Babai i tetovarit të mbytur në Vlorë tregon si e mësoi lajmin e kobshëm

573ff6c7a6f0dbf796e74563dd233af0_XL-696x575.jpg

Ishte hera e parë që kishte ardhur në Shqipëri. Kishte vendosur disa ditë të qëndronte në Vlorë e madje dita fatale e jetës së tij ishte dita e parë që ai hynte në det në vendin tonë. Ishte bërë 24 vjeç, por kishte punuar dhe madje edhe nisur fakultetin me pak vonesë pasi i ishte dashur të punonte, shkruan sot Shekulli

Kishte marrë të fejuarën dhe kishte vendosur të kalonte nëpër Shqipërinë që e duan dhe e deshi aq shumë dhe më pas të kalonte nëpër Tiranë, e nga aty sërish në punë dhe më pas edhe në vitin e dytë fakultet… Por nuk qe e thënë! Jeta e tij u nda në mes në një forma që ai në fakt e kishte bindur dhe mësuar veten? të jetë në ndihmë të të tjerëve! Ky është përfundimi që të jepet të mendosh kur dëgjon pas telefonit zërin që dridhet të një burri që sapo ka mbuluar me dhe` të birin e tij, të nisë bisedën:

“Së pari, më lejoni tu shpreh ngushëllime familjes së dy vajzave nga Vlora!”. Duket i dorëzuar në fatkeqësinë që do ta mundë, por ai dhe kushdo që dëgjoi për aktin e tij, s`mund të mos i thotë njëherë të vetme: Faleminderit Benjamin!
Biseda
Fadil Ferati është i ati i Benjaminit, djalit që mesditën e së shtunës hyri në Zvërnec të shpëtonte dy gra por nuk ia arriti dot të shpëtonte ato e as veten e vet. Familja e tij, na thotë Fadili, e kanë mësuar ngjarjen nga e fejuara e tij, e cila edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga ajo ngjarje e tmerrshme për të dhe jetën e saj, nuk është në gjendje të shpjegojë se çfarë ka ndodhur përveç se atij momenti që nuk ka mundur të shquajë më mbi ujë Benjaminin e saj. Ajo ka mundur të tregojë se pasi është kthyer në breg që ka sjell njërën grua është futur të kapë tjetrën. E ka parë diku për rreth 10 minuta, për të mos e parë më…

Fadil Ferati flet dhe i dridhet zëri. E ka të vështirë edhe pse e di që duhet të ndjehet krenar për aktin e të birit që nuk rron ma. Ai shton: Benjamini ishte ashtu siç edhe iku. I madh dhe i pastër në shpirt. I gatshëm të bëjë gjithçka për tjetrin. Gjithmonë ka qenë kështu…”­ e zëri nis ta “tradhtojë” nga pas telefonit, por që do të flasë, do të thotë disa gjëra për birin e tij, që e ka përcjellë për në banesën e fundit.

Burri nga Tetova e Maqedonisë duket se ndjen të njëjtën dhimbje për familjet e viktimave që nuk arriti dot të shpëtonte biri i tij. “Fatkeqësi e madhe për ata dhe për mua! Ndjej dhembje të thellë për ta dhe ju shpreh ngushëllime të sinqerta! Qenka hall i madh!”.

Në fakt, ai nuk di të ndalojë për asnjë moment të analizojë përsenë e aktit të djalit të tij, i cili, pasi ka nxjerrë njërën grua të mbytur në breg, e cila fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte, hyri në thellësi të kapte tjetrën, në një thellësi të papërcaktuar, pasi valët kishin qenë të çmendura në atë zonë ku ishte vendosur për herë të parë në Shqipëri Benjamini bashkë me dashurinë e jetës së tij! E nëse ndalon ta pyesësh se kush ishte djali i tij, Fadili tregon se ai ishte në Fakultet dhe kishte mbaruar vitin e parë. E kishte nisur me pak vonesë, pasi Benjanimin punonte në Bosnje. Madje edhe kur ka ardhur në Shqipëri ai kishte ardhur direkt nga puna dhe kishte vendosur të rrinte pak ditë në bregdet.

“Ishte hera e parë që ai vinte në Shqipëri. Ishte vetëm me të fejuarën. Erdhi në Vlorë një ditë më parë dhe ka qenë dita e parë në det, dita e tragjedisë! Ai ka punuar shumë dhe tashmë ishte edhe në shkollë e ndaj nuk kishte qenë po unë kam miq dhe dashamirës pafund në Shqipëri. Ne e kemi patur dhe e kemi gjithnjë ëndërr Shqipërinë tonë!”
I ati i Benjaminit tregon se lajmi i keq përhapet shpejt, ashtu siç edhe u mor vesh fundi tragjik i djalit të tij. “E fejuara na telefonoi. E morëm vesh nga ajo por ajo ende nuk e ka marrë veten. Është e traumatizuar edhe ende nuk e kemi kuptuar krejtësisht se si ndodhi, por tashmë çfarë rëndësia ka. Benjamini nuk është më po la një vepër të mirë. Për vepra të tilla u mësua gjithnjë në jetë dhe ashtu bëri!”

Fadili e ka të vështirë ta vazhdojë bisedën por sërish në mbyllje nuk harron të sjellë në mendje fatkeqësinë e përbashkët me familjet e dy viktimave që nuk mundi tua shpëtonte jetën djali i tij!

E shtunë, 15 korrik!

Ndërsa Vlora kishte pësuar një tronditje të fortë orëve të paradites teksa një djalë kishte humbur jetën sërish në dallgët e detit, në mesditë, nga Zvërneci alarmi i një vdekjeje të shumëfishtë tronditi gjithë opinionin publik. Asnjë roje bregdetare, asnjë sistem shërbimi apo ndërhyrjeje në momente të vështira për pushuesit solli humbjen e tri jetëve, në moshën më të mirë. Dy gra të martuara, nënë fëmijësh dhe një djalë mbeten të pajetë në dallgët e detit, ndërsa policia ka shkuar në kohë kur, asnjë nga të tre nuk kishin më frymë. Dy gratë, që ishin nuse dhe mbesë shtëpie në Vlorë kishin shkuar në plazh bashkë me dy fëmijë, ndërsa njërën e ka marrë dallga, tjetra ka kërkuar ndihmë dhe ka hyrë në det ta ndihmojë mbesën e burrit të saj. Por më kot. Pas tyre është nisur Benjamini? ka nxjerrë mbesën në breg dhe është kthyer të marrë nusen e shtëpisë, por ka qenë e pamundur të mposhtë tërbimin e Adriatikut atë ditë fatale që më pas bëri që gjithë vëmendja e krejt opinionit publik të kthehej tek braktisja e plazheve nga ana e autoriteteve përgjegjëse./Shekulli

Komentet
Top