorë dhe shpalljen e kushtetutës osmane të vitit 1908. Në librin e saj aq të njohur “High Albania” apo “Shqipëria e Epërme”, kjo piktore angleze e mirënjohur për simpatinë e saj ndaj shqiptarëve, shkruan se ajo hyri në Prizren me kumbimin e këngës së princit malazez Nikollës, “Përpara, përpara. Më lini të shoh Prizrenin”.

Në atë kohë, kjo këngë motivonte synimin e Malit të Zi, mbështetur nga Perandoria Ruse, për një shtet të madh sllav në Ballkan. Dhjetë vjet më pas, ky shtet i vogël me orekse të mëdha, do të përpihej bashkë me Kosovën nga Serbia fqinje, për t’u përfshirë në një mbretëri që dhjetët vjetët e para u quajt Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, kurse dhjetë vjetët e dyta u quajt shkurt Mbretëria e Jugosllavisë. E dyta luftë botërore solli ushtarët gjermanë në Ballkan që e shkërmoqën këtë mbretëri, por hapësira në të cilën kishte ekzistuar ajo, jo vetëm që nuk u nda, por u përbashkua edhe një herë në një shtet, vetëm se kësaj radhe jo një Jugosllavi mbretërore, por komuniste.

Mbijetesa e Fushës së Kosovës

Pas dy dekadash shtypje politike dhe diskriminimi ekonomik, më 1974, për të amortizuar forcën e një populli të shtypur, Kosova u shpall Krahinë Autonome e Serbisë. Kështu, Kosova, vilajeti që dikur gjeografikisht ishte një krahinë e Shqipërisë, u bë politikisht krahinë e Jugosllavisë. Një diktator me origjinë kroate dhe me gradë marshalli, i njohur me nofkën Tito, i favorizuar nga pozita e veçantë e Jugosllavisë në rreshtimet ndërkombëtare të kohës së Luftës së Ftohtë, arriti ta mbante nën kontroll dhe të ftohtë për mbi tridhjetë vjet nacionalizmin e egër ballkanik të popujve që popullonin Jugosllavinë.

Ky shtet, i cilësuar shpesh herë më pas si ndër më artificialët që ka njohur historia politike e Evropës, do të niste një shkërmoqje të dytë pikërisht në qendër të rrethit përqendror të Ballkanit, në Fushën e Kosovës. Më 15 qershor 1989, Presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq do të mbante një fjalim të zjarrtë nacionalist pranë pirgut të Gazimestanit në Mazgit, në praninë e rreth gjysmë milioni serbësh.

Ngjarjet që kanë pasuar gjatë viteve ’90-të e kanë renditur këtë fjalim si një overturë ogurkeqe politike në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë. Pas këtij tubimi të madh politik, çdo 15 qershor, serbët e kanë shndërruar Mazgitin në një vend pelegrinazhi, ku ata duke u thirrur në arsye fetare që lidhen me shënimin e ditës së Shën Vidit (shenjtorit të ditës së betejës që lidhet me perëndinë pagane sllave të Vidit) kanë shpikur një traditë,– në kuptimin që Eric Hobsbawn i jep këti lloj fenomeni.

Fusha e Betejës së Kosovës mbetet fusha e kësaj tradite të përçudnuar nacionaliste, e lyer me ngjyra fetare por thelbësisht e instrumentalizuar politikisht, që për qëllim ka të ruajë qoftë dhe një fije vizualisht të dukshme për Kosovën si “djepi i serbizmit” apo “Jerusalemi serb”, sipas trumbetimeve të akorduara të një trinomi primitiv, të përbërë nga Republika e Serbisë, Kisha Nacionaliste Serbe dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve. Historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, që për nëntitull të librit të tij “Kosova”, e ka vënë “Histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” (qendra e rrethit përqendror?!), e ka cilësuar këtë traditë si një riinterpretim i kujtesës kolektive serbe me pozitën e një elementi thelbësor në identitetin etnik serb.

Në një intervistë që Schmitt i pati dhënë autorit të këtij teksti më 2015, për një dokumentar televiziv mbi Betejën e Kosovës, i pati cilësuar serbët që vijnë çdo 15 qershor në Kosovë, si “përfaqësues të një tradite shumë të keqe serbe që dëshiron të harrojë atë se çfarë ka bërë në Kosovë, ushtria, administrata dhe paramilitarët serbë dhe të cilët duan t’u kujtojnë shqiptarëve atë çfarë ka bërë Millosheviqi këtu më 1989”.
Kur Durham shkoi të vizitonte tyrben e Sulltan Muratit më 1908, ajo mbeti e habitur që e ftuan brenda, madje pa hequr këpucët: “Me Kushtetutën vërtet që gjithçka ka ndryshuar. Më parë, nëse një kaure do vinte në Fushë të Kosovës e pashoqëruar, një zot e dinte ç’mund t’i ndodhte.”

Kjo zonjë angleze as që mund ta ketë menduar që saktësisht një shekull pas vizitës së saj, më 2008, Kosova do të shpallej republikë paralmentare dhe do të bëhej me një kushtetutë demokratike. Por ajo që çuditërisht u ka mbijetuar të gjitha ‘Kosova’-ve, qoftë si vilajet osman, si krahinë jugosllave a si republikë parlamentare, mbetet Fusha e Kosovës me historinë e betejës në qendër. Kjo fushë, duket sikur asnjëherë nuk ka pushuar së qeni një fushëbetejë.

Turqit kujdesen për meremetimet e kohë pas kohshme të tyrbes së Sulltan Muratit I në njërën anë, kurse serbët vazhdojnë traditën e vizitave të Gazimestanit për të kujtuar mitin nacionalist serb si argument historik dhe shpirtëror për të drejtën mbi Kosovën në anë tjetër. Por, ajo që e bën edhe më të ndërlikuar gjithë këtë histori, është 5 maji, Dita e Shën Gjergjit, një shenjti pagan i përvetësuar nga tradita kristiane, që në një skaj tjetër të Mazgitit, pranë një tyrbeje modeste që ruan trupin e flamurmbajtësit të sulltanit, shumë më në heshtje dhe gati përshpirtshëm, mbledh mijëra shqiptarë myslimanë që shkojnë për të hedhur monedha për fat të mirë!

Përballë këtij mozaiku historik, sa kohë që e tashmja ende kalohet mes kujtesës dhe fatit të së kalurës në fushën e një beteje mesjetare, e ardhmja e krahinës së Kosovës, që dikur ishte ajo e një vilajeti kurse prej dhjetë vjetësh ka petkun e një republike, duket sikur nuk mund të marrë të mbarën sa kohë kujdestarët e kësaj dhjetë vjeçareje, nuk e lidhin nyjen ogurzezë të rrethit përqendror, ashtu që Fusha e Kosovës të mos prodhojë histori të padobishme më.

Komentet
Top