8 dashuritë më torturuese, që nuk ekzistonin më parë

0-36.jpg

Kur pëlqen dikë ankthi është i pranishëm në çdo moment e çdo kohë, por sot, në epokën e rrjeteve sociale të tjera shqetësime na janë shtuar. Revista franceze “Le Nouvel Observateuer” është përpjekur të hartojë një listë të re të “torturës në dashuri”, e cila vjen si pasojë e “Facebook”, “WhatsApp”, “Tinder” etj., etj.

“Është duke shkruar”

Ju e shihni nga opsioni i lejuar që ai është duke shkruar dhe po prisni me padurim se çfarë mund të jetë vallë duke ju nisur: një kompliment, një shaka apo një ftesë për të dalë? … Por në të vërtetë jo. Në vend të kësaj, pasi keni pritur dhe pritur, në fund të ekranit të telefonit do të të shfaqet vetëm një ikonë smiley. Ose ndoshta edhe asgjë.

Online

Në “Facebook” dhe në “WhatsApp”, statusi del aktiv. Koncepti është gjithnjë njësoj: ai është aktiv në të njëjtën kohë me ju, kush e di se ç’është duke bërë, e sigurt është se juve nuk po ju shkruan! Do të jetë duke çatuar me të tjerë? Por kjo s’do të tregojë asgjë, kur e mendon mirë në “Facebook” janë edhe prindërit, të afërmit, ndërsa në “WhatsApp” mund të jetë grupi i kalçetos ku shkon apo i palestrës që ndjek. Me pak fjalë, nëse është online, do të ketë arsyet e veta. Por gjithmonë mbetet ajo pyetja që na gërryen: përsëri nuk po ju shkruan.

Një pëlqim aty, një përgjigje atje dhe kaq

Një ditë një koment në “Facebook”, një në “Instagram”. Një përgjigje në “Twitter” dhe një smiley në “WhatsApp”. Menjëherë nisin dyshimet: mos ndoshta është koha e duhur për të nisur diçka tashmë? Por e vërteta thotë jo, as kësaj radhe nuk është momenti i duhur. Dhe as tjetra nuk do të jetë, sepse asnjëherë rasti i mirë nuk do të vijë nga pëlqimet (like) në “Facebook”, komentet apo smiley-t e ndryshme.

Email-et me destinacione të ndryshme

Tortura e vërtetë është edhe kur email-i që kemi marrë nga personi që pëlqejmë, dhe që mezi e kemi pritur, nuk ishte destinuar vetëm për ne, por për një grup marrësish. Ndërsa e lexon, në pamje të parë duket si një ftesë, një ditëlindje, një mbrëmje, një festë, e cila nuk është nisur vetëm për ne, por e kundërta. Por kemi dhe variantin më të keq, sms-të. Në këtë rast, fakti se jeni një nga marrësit e sms, nuk të bën që të ndihesh shumë optimist. Në fund të sms arrin të shohësh se ajo i ishte nisur një grupi për të uruar Pashkët, Vitin e Ri apo Krishtlindjen.

Pëlqimi (like) që fshihet

Në një moment të shfaqet në ekranin e telefonit njoftimi dhe ju direkt nisni të aludoni: ndoshta i ka bërë like statusit apo fotos që keni publikuar, dhe ndërsa hapni postimin që keni publikuar, pëlqimi (like) nuk ndodhet më. Të jetë ndoshta një gabim? Në këtë rast tortura është vetëm përgjysmë. Edhe nëse mund ta ketë bërë pëlqimin (like) për gabim dhe më pas e ka hequr, mbetet ama fakti se ka qenë duke parë profilin tuaj. Eh, ndoshta një fitore e vogël, por shpresëdhënëse!

Jo i interesuar

Kjo torturë u takon atyre rrjeteve që merren me takime. Profili i tij ju përshtatet dhe ju i bëni pëlqime (like) apo superpërlqime dhe rrini në pritje. E dini se atij do t’i shkojë njoftimi dhe po prisni ndonjë koment, por asgjë nuk ndodh. Ai e ka parë profilin tuaj, por nuk është i interesuar … Një zhgënjim tjetër ky …

Fotoja e profilit

Ju ka lënë me arsyetimin se ende nuk është gati të nisë një histori, ndërsa një javë më pas e shihni se në profilin e tij është dhe dikush tjetër krahëqafë me të. Filloni të rrëmoni në të gjitha rrjetet që ai frekuenton për të parë nëse është ende beqar. Ndërsa jeni në gërrmim e sipër, ja ku del dhe fotoja në “Twitter” me një fëmijë në krah. Oh çfarë zhgënjimi!

Të “zhdukesh” nga rrjetet

Por tortura e vërtetë është fshirja nga rrjetet sociale. Kjo mund të bëhet në shumë mënyra, të pafundme. P.sh. duke bllokuar një kontakt që s’e doni në listë, duke vendosur barriera të reja të privatësisë, për t’u bërë i padukshëm ose i dukshëm, por thjesht inaktiv. Fshirja nga rrjetet sociale bëhet për të gjithë njësoj. Të jesh i paarritshëm në një epokë ku jemi të gjithë të gjurmueshëm, është vërtet një torturë.

Komentet
Top