Vrapuesit dhe muzikantët e kanë trurin e lidhur më mirë se të tjerët

0-15.jpg

Skanimet MRI kanë zbuluar lidhje të përmirësuar funksionale në trurin e vrapuesve të cilët morën pjesë në studimin e ri, duke treguar se rajone të ndryshme të trurit ishin të lidhura më ngushtë se zakonisht, dhe më të sinkronizuara me njëra-tjetrën.

Ekipi nga Universiteti i Arizonës thotë se gjetjet mund të na ndihmojnë të kuptojmë se si detyrat e përsëritura, si vrapimi apo ushtrimi në piano, e ndryshojnë funksionimin e trurit, duke na dhënë pasqyrë të re në mënyrën më të mirë për ta luftuar rënien kognitive më vonë në jetë.

“Një nga gjërat që e nxitën këtë bashkëpunim ishte se ka pasur një shtim së fundi të studimeve, gjatë 15 viteve të fundit, të cilat kanë treguar se aktiviteti fizik dhe ushtrimet mund ta kenë një ndikim pozitiv në tru, por shumica e kësaj pune ka qenë në të rriturit më të moshuar”, thotë anëtari i ekipit, antropologu David Raichlen.

“Kjo çështje rreth asaj që ndodh në tru në moshën e re nuk është hulumtuar në shumë thellësi, dhe ajo është e rëndësishme”.

Hulumtuesit i krahasuan skanimet e trurit të 11 vrapuesve në natyrë meshkuj me skanimet e 11 meshkujve të cilët nuk kishin marrë pjesë në aktivitetin e organizuar atletik për më shumë se një vit.

Grupet ishin përafërsisht të së njëjtës moshë (18 deri 25 vjeç), kishin BMI të ngjashme, dhe ishin nga e njëjta përgatitje arsimore.

Në skanimet e gjendjeve pushuese – ku pjesëmarrësit nuk kryen detyra eksplicite mendore gjatë MRI – ekipi zbuloi se lidhja funksionale e vrapuesve ishte më e madhe se sa e jo-vrapuesve në fushat si korteksi ballor, ku truri e menaxhon planifikimin, vendim-marrjen, dhe multitaskingun, transmeton koha.net.

Hulumtimi i mëparshëm ka krijuar lidhje të ngjashme në mes të lidhjes funksionale dhe detyrave që kërkojnë kontroll të mirë motorik, si të mësuarit e ndonjë instrumenti muzikor.

Në bazë të këtyre ngjashmërive, studiuesit sugjerojnë se vrapimi mund ta angazhojë trurin në të njëjtën mënyrë, edhe nëse vrapimi duket si një detyrë relativisht “automatike” e cila nuk kërkon shumë mendim.

“Këto aktivitete të cilat njerëzit i konsiderojnë të përsëritura në fakt përfshijnë shumë funksione komplekse kognitive – si planifikimi dhe vendimmarrja – të cilat mund të kenë efekte në tru”, shpjegon Raichlen.

Derisa shkencëtarët ende nuk e kuptojnë plotësisht ndikimin e lidhshmërisë së përmirësuar funksionale në mënyrën se si ne mendojmë, ne e dimë se dëmtimi i trurit (të themi, nga goditja në tru) e redukton këtë lidhshmëri, dhe i bën rajonet e trurit më të izoluara.

Rënia në lidhshmërinë funksionale është vërejtur gjithashtu tek personat më të moshuar – veçanërisht ata me sëmundjet si Alzheimeri – dhe ekipi sugjeron se ushtrimi i rregullt mund të jetë një mënyrë për ta minimizuar këtë rrezik.

Megjithatë, ata e pranojnë se studimi i tyre e përfshiu vetëm një mostër të vogël të vrapuesve dhe jo-vrapuesve, dhe thonë se hulumtimi me grupe më të mëdha dhe më të ndryshme të njerëzve është i nevojshëm për ta hulumtuar më tej këtë lidhje.

Rezultatet nuk sugjerojnë domosdoshmërisht se tipat atletikë janë më mençur se ne të tjerët, edhe pse hulumtimet e mëparshme kanë gjetur lidhje midis ushtrimit të rregullt dhe përmirësimit të performancës në lloje të caktuara të detyrave mendore.

“Zonat e trurit, ku kemi parë më shumë lidhshmëri tek vrapuesit janë edhe fushat që janë ndikuar derisa plakemi”, thotë Raichlen, “kështu që me të vërtetë e ngre pyetjen nëse të qenit aktiv si një i rritur i ri mund të jetë potencialisht e dobishme dhe ndoshta mund të ofrojë ripërtëritshmëri kundër efekteve të plakjes dhe sëmundjeve”.

Prandaj, nëse keni menduar të filloni të vraponi si një zotim i Vitit të Ri, tani e keni edhe një arsye për ta bërë atë.

Gjetjet janë publikuar në Frontiers in Human Neuroscience.

Komentet
Top