Autostrada Kërçovë-Ohër, gabimi që kushton miliona euro – VIDEO

kicevo-ohrid9-640x423.jpg

Autostradat Milladinovc – Shtip dhe Kërçovë – Ohër të cilët Qeveria e VMRO DPMNE-së i shpalli si historike, po kthehen në puse pa fund. Kredia kineze prej gati 580 milionë eurove, ka gjasa të mos mjaftojë për ndërtimin e dy rrugëve. Kjo vlen sidomos për pjesën Kërçovë-Ohër, ndërtimi i së cilës ka ngecur. Këtë situatë e konfirmoi edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski në një intervistë për emisionin “Magazina ekonomike” në Alsat M, duke thënë se dokumentet e projekteve në vende të caktuara nuk përkojnë me gjendjen në terren.

Unë mendoj se edhe në pjesë të caktuara nuk janë paraparë as lidhje rrugore. Për më tepër edhe shpronësimi është problem, edhe atë problem i madh. Gjithashtu kemi një problem të madh me zhvendosjen e objekteve të energjisë. Bëhet fjalë për problem të madh dhe kam frikë, unë nuk dua askënd ta frikësoj, por patjetër qytetarëve tua them të vërtetën se kjo rrugë shtetit mund ti kushtojë para shtesë- deklaroi Goran Sugareski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ndërtimi i dy autostradave filloi në vitin 2014. Ministri i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve, Vllado Misajllovski, i cili kryesoi me ministrinë deri 20 ditë më parë refuzon përgjegjësinë për problemin. Në një deklaratë për Alsat M thotë se tre autostradat që i filloi qeveria e mëparshme janë realizuar pa ngecje deri në ditën e fundit të kryesimit me ministrinë.

Në ndërtimin e tyre janë përfshirë të paktën 2.000 të punësuar, me makineri aktive të pranishme në terren. Për çdo situatë të re dhe menaxhim të saj ju lutem drejtohuni te ministri aktual. Porosis që Qeveria e re në vend se të krijojë alibi, të përkushtohet në mënyrë aktive në përballjen me sfidat që dalin nga zbatimi i projekteve të tilla të mëdha, të cilat duhet të tejkalohen në baza ditore– tha Vllado Misajlovski, ish ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Ndërkohë Ndërmarrja Publike “Rrugët shtetërore”, e cila është drejtpërdrejt përgjegjëse për ndërtimin, hesht. Nuk ka përgjigje çfarë po ndodh në terren dhe në qoftë se ka një vlerësim për sa milionë euro do të rritet çmimi i dy rrugëve me një gjatësi totale prej 104 kilometrash. Autostradat i ndërton kompania kineze “Sinohydro”. Prokuroria Speciale për këtë tender hapi rastin e quajtur “Trajektorja”, ku i dyshuari kryesor është ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Ai dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë janë të dyshuar se projektin në mënyrë jolegale ia kanë dhënë kompanisë kineze dhe në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 155 milionë euro.

Komentet
Top