Ç’patën me Katarin?

lead_960-696x464.jpg

Nga Albert Çaçi

Nuk kanë kaluar as dy javë nga vizita e Trump në Riad dhe ku gjithë vendet sunite të Gjirit Persik pozuan para masmedieve botërore një imazh bashkimi dhe vendosmërie për të luftuar terrorizmin dhe krijimin e një aleance ushtarake që dukej qartë që do të drejtohej kundër Iranit. U nënshkruan kontrata të rangut 380 miliardë​ dollarë, nga të cilat, 110 miliardë​ për t’u armatosur deri në dhëmbë. Nën udhëheqjen e saudëve, blloku sunit i demonstroi bllokut shiit dhe gjithë botës se janë më të fortë se kurrë, se kanë mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe Irani këtej e tutje duhet të bëjë shumë kujdes në veprimet e tij.

Por si rrufe në qiell të hapur , 7 vendet sunnite ndërmarrin një veprim të paprecedentë ndaj njërit prej tyre, në dukje i vogël, por ndoshta më i pasuri nga të gjithë dhe më aktivi në politikën rajonale – Katarit.

Ata ndërpresin në bllok marrëdhëniet diplomatike, mbyllin kufirin tokësor të gadishullit të Katarit, ndërpresin të gjitha fluturimet ajrore, ndalojnë trasmetimin e AL Jazeera-s.

Akuza -Katari mbështet terrorrizmin.

Një veprim të tillë të rrufeshëm për një ultimatum 24-orësh nuk e ndërmori as fuqia më e madhe e botës, SHBA, kur u sulmua më 11 shtator 2001 nga terroristët.

Ky veprim ka shkaktuar një çoroditje totale në gjithë kanceleritë e botës dhe duket qartë që nuk është një veprim i konsultuar me ta, por Arabia Saudite ka vepruar me inisiativën e saj.

Por problemi nuk është kaq i thjeshtë sa duket, pasi tani këtu shtrohen disa pyetje që kanë vënë në siklet sidomos Perëndimin.

-Së pari, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të konfirmojë Katarin si shtet që mbështet terrorrizmin dhe do të vendosë sanksione që në këto raste janë radikale?

-Për çfarë mbështetjeje grupesh terrorriste bëhet fjalë, për ata në Irak, Siri, Libi, Egjipt apo për grupet terroriste që po terrorizojnë Evropën Perëndimore?

-Si do të vazhdojnë vendet perëndimore marrëdhëniet me këtë shtet që mbështet terrorrizmin, kur ata që e akuzojnë nuk janë Rusia apo Irani, por vendet që deri dje konsideroheshin vëllezër sunit?

-Ç’do të bëhet me investimet kolosale të rangut miliarda dollarë që Katari ka investuar në Perëndim?

-Ç’do bëhet me komandën amerikane që e ka qendrën në Doha dhe ku janë dislokuar 11 000 ushtarë amerikanë se, me logjikë, kjo komandë nuk mund të rrijë më në një vend që sponsporizon terrorizmin ndërkombëtar?

-Ç’do të bëhet me kontratat miliardshe të blerjes së armëve pasi nuk mund të armatoset një vend që mbështet terrorizmin?

-Ç’do bëhet me gazin e Katarit, pasi ky është eksportuesi nr.1 në botë për gazin e lëngshëm GNL?

-Ç’do të bëhet me kampionatin botëror të futbollit të vitit 2022, pasi një vend që mbështet terrorizmin nuk mund të organizojë një aktivitet të tillë?

-Vetëm Katari qenka ai që mbështetka terrorizmin sunit në Lindjen e Mesme, apo ka edhe të tjerë që e kanë vendosur ta bëjnë atë kokë turku?

Se ka edhe disa pyetje shumë të rënda që popullsia në Evropën Perëndimore po ia bën dhe po i vë në një siklet të jashtëzakonshëm qeveritë e tyre dhe përgjigjet nuk mund të fshihen më. Kush i financon këta terroristë që po shkatërrojnë jetën e tyre në Evropë? Si ka mundësi që ISIS për 5 vjet financon një ushtri deri 50 000 vetë me armë, ushqime, me paga dhe me gjithë angazhimin e shumë vendeve perëndimore në një koalicion antiisis, ai nuk po zhduket? Një ushtri me 50 000 vetë operative në terren nuk e mbajnë dot shtete të fuqishme për kaq shumë kohë dhe jo më këto grupe terrorriste. Pra duket qartë se dikush i financon dhe jo pak.

