Loading...

Zbardhet mekanizmi, si funksiononte organizata e kokainës. Ermal Hoxha: Nuk kam lidhje me trafikun e drogës

0a41.jpg

Një ditë pas goditjes së supergrupit të kokainës në fshatin Xibrakë të Elbasanit, Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, kanë konkluduar se grupi i të arrestuarve pjesëtarë të rrjetit të trafikimit të kokainës drejtohej nga Kelmend Dalipi dhe Ilir Hyseni. Burimet thanë se organizata ishte ndërtuar dhe drejtohej nga disa prej të arrestuarve të cilët kishin pozicione dhe funksione të caktuara në organizatë. Burime të Policisë dhe të Prokurorisë thanë dje në mbrëmje se grupi drejtohej kryesisht nga Kelmend Dalipi dhe Ilir Hyseni që ishin njerëzit më të rëndësishëm të organizatës. Sipas burimeve të policisë, Dalipi ishte njeriu që kishte siguruar vendin ku ndodheshin magazinat dhe ku ishte vendosur laboratori i përpunimit të kokainës.

Ai ishte pronari i magazinave dhe njëkohësisht edhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të grupit, për shkak të lidhjeve që kishte jashtë Shqipërisë, por edhe në vende të ndryshme perëndimore kryesisht në qytete të Gjermanisë. Pikërisht autoritetet e këtij vendi kishin shkëmbyer informacionin me policinë dhe prokurorinë shqiptare në lidhje me këtë grup kriminal që kryente trafikimin e lëndës narkotike në drejtim të Gjermanisë, me ngarkesa periodike nga Ilir Batku, i arrestuar të mërkurën në mbrëmje në afërsi të banesës së tij në Tiranë. Pikërisht në mjetin në të cilin ai u arrestua, policia bllokoi një sasi prej 350 mijë eurosh që i përkisnin grupit. Policia tha se veç, Batku, kishte modifikuar një pjesë së shasisë së mjetit në të cilin u kap, duke krijuar një hapësirë të posaçme për mbajtjen e lëndëve narkotike. Sipas hetuesve mjeti ishte modifikuar në mënyrë të tillë që të arrinte t’iu shpëtonte kontrolleve policore në postblloqe, apo edhe në vende të tjera të rëndësishme, si dogana apo kontrolle rutinë të policisë.

Kelmend Dalipi sipas hetuesve, kishte edhe një të tij që ishte përfshirë në këtë organizatë kriminale. Pikërisht Batku, sipas burimeve të policisë kishte edhe detyrë të trafikonte lëndën narkotike nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë, kryesisht nëpër rrugë tokësore, ku kontrollet ishin më pak të mundshme se nëpërmjet linjës detare nëpërmjet Italisë. Ky i fundit u ndalua nga policia, në momentin që në Elbasan, ishte ndërhyrë dhe ishin arrestuar pjesëtarët e tjerë të grupit. Ai u ndalua pranë banesës së tij në mjetin ku kishte lëndën narkotike dhe paratë, ndërsa në momentin e ndërhyrjes së efektivëve të njësisë operacionale ai tentoi të largohej. Më pas blutë zbuluan edhe lëndën narkotike si dhe paratë që ndodheshin në veturë. Ndërkaq i arrestuari tjetër, Ilir Hyseni, sipas burimeve të policisë ka qenë emigrant në Gjermani, por për shkak të problemeve të tij ai është kthyer në Shqipëri, ndërsa ai ka pasur rekorde të tjera penale në Shqipëri.

Ermal Hoxha, sipas burimeve të policisë ishte person që kishte lidhje dhe mbante kontakte dhe shkëmbente informacione me grupin ndërsa vlerësohej në rolin e financierit. Po ashtu dyshohet se një pjesë e parave janë pastruar apo pastroheshin nga të arrestuarit nëpërmjet kompanive që ishin vendosur në emër të tyre, apo të të afërmve të tyre në vend. Ndërkaq dy kolumbianët e arrestuar thanë dje për hetuesit se kishin mbërritur nga Bucaramanga, rreth dy muaj më parë. Ata kanë pretenduar se kanë hyrë në rrugë ilegale dhe se ishin kontaktuar nga dy shqiptarë emrat e të cilëve nuk i dinin. Ndërkaq ata kanë pohuar se jetonin me qera në një banesë pranë magazinave që u bllokuan mbrëmjen e të mërkurës nga policia në Xibrakë të Elbasanit gjatë operacionit me të njëjtin titull. Hetuesit thanë se ata ishin kimistë dhe se njihnin në mënyrë të mirëfilltë, procesin e përpunimit dhe të ndarjes së kokainës nga vaji i palmës dhe pastrimi i saj dhe më pas përzierja e me lëndën tjetër që përdorej për t’u shtuar. Të gjithë personat dyshohet se kanë pasur edhe lidhje të tjera po ashtu të rëndësishme, por që ende nuk bëhen të ditur për shkak se hetimet e policisë dhe të Prokurorisë ende janë në fazë delikate.

