Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, çfarë pritet?

0-54.jpg

Pas përfundimit të rrethit të partë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, parashtrohet pyetja se a do të kërkohen zgjedhje të reja parlamentare duke pasur parasysh rezultatin në të cilin partia në pushtet LSDM udhëheq dukshëm me numrin e komunave të fituara.

Se sa të dobishme do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare për banorët e Maqedonisë, drejtori i OJQ Democracy Lab, Sefer Selimi sqaron se qytetarët më janë lodhur nga përsëritja e zgjedhjeve të parakohshme dhe kësaj radhe ata nuk kanë asnjë do dobi nga ato, duke pasur parasysh se kriza politike u tejkalua tani më.

“Maqedonia sapo la prapa një nga krizat më të thella politike që nga mëvetësia e saj, duke krijuar një koalicion të brishtë qeveritarë, të ngritur mbi premtimet për reforma gjithëpërfshirëse dhe cilësore, të cilat do ta kthenin drejt rrugës së qartë dhe të shpejt të integrimit në UE dhe NATO. Qytetarët e Maqedonisë janë të lodhur nga përsëritja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat u bënë praktikë e qeverisë së kaluar. Përmes votës së gjerë mbështetëse ndaj partive qeverisëse në zgjedhjet e fundit lokale, qytetarët e dhanë mesazhin e mbështetjes për zotimet të cilët i mori përsipër qeveria e re dhe presin që ajo të filloj dhe të realizoj praktikisht premtimet e dhëna”, tha Selimi.

Ai shtoi se gjithashtu zgjedhjet e reja do të nënkuptojnë harxhime shtesë financiare, të cilat negativisht do të ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Zgjedhje të reja nënkuptojnë harxhime shtesë financiare, kohë e humbur dhe defokusim nga reformat e shumëpritura të cilat duhet të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Në qoftë se partitë e koalicionit qeverisës janë të sinqerta në përcaktimet e tyre brenda qeverisë, mendoj që qeveria mund të vazhdoj të funksionoj edhe me këtë shumicën të brishtë dhe të zbatoj reformat urgjente të cilat duhet të rikthejnë funksionimin e shtetit të së drejtës”, shtoi Selimi.

Nga ana tjetër analisti politik Petar Arsovski vlerësoi se nëse LSDM-ja fiton më shumë vota në këto zgjedhje lokale me gjasë vetë ajo do të kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Jam i mendimit se rezultatet e zgjedhjeve lokale do të ndikojnë në kërkesën për zgjedhje parlamentare të reja, të parakohshme. Gjithashtu edhe LSDM nëse fiton më shumë vota kësaj radhe më gjasa do të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare që të përforcojë pozitën e saj në Qeveri, duke qenë që për momentin në qeverisje janë disa koalicione”, tha Arsovski.

Ndërkaq në bllokun politik Maqedonas, në rrethin e parë, LSDM-ja ka fituar 37 komuna, ndërkaq VMRO-DPMNE tri. LSDM dhe VMRO-DPMNE do të garojnë në rrethin e dytë në 19 komuna, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët do të garojnë në pesë komuna, BDI dhe BESA në 7 komuna./Portalb

Komentet
Top