30% e të rinjve shqiptarë rrijnë kot

Ne_Aksion.sized_.jpg

Tiranë: Në vitin 2016, të rinjtë e moshës 15-29 vjeç as në punësim e as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional përbëjnë 30,0% të të rinjve gjithsej, raportoi INSTAT në një studim të plotë që i bëri zhvillimeve në tregun e punës për vitin 2016.

Në këtë grup, 39,2% e të rinjve janë të papunë. Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (13,1 %), ose duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (20,0%), ose për arsye të tjera (27,7%).

Duke krahasuar të rinjtë që janë as të punësuar, as në shkollë apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (50,6% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa te femrat kjo përqindje është 28,4%).

Sipas të dhënave të INSTAT, forca e punës në grupmoshën 15-29 vjeç përbëhet nga 651 mijë persona. Nga të cilët, mbi 31 mijë persona janë vetëm me arsim fillor, 259 mijë me arsim 8-9-vjeçar, 237.2 mijë me arsim të mesëm dhe 124 mijë me arsim të lartë.

Shkalla e papunësie në këtë grupmoshë ra në 28,9% nga 33,2% që ishte me 2015. Rënia vjen për shkak të reduktimit të forcës së punës për këtë grupmoshë me rreth 40 mijë persona në krahasim me vitin 2015.

Shifrat tregojnë se në grupmoshën 15-29 vjeç, rreth 26 mijë persona janë të dekurajuar, për t’u integruar në tregun e punës.

Shkalla e punësimit në këtë grupmoshë është 32%. Qarqet me punësimin më të lartë të rinjve në vitin 2016 ishin Berati, Elbasani dhe Gjirokastra. Ndërsa qytetet e Lezhës, Kukësit ofruan mundësitë më të paktë për të punësuar të rinjtë e moshës 15-30 vjeç.

Komentet
Top