Ylli i ekonomisë polake: Harrojeni Greqinë, merruni me Ukrainën!

087.jpg

Leszek Balcerowicz është njëri ndër ekonomistët më të njohur sot në botë, që akoma nuk ka marrë një çmim “Nobel” për arritjet e tij. Të njohur atë e bëri i ashtuquajturi “Plani Balcerowicz” për rindërtimin e ekonomisë polake, nëpërmjet një programi strikt reformash: shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, kontrollin mbi devizën kombëtare dhe derregullimin në favor të firmave private dhe investitorëve të huaj.

Por fort të dëshiruar ndër masat, kjo gjithsesi atë nuk është se e bëri. Në vitin 1989 ai ishte ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër i qeverisë së parë jokomuniste polake pas 45 vjetëve. Mirëpo pasi “terapia e tij e shokut” shumë polakëve iu duk e tepruar dhe e hidhur, qeveria e partisë së tij pas pak viteve, e la pushtetin dhe u zëvendësua nga socialistët që u përpoqën të zbusin pasojat e shtrëngesave financiare.

Balcerowicz, megjithatë edhe sot e kësaj dite, nuk është penduar për asgjë. Politika e tij “e ndërhyrjeve të dhimbshme”, ka sjellë tek e fundit pozicionin e sotëm të Polonisë, e cila në Bashkimin Europian, jo më kot renditet tashmë në vendin e gjashtë nga performanca ekonomike.

“Nuk mund ta çrrënjosësh socializmin me hapa breshke”, thotë ai. Megjithatë, kuotat e larta të popullaritetit që ai gëzonte, në vitet 1997-2000, bën që ai të rizgjidhej sërish Ministër i Financave, e më pas në vitet 2001 – 2007, edhe President i Bankës Kombëtare të Polonisë.

Inflacionin e vendit ai e mbajti nën kontroll nga kursi i këmbimit dhe sasia e parave që u hodh në qarkullim. Sot ai jep leksione në Shkollën e Lartë të Ekonomisë në Varshavë, e cila i përket grupimit të famshëm “Group of Thirty”,( G 30), i cili ka mbledhur rreth vetes një grup të përzgjedhur ekonomistësh me famë ndërkombëtare, dhe së fundmi mori edhe çmimin prej 250.000 dollarësh nga fondacioni “Milton Friedman” për kontributin që ai ka dhënë në nxitjen e lirisë ekonomike.

Në një bisedë me të përditshmen gjermane, “Die Welt”, ai përpiqet të nxjerrë më në pah shkurtimisht mendimet e tij rreth sfidave dhe krizave aktuale financiare në BE dhe po ashtu edhe të marrë në shqyrtim rastin e Ukrainës, ku në luftimet e rinisura sërish po vriten njerëz dhe ku forca e kryengritësve separatistë pro-rusë është rifuqizuar në një masë të panjohur prej muajsh. Në këtë intervistë, ekonomisti i njohur flet si ekonomist dhe politikan dhe këmbëngul në kredon e tij.


Pyetje: Për sa u përket shifrave të rritjes ekonomike, Polonia ndodhet sot në majë, kurse Greqia, në fund të listës së BE-së. Si ka mundësi – a nuk ishte ekonomia polake, ajo e cila para 25 viteve shihej si një rast i pashpresë?

Ne i hymë pa drojë stabilizimit të monedhës sonë. “Złoty” ( monedha kombëtare e Polonisë) në këmbim me dollarin ishte në raportin 36.000 ( tridhjetë e gjashtë mijë) me një, dhe humbiste vlerën çdo ditë në atë kohë. Ne morëm masa për derregullimin dhe privatizimin – të cilat u kryen në mënyrë radikale dhe kërkuan shumë reforma. Një politikë konservatore kundrejt monedhës, do ta frenonte ekonominë dhe dhënien e kredive. Qysh prej vitit 2007, në Poloni nuk pati një bum, por edhe as edhe ndonjë krizë. Greqia sot është një rast më vete. Euro është stabël, eurozona po ecën – por mediat duan ta paraqesin si shumë dramatike atë që po ndodh, e kështu ne dëgjojmë gjithnjë e më shumë termin “kriza në eurozonë”.


Si po ndikon suksesi i Polonisë në Europën Lindore?

Nëse një vend ka sukses, kjo bie në sy – por ai duhet të zgjasë, pasi suksesi i djeshëm, nuk do të thotë asgjë për atë të nesërmin. Duhet të qëndrosh me këmbë në tokë – sikurse po përpiqet të veprojë tashmë Ukraina. Unë, këtë vit isha tri herë atje dhe kam takuar Presidentin Poroshenko, parlamentarët dhe gazetarë.


A këshilloheni me qeverinë ukrainase?

Jo, por ajo që po ndodh atje, më intereson. Perëndimi duhet t’i kushtonte shumë më tepër vëmendje Ukrainës, sesa Greqisë. Ajo është katër herë më e madhe se Greqia, kufizohet me Rusinë dhe është një test për BE-në dhe NATO-n, qëkurse Presidenti Putin pushtoi Krimenë dhe jozyrtarisht, ka ndërhyrë edhe në Ukrainën Lindore.


Presidenti amerikan, Barack Obama, ka propozuar që Europa ta ndihmojë Greqinë të qëndrojë në eurozonë. A s’mendoni dhe ju kështu?

Për t’i detyruar europianët të japin më shumë para për Greqinë? Jo. Nëse një vend është zhytur thellë në borxhe, dhënia e shumave të tjera të mëdha për të, është një zgjidhje e gabuar. Nëse SHBA vërtet beson se Greqia duhej financuar edhe më tej, ata duhet ta ndanin këtë barrë me Europën. Ju duket se jeni tërësisht kundër që një vend të braktisë eurozonën. Ishte një hile e thjeshtë ajo kur Cipras u takua shkurtazi me Putinin. Çfarë donte t’u thoshte ai me këtë hap europianëve? Se prodhimi i brendshëm bruto i rusëve ka rënë me 40 për qind. Putini nuk mund t’ia dilte të financonte dot Greqinë. Rusia nuk është një shembull për t’u ndjekur nga BE.


Ok, e lëmë pas punën e Greqisë: A e shihni eurozonën dhe BE-në me optimizëm?

Unë nuk besoj se Greqia paraqet një rrezik për BE-në. Edhe në rast se ajo e braktis eurozonën, ajo do të mbetet anëtare e BE-së. Nuk duhet marrë Unioni Monetar thjesht si një grupim shtetesh. Ai është një grupim rajonesh, që ndjekin të njëjtat standarde. Nëse duam të shmangim krizat, tregjet duhet të punojnë pa ndërhyrje shtetërore. Zgjedhësit duhet të votojnë pro një alternative konservatore financiare – e nëse ata nuk e bëjnë këtë, atëherë ata le të besojnë në përrallat e Babagjyshit të Vitit të Ri. Është gabim i madh të besosh se nëpërmjet më shumë shpenzimeve buxhetore, do arrijmë rritjen ekonomike. Nëse dëshiron t’u hysh shumë në zemër njerëzve, në fund ti i dëmton ata.

Komentet

Leave a Reply

Top