Anketa e IRI-it: BESA dhe BDI kanë rejting të njëjtë

iri1_1.jpg

Nëse nesër do të mbaheshin zgjedhjet parlamentare për Lëvizjes BESA do të kishin votuar 7 për qind e qytetarëve, ndërsa po aq edhe për BDI-në. “Aleanca për shqiptarët” dhe PDSH kanë mbështetje vetëm nga dy për qind.
Kështu tregon anketa më e re e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), e realizuar në periudhën prej 4 deri 12 mars të këtij viti. Në anketën kanë marrë pjesë 1.108 qytetarë.

Në kampusin maqedonas, sipas IRI-it, për VMRO-DPMNE-në do të kishin votuar 27 për qind e të anketuarve, ndërsa 17 për LSDM-në.

Mes tjerash njëra ndër pyetjet të cilën e ka parashtruar IRI në anketën e saj ka qenë edhe ajo se cili lider politik është më i besueshëm për ta.

Tek blloku shqiptar, Ali Ahmeti dhe Bilall Kasami kanë rejting të njëjtë, nga 5 për qind.

Ajo që vërehet është fakti se rejtingu i kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami është vazhdimisht në rritje. Në prill 2016 rejtingu i Kasamit, sipas IRI-it, ka qenë 3 për qind, në nëntor ka qenë 4 për qind, ndërsa tani në mars të këtij viti, rejtingu i Kasamit është 5 për qind.

Ali Ahmeti në prill të vitit 2016 ka pasur rejting prej 4 përqind, ndërsa në nëntor rejtingu i tij ka qenë 6 për qind. Tani sipas anketës, në mars të këtij viti rejtingu i Ahmetit është 5 për qind.

Lideri i LR PDSH-së, Ziadin Sela ka rejting prej 3 për qind, ndërkaq Menduh Thaçi 1 për qind.

Të pyetur se për cilin politikan kanë mendim pozitiv, ndërsa për cilin kanë mendim negativ, 14 përqind nga të anketuarit kanë thënë se kanë mendim pozitiv për Bilall Kasamin, kryetarin e Lëvizjes BESA, 12 për qind për Ali Ametin dhe vetëm 7 për qind për Menduh Thaçin. Mirëpo, mendim negativ për numrin një të BDI-së kanë 76 për qind e të anketuarve, ndërkohë që 78 për qind kanë mendim negativ për kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçin.

Në pyetjen se cilat janë dy problemet më serioze me të cilat përballet Maqedonia, 45 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se situate momentale politike dhe kriza politike, 37 për qind kanë theksuar papunësinë, 23 për qind standardin e keq të jetesës, ndërsa 18 për qind krizën politike.

Në pyetjen nëse presidenti Gjorge Ivanov do të duhet të japë mandatin për formimin e Qeverisë së re, 58 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, 22 janë kundër, për 12 për qind varet prej pasojave që do t’i kishte shkaktuar në vend, ndërsa për 5 për qind varet prej asaj se kush është mandatar. Pa përgjigje kanë mbetur 10 për qind e të anketuarve.
IRI ka realizuar anketë edhe sa i përket punës së kryetarëve të komunave.

Pesëdhjetë e një për qind e të anketuarve janë deri diku ose shumë të pakënaqur me punën e kaluar të kryetarëve të komunave, kurse 47 për qind shprehën qëndrimet e njëjta ndaj këshillave komunal. Dyzet e gjashtë për qind raportuan se ishin gjithashtu të pakënaqur edhe nga administrata e tyre lokale. Në numër më të madh (37 për qind) janë të anketuarit që mendojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e gabuar, 35 për qind janë neutral, dhe vetëm 23 për qind konsiderojnë se komuna e tyre është duke lëvizur në drejtimin e duhur.

Sa i përket pyetjes mbi integrimin evropian, shumica dërmuese përkrah anëtarësimin në BE (72 për qind) dhe NATO (71 për qind).

Komentet
Top