Asnjë denarë për rrugën Shkup-Bllacë, premtim i BDI-së në zgjedhjet e fundit

0-63.jpg

Me rishikimin e Buxhetit për këtë vit, i cili të premten u miratua nga Qeveria dhe që së shpejti do të gjendet për shqyrtim para deputetëve në Parlament, aspak asnjë qindarkë nuk parashihet për autostradën Shkup-Bllacë.

Edhe pse Kosova në pjesën e saj e ka afruar lidhjen me Maqedoninë pothuajse deri në kufi, te ne vazhdon përralla e njëjtë, edhe pse në programin qeveritar të LSDM-së si prioritet gjendet pikërisht kjo rrugë. Njëjtë ishte gjatë tetë viteve të kaluara. Askush nga ministrat e BDI-së, nuk ka informacion se pse rruga Shkup-Bllacë nuk parashihet me rishikimin e buxhetit.

As nga zëvendësministrja e financave Shirete Elezi pas shumë kontakteve telefonike nuk arritëm të mësojmë se me çfarë parash do të ndërtohet rruga Shkup-Bllacë, të cilën plotë 8 vite BDI në pushtet e ka paralajmëruar. Përkundër kësaj, kryeministri Zoran Zaev të premten gjatë prezantimit të rebalancit tha se për të gjitha rrugët e filluara dhe ato të planifikuara, do të sigurohen para.

Ndryshe, Buxheti i vitit 2017 i miratuar nga Qeveria e mëparshme me rishikim është zvogëluar për rreth 45 milionë euro. Me rishikim të hyrat deri në fund të këtij viti të paraparë me buxhetin paraprak nga 187,6 miliard denarë, ulen në 184,7 miliard denarë. Të dalat janë zvogëluar nga 206,2 miliard denarë në 203,3 miliard denarë ndërsa deficiti mbetet i njëjtë në 18,6 miliardë denarë apo rreth 302 milion euro. Më rishikim e buxhetit të vitit 2017 më shumë para ka fituar Ministria e Shëndetësisë dhe at 4, 4 milion euro më shumë ndërsa shkurtim më të madh të buxhetit për 21 milion euro ka për Ministrinë e Arsimit. Më pak buxhet me rishikim parashihen edhe për Ministrinë e punëve të brendshme dhe at 6.7 milion euro më pak. Më pak para për harxhime me rishikim do të kenë edhe ministria e mbrojtjes. arsimit, financave, drejtësisë, transportit, ndërsa buxhet më ta lartë do të kenë ministria e punës dhe politikës sociale dhe at 1.2 miliard euro, ministria e bujqësisë si dhe ministria e punëve të jashtme.

Pas miratimit të buxhetit nga ana e Qeverisë kryeministri Zaev deklaroi se revidimi i buxhetit për 1.5 për qind gjegjësisht rreth 45 milion euro më pak se Buxheti i vitit 2017 është projektuar në bazë të hyrave dhe të dalurave gjatë 6 muajt të parë të këtij viti. “Alokimi i mjeteve plotësuese prej 1.245 milion denarëve për Fondin për sigurim pensional shkojnë për sigurimin të rregullt të pensioneve dhe shpenzimeve në shtyllën e dytë të pensionit si dhe 200 milion denarë për pagesë të rregullt të ndihmave sociale. Gjithashtu me zvogëlimin e 10 për qind të shpenzimeve jo produktive të Qeverisë siç janë udhëtimet zyrtare, promovime ekonomike, reklamime do të sigurohen mjete shtesë për rritje e rrogës minimale prej 12 mijë denarëve e cila do të fillon të paguhet nga 1 shtatori i këtij viti.

Me shkurtim të këtyre mjeteve rreth 70 mijë të punësuar do të marrin rrogë minimale prej 12 mijë denarëve. Njëherësh do të dëmshpërblehen rreth 3000 punëtorë të falimentuar si dhe 60 milion denarë do të shkojnë për pushime vjetore për ata punëtorë që kanë rroga më të ulta se 12 mijë denarë”, deklaroi kryeministri Zaev. Me rishikimin e buxhetit Qeveria parasheh huamarrje pre 20.796.000.000 denarë ose 340 milionë euro dhe pjesa më e madhe e këtyre parave do të shfrytëzohen për financimin e nevojave buxhetore për vitin 2017. Një pjesë e këtyre parave do të shkojnë për pagesën e këstit të parë të kredisë prej 95 milionë euro huazuar në vitin 2013 ndërsa pagesa duhet bëhet më 29 janar të vitit 2018. Sa i përket huamarrjen në tregun financiar ndërkombëtar Qeveria planifikon të huazon rreth 300 milionë euro.


VMRO DHE LSDM PËRPLASEN PËR RIBALANCIN

“Qeveria e LSDM-së duhet të fillojë të punojë dhe të përmbush premtimet që ju dha qytetarëve dhe jo të luajë dhe t’i kërcënojë. Për këto muaj ajo që ka arritur qeveria është mbushja e institucioneve shtetërore me anëtarë të LSDM-së dhe kuadro jokompetent të Sorosit”, thanë nga VMRO-DPMNE-ja përmes një komunikate me shkrim. Nga VMRO-ja thonë se LSDM-ja paralajmëroi rritje të investimeve kapitale, ndërsa me rebalancin e buxhetit sipas tyre, të njëjtat janë shkurtuar për 3 miliardë euro.

“Me këtë vërtetohet se qeveria e LSDM-së nuk është reformuese, por anti-reformuese. LSDM duhet t’ia fillojë punës, pasi qytetarët presin përmbushje të premtimeve për pagën minimale prej 16 mijë denarësh dhe mesatare prej 30 mijë denarësh. Pensionistët presin pensione më të larta, ndërsa mjekët presin paga prej 100 mijë denarësh”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. Ndërkohë menjëherë nga LSDM u përgjigjen se rebalanci i buxhetit i përgjigjet nevojave të qytetareve.

“VMRO-DPMNE për 11 vite ka manipuluar opinionin me projekte të rrejshme dhe jo reale për rritjen ekonomike të Maqedonisë. Me rebalancin, qeveria e udhëhequr nga LSDM tregoi se hapat e ardhshëm do të bazohen në themele reale. Projektet për investime kapitale deri tani janë dhënë në dorë, që të duken dhe tingëllojnë më bukur, por në realitet kanë qenë plane jo reale. Për këtë arsye janë shkurtuar ato plane reale, të cilat edhe pa rebalancim nuk do të realizoheshin”, thuhet në kumtesën e LSDM-së. Nga LSDM thonë se, qeveria e re përmes rebalancit të buxhetit ka filluar të përmbush premtimet për më shumë para për qytetarët. “Me ndarjen e re do t’u ndihmohet firmave që të paguajnë pagën minimale prej 12 mijë denarëve për rreth 70 mijë qytetarë, prej muajit shtator”, përfundojnë nga LSDM.

Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade ishte premtim i BDI-së edhe në zgjedhjet e fundit. Në kuadër të fushatës zgjedhore, Artan Grubi dhe Ejup Alimi nga kjo parti gjatë një paraqitje kanë premtuar ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë si një nga projektet më të rëndësishme të BDI-së, por nuk është përmendur asnjë afat se kur do të ndërtohet./Koha

Komentet
Top