Çdo i dyti nga të rinjtë synon të braktis Maqedoninë

ademi.jpg

Në objektin “Çifte Hamam” të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në organizim të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim ndërkombëtar “Civica Mobilitas” u mbajt forumi me temë “Sfida, perspektiva dhe potenciale të emigracioneve” në të cilin u diskutuan shpërngulja dhe mobiliteti i të rinjve, mjekëve dhe artistëve, ndikimi i emigracioneve në sektorin afarist dhe në sektorë të tjerë si dhe roli i sektorit qeveritar në adresimin e emigracioneve.

Forumi ishte i ndarë në disa panele, ndërsa ndër shumë panelistë nga shoqatave të ndryshme civile nga mbarë vendi mysafirë ishte edhe ministri pa resor i Qeverisë së Maqedonisë i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi. Ai theksoi se Qeveria e Maqedonisë për herë të parë në historinë e saj të pavarësisë, marrëdhëniet mes shtetit dhe emigrantëve jashtë Maqedonisë i ka ngritur në nivel politik me emërimin e një ministri të angazhuar për diasporën.

Sipas tij, me emërimin e një ministri të angazhuar për diasporën Qeveria tregon se diaspora ka një rëndësi të madhe për shtetin e Maqedonisë. Në pyetjen se çfarë masash do të ndërmerr qeveria për të parandaluar shpërnguljen e numrit të madh të të rinjve nga Maqedonia në shtetet evropiane, Ademi tha se në kohën e sotme është vështirë të parandalohet shpërngulja, por se e rëndësishme është të krijohet një strategji për bashkëpunim me diasporën, që të përdoret kapaciteti i tyre për zhvillimin e Maqedonisë.

“Jemi në shekullin 21 dhe globalizimi e bën të veten, pasi që shpërngulja është proces normal në mbarë botën, jo vetëm tek ne, por kjo ndodh edhe nga vendet e varfëra në të pasurat, edhe nga vendet e pasura në të pasurat. Mirëpo, në këtë periudhë është e rëndësishme të kemi të dhëna të sakta sa qytetarë tanë kemi jashtë shtetit, edhe atë jo vetëm numrin e përgjithshëm, por edhe cilës përkatësi etnike i përkasin, gjinisë dhe profesionit. Kështu që, shteti kur të ketë nevojë për mbështetje nga njerëz që punojnë në institucione të rëndësishme jashtë vendit ata të mund të jenë në shërbim të zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë tonë”, deklaroi Ademi, duke shtuar se “shpërngulja më masive nga pjesa jug-perëndimore e vendit, pjesa juglindore është boshatisur”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Rinore – Krushevë, Metodija Stojçevski, i cili dy vitet e fundit hulumton çështjen e shpërnguljes së të rinjve nga Maqedonia, bëri të ditur se sipas hulumtimeve të shoqatës së tij çdo i dyti i ri synon të largohet nga Maqedonia.

“Të gjitha zonat më të vogla dhe më të mesme të Maqedonisë kanë problem me shpërnguljen e të rinjve. Në periudhën e kaluar të rinjtë më shpesh shpërnguleshin brenda shtetit, nga një zonë më e vogël në një zonë më të madhe, më së shumti në Shkup. Mirëpo, aktualisht ky trend është transferuar në shpërngulje jashtë shtetit”, deklaroi Stojçevski.

Stojçevski theksoi se shpërngulja e të rinjve ndodh më shumë nga qytetet jug-perëndimore të vendit, ndërkohë shtoi se nga qytetet veri-lindore të vendit tashmë të gjithë të rinjtë janë shpërngulur brenda dhe jashtë shtetit. Shkaqet e shpërnguljes, siç tha Stojçevski, janë ekonomike dhe në kërkim për punësim dhe kushte më të mira për jetesë.

Komentet
Top