Ahmeti: “Platforma e Tiranës”, spekulim nga presidenti Ivanov

ahmeti2-640x351.jpg

Kryetari i BDI Ali Ahmeti, i ka cilësuar si spekulime reagimet e fqinjëve ndaj platformës së partive shqiptare në Maqedoni, që u nënshkrua në fillim të këtij viti dhe u cilësua nga qarqet sllavomaqedonase si “platforma e Tiranës”

Në një intervistë për të përditshmen greke, “Kathimerini”, Ahmeti thekson se platforma “ishte në përputhje me kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, programet e gjithë partive dhe marrëveshjen e Ohrit. Presidenti Ivanov e quajti “platformë” dhe jo unë”, sqaron Ahmeti dhe vazhdon: “Si mund të flasim për platformë të “Shqipërisë së Madhe”, kur ne u referohemi marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kërkojmë të zgjidhet kontesti i emrit, anëtarësimi në NATO dhe në BE. Kërkojmë pjesëmarrjen e shqiptarëve si faktor bazik në diskutimet për zgjidhjen e kontestit të emrit, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhënie të mira ndëretnike”.

I pyetur nga gazetari grek, Stavros Tzimas, nëse ekziston çështja e Shqipërisë së Madhe apo kjo është një propagandë e Serbisë, Ali Ahmeti përgjigjet se këto janë reminishenca të propagandës serbe që datojnë qysh para 36 vjetësh, (duke patur parasysh periudhën e demonstrateve në Kosovë, në vitin 1981).

“Çfarë kërkojmë ne? Kërkojmë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, me qëllim që shqiptarët të mos jemi këtu si “qeraxhinj”, por autoktonë në vatrat tona. Kërkojmë gjithashtu që Kosova të njihet si shtet dhe Shqipëria të ketë stabilitet dhe paqe. Këto tre vende, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, të jemi të tre në NATO. Kërkojmë që Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, të jenë në një Europë të madhe, që shtrihet nga Athina deri në Stokholm”, thekson Ali Ahmeti.

Lideri i BDI kërkon që Athina zyrtare të mos pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me emrin provizor FYROM, duke theksuar se kjo është në dobi të të gjitha palëve.

Do të thoja që Greqia mund të japë konsensusin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO me emrin FYROM. Dhe në vazhdim, zgjidhja përfundimtare do të mund të gjendej me anëtarësimin e Maqedonisë në BE”, ka nënvizuar Ahmeti.

Vërejtjes së gazetarit që vendimi i samitit të Bukureshtit në vitin 2008, e kushtëzon anëtarësimin e Maqedonisë me zgjidhjen e çështjes së emrit, kryetari i BDI i përgjigjet me një theksim të zhvillimeve aktuale globale.

“Zhvillimet gjeopolitike janë të rrufeshme dhe Greqia nuk mund të mos e marrë parasysh këtë”.

Ali Ahmeti thekson se zgjidhja e çështjes së emrit përbën një nga prioritetet më të mëdha.

“Jemi fqinjë dhe e ardhmja jonë e përbashkët është në BE. Greqia duhet në këto momente të jetë flamurtare, të jetë ajo që do të na prijë edhe neve në rrugën drejt BE-së”.

Kryetari i BDI, pjesëtare e koalicionit qeveritar, vë në dukje gjatë intervistës se Maqedonia nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Greqisë. “Dua të garantoj Greqinë se asnjë kërcënim nuk ka për t’i ardhur nga fqinji i saj verior…. Ashtu sikurse ne nuk shohim asnjë kërcënim ndaj nesh nga Greqia, e shohim Greqinë si fqinjen tonë”.

I pyetur mbi situatën aktuale në vend, Ali Ahmeti shpreh besimin e tij se nuk ka rrezik për marrëdhëniet ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe sllavomaqedonasve. “Po shoh se ka nga të gjithë një qëndrim konstruktiv. Ndërkaq, gjithçka do të varet nga menaxhimi i suksessshëm i situatës prej qeverisë.

Gjithsesi, nuk besoj se me ato zhvillime (pas zgjedhjeve) u traumatizuan marrëdhëniet ndëretnike, por mendoj se duhet ta menaxhojmë me shumë kujdes situatën”, thekson Ali Ahmeti në intervistë për të përditshmen greke “Kathimerini”.

Komentet
Top