Loading...

Zyrtari i komunës së Tearcës kërcënon një qytetar

komuna-e-tearces_1520091071-9719210-696x381.jpg

Pak ditë më parë, një rast jo i zakonshëm ka ndodhur me një qytetar të komunës së Tearcës gjegjësisht të fshatit Përshefcë, të cilin një zyrtar nga komuna e Tearcës në rrugë publike haptas e ka kërcënuar.

Kohë më parë qytetari Gadaf Xhelili nga fshati Përshefcë ka kontaktuar një avokat në Tetovë, tek i cili ai ka ngritur rastin mbi sulmin dhe kafshimin që i ka bërë vajzës së tij një qen endacak, nga një grup qensh endacakë në afërsi të shkollës në fshatin Gllogjë, ku e lënduara ka qenë bashkë me fëmijët e tjerë duke shkuar në shkollë. Me këtë rast ajo dërgohet në spital, ku i bëhet trajtimi i duhur dhe i izolohet vendi i kafshuar nga qeni.

Avokati i angazhuar me lëndën nga z. Xhelili ka kontaktuar komunën dhe ka kërkuar qëndrimin e tyre në lidhje me këtë rastin e nxënëses së sulmuar nga qentë endacakë. Ai me shkresë para ngritjes së aktpadisë ka kërkuar nga komuna mbulimin e dëmit material dhe moral. Duket se kjo gjë nuk është mirëpritur nga komuna.

Prapavija: Z. Gadaf Xhelili është rritur jetim bashkë me vëllain tjetër dhe një motër. Ai në moshën tetëvjeçare ngelet pa babain. Para disa viteve i ka ndodhur edhe një ndeshje e rëndë rrugore, ku ai për tre javë ka qenë në gjendje kome, kurse vajza e tij e përmendur më sipër, ka humbur gishtin e vogël të dorës. Ai tashmë e ka marrë pak veten, por prapëseprapë ka vështirësi me sytë dhe me shëndetin në përgjithësi. Meqë ai ka dy vajza, kurse vëllai i tij gjithashtu dy fëmijë, ata janë ngushtë në një shtëpi të përbashkët me vetëm 3 dhoma. Prandaj nga disa mërgimtarënga fshati Përshefcë në Zvicër, gjegjësisht nga shoqata “Përshefca”, doli ideja që Gadafit t’ia ndërtojnë një shtëpi në gjysmën e kopshtit të tij. Mjetet në formë vullnetare po grumbullohen në Zvicër, Gjermani dhe Danimarkë, por edhe në vende të tjera.

Pikërisht kur jetimit krejt të tjerët i dalin në ndihmë, zyrtari i komunës së Tearcës L.XH., më 2 prill 2019 kalon tek vendi i punës së tij, ndalon dhe në një formë kërcënuese i kanoset. “Çfarë ke përzier punët me padinë ndaj komunës? E di se nuk ke lejen për ndërtimin e shtëpisë? Nesër menjëherë të vish në komunë të bisedojmë, se përndryshe keq i ke punët!”, me këto fjalë zyrtari në stilin e një oligarku apo si në kohërat e komunizmit ka shqetësuar një qytetar të pafajshëm dhe në një gjendje të dobët familjare. I dëmtuari për këtë gjë ka njoftuar avokatin e tij dhe ka deklaruar se ndjehet tepër i shqetësuar, i poshtëruar, i ofenduar dhe i fyer. Me këtë rast ai shprehet i mllefosur dhe plot indinjatë se është i zhgënjyer nga zyrtari në fjalë i komunës, por edhe nga vetë komuna, e cila e ka për detyrë që të kujdeset për qentë endacakë dhe të rrezikshëm, që sulmojnë fëmijët në rrugë, e jo të kërcënojë ata që ngrenë shqetësimet e tyre për rrezikun që u kanoset fëmijëve të tyre duke shkuar në shkollë. Zyrtari i komunës duhet ta ketë parasysh se kjo gjë është një shkelje ligjore, në kundërshtim me ligjin dhe se ky keqpërdorim i detyrës dënohet me ligj. Ndaj, para qytetarëve zyrtarët komunalë apo kushdoqofshin, kanë obligim të mbrojnë ata e jo t’i frikësojnë në çfarëdoformë qoftë. Shpresojmë se aktet e tilla të kërcënimeve nga ana e zyrtarëve të komunës së Tearcës do të ndalojnë, kurse organet e rendit duhet të kryejnë obligimet e tyre. Në të kundërtën, avokati i të dëmtuarit z. Xhelili do ta zgjerojë lëndën e tij, duke hapur padi ndaj secilit që vepron kundërligjshëm dhe shqetëson e ngjall frikë tek qytetarët.

 

Besim Xhelili

Vjenë, Austri

Komentet
Top
Njoftim nga Shqipmedia. Kemi kaluar në faqe të re. Kliko këtuwww.shqip.media