Familja e Ermalit: Arrestimi për të diskretituar Enverin

Familja e Ilir Hoxhës, djalit të madh të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, ka reaguar me anë të një letre për arrestimin që i është djalit të tyre Ermal Hoxha, për drogë, një natë më parë. Sipas familjes Ermali ndodhej në Durrës në shtëpinë e prindërve të gruas së tij.

Letra e familjes Hoxha:

Arrestimi i djalit tonë Ermal Hoxha, ka për qëllim të vetëm, diskreditimin e emrit të Enver Hoxhës. Nuk është hera e parë që kjo gjë i ndodh familjes sonë. Para katër vjetësh policia donte të implikonte djalin tjetër tonin, duke e akuzuar si pjesëmarrës në një konflikt me armë, kur ai në kohën që kishte ndodhur incidenti, ishte bashkë me ne, prindërit e tij dhe me 30 të ftuar të tjerë në një festë familjare. Po kështu, ndodhi edhe me Ermalin, që del njoftimi në media me burim nga Prokuroria, që është zënë me drogë dhe me një shumë të madhe parash në një makinë fuoristradë të zezë, në afërsi të Elbasanit. Në një kohë, që Ermali ndodhej në Durrës në shtëpinë e prindërve të gruas. I njëjti skenar, për ta inkriminuar. Dhe pritej që diçka të ndodhte, kur Enver Hoxha në këtë 70-vjetor të çlirimit, u anatemua nga të gjitha forcat politike, të djathta dhe të majta. Egërsisht e quajtën monstër dhe Hitler. Shkuan deri atje, sa edhe fotografitë ia ndaluan me dhunë shtetërore. Edhe kjo që ndodhi dje, është në vazhdën e persekutimit që i bëhet familjes së tij. Tani që nipërit e tij, janë bërë madhorë, persekutimi po bie mbi ta. Urojmë që drejtësia të veprojë e pavarur nga segmentet e politikës.

Një nga të arrestuarit ortak në biznes me dhëndrin e Enver Hoxhës

Një nga të arrestuarit e grupit të kokainës, Gentian Gjonaj është identifikuar nga hetuesit edhe si ortak i arkitektit të njohur Klement Kolaneci, i cili është edhe dhëndri i ish- diktatorit Enver Hoxha. Në ekstraktin e dokumentit që ndodhet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), shihet se Gentian Gjonaj është administrator i shoqërisë AIN dhe ka 40 për qind të aksioneve të kompanisë. Nga ana tjetër Kolaneci, ka rreth 20 për qind të aksioneve. Po ashtu aksioner në këtë kompani është edhe një person tjetër i identifikuar me inicialet L. K. Ky person referuar ekstraktit historik, zotëron 40 për qind të aksioneve. Kompania është regjistruar në QKR, me 9 qershor 2008, ndërsa si datë të themelimit të saj mban datën 20 maj të vitit 2008. Shoqëria funksionon si SH.P.K dhe ka 100 aksione. Referuar ekstraktit, objekti i aktivitetit të saj është importi, eksporti dhe tregtia artikujve të ndryshëm. Po ashtu ajo është parashikuar të funksionojë si agjenci turistike, imobiliare, shitblerje pasurish të patundshme në tregun e pronave. Po ashtu si objekt i aktivitetit është renditur edhe transporti mallrave të ndryshëm brenda e jashtë vendit, shërbimet e ndërtimit, prodhim tregtim i bojërave, si dhe zbatimi e projektimet në ndërtim. Si zyra qendrore të shoqërisë në Shqipëri, ishte përcaktuar qyteti i Orikumit në Vlorë, në një bllok të ri pallatesh. Më vonë, asetet e shoqërisë së mësipërme janë vënë në sekuestro konservative nga një shoqëri përmbarimore, për shkak të problemeve të aksionerëve, pasi Kolaneci, rezultonte debitor. Një masë e tillë është marrë disa herë nga disa shoqëri përmbaruese, duke bllokuar aksionet e Kolanecit, që kishte probleme sipas ekstraktit të QKR-së me borxhe.

Ermal Hoxha: Nuk kam lidhje me trafikun e drogës

0Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit komunist Evner Hoxha, ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

I marrë në pyetje për gati dy orë nga inspektorët e antidrogës menjëherë pas shoqërimit në policinë e Durrësit, Hoxha ka thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen e Elbasanit.

“Nuk e di se ku doni të dilni. Nuk kam lidhje me pyetjet që më bëni, ndaj edhe nuk mund t’u përgjigjem pyetjeve tuaja që s’kanë asnjë të vërtetë. Nuk kam lidhje me trafikun e drogës”, ka thënë Hoxha.

Mësohet se ai ka qëndruar në dhomat e shoqërimit të Komisariatit të Durrësit rreth 20 orë dhe nuk është vizituar nga asnjë i afërm dhe nuk avokati i tij.

Pasditen e djeshme, ora 16:00, 40-vjeçari është transferuar me autoblinda në Tiranë për tu marë në pyetje nga hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Komentet

Leave a Reply

Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media