Fakti që ky veprim erdhi menjëherë mbas atentateve në Manchester dhe Londër apo Paris, tregon se ca të vërtetave tanimë nuk mund t’u fshihen më.

A e mendoi mirë këtë veprim Arabia Saudite apo veproi në një moment nervozizmi, tanimë kjo nuk ka rëndësi pasi siluri doli dhe gjërat nuk kanë për të qenë më si më parë.

Por një gjë duhet kuptuar, që Katari nuk është Koreja e Veriut, Sudani apo Somalia që mund t’i vendoset kaq lehtë embargo.

Katari është një shtet në gadishullin e Katarit, në Gjirin Persik, me një sipërfaqe prej 11 437 km katrorë dhe me një popullsi prej 2 milionë​ e 350 mijë banorë. Llogaritet që rreth 2 milionë​ janë punëtore të huaj me paga shumë të ulta, kryesisht indianë dhe pakistanezë. Ka një GDP në terma PPA (paritet të fuqisë blerëse) prej 185 miliardë​ dollarë dhe ka të ardhurat për frymë më të larta në botë, 132 000 dollarë. Zotëron pasuri energjetike nga më të lartat në botë dhe për prodhimin e gazit të lëngshëm GNL zë vendin e parë në botë.

Katari ka një fond sovran (Qatar Investment Authority) nga më të mëdhenjtë e botës me një vlerë mbi 300 miliardë​ dollarë dhe zotëron aksione në kompanitë më të mëdha të botës, që nga Volkswagen tek Tiffany, nga Credit Suisse te Barclays i Anglisë, nga Rosnefti rus tek Citic China.

Është aksionist i maxhorancës i London Stock Exchange që nga ana e saj kontrollon bursën e Milanos. Ai zotëron lagje të tëra në Manhattan, është pronari më i madh mobiliar i Singaporit, zotëron magazinat Harrods të Londrës, biles është edhe sponsor i Barcelonës në futboll. Zotëron televizionin më të madh të botës arabe AL-Jazeera, një lloj CNN-i arab.

Në Katar ndodhet baza amerikane e Al-Udeidi, që është selia qendrore e CentCom, qendra e Komandës amerikane për gjithë Lindjen e Mesme, ku janë dislokuar 100 avionë të US Air Force, bile dhe avionët e tyre më të mirë, F-22, si dhe 11 000 ushtarë amerikane dhe britanikë. Kjo bazë ka kushtuar miliarda dollarë dhe është garanci për mbrojtjen ushtarake të Katarit. Që këtu drejtohen të gjitha operacionet anti-ISIS në gjithë Lindjen e Mesme.

Katari ka nënshkruar se fundi një marrëveshje ushtarake me Turqinë, që Parlamenti Turk e miratoi jo rastësisht dje me urgjencë për dislokimin e 5000 ushtarëve turq në Katar dhe Turqia është angazhuar ta mbrojë Katarin ushtarakisht.

Tani ky shtet akuzohet botërisht si sponsor i terrozizmit. Po cilat janë arsyet se pse i dolën petët lakrorit?

Së pari, problemi është politik.

Që Katari është përzier deri në grykë në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Lindjen e Mesme, që nga nisja e Pranverës Arabe në Tunizi, Libi, Egjipt, Siri dhe ka derdhur miliarda dollarë, kjo është jashtë çdolloj diskutimi. Por problemi është se Katari mbështet dhe financon grupimin më të madh dhe më të vjetër të botës arabe sunite, Vllazërinë Myslimane, të cilët janë shpallur jashtë ligjit nga Arabia Saudite që mbështet grupime të tjera salafiste radikale. Problemi i Vllazërisë Myslimane është se ata konsiderohet si degë e Islamit politik, pra që kanë një program politik qeverisës dhe nuk janë si grupet e tjera terroriste që thjesht iu shërbejnë padronëvë në këmbim të parave. Për këtë konsiderohen si shumë të rrezikshëm nga saudët.

Katari mbështet hapur Hamasin palestinez, të konsideruar grupim terrorrist nga Izraeli dhe Perëndimi dhe ata kanë selinë në Doha. Po kështu, të rrezikshmit talebanë të Afganistanit kanë të vetmen përfaqësi jashtë vendit në Doha të Katarit dhe askush nuk është shqetësuar deri tani.

Me nisjen e Pranverës Arabe, Vllazëria Myslimane ndërroi pushtetin në Tunizi direkt me mbështetjen e Katarit. Në Libi ishte Vllazëria Myslimane që me mbështetjen e tij dhe të Turqisë rrëzuan Gedafin dhe mbështetin qëverinë e Al Sereijt, që për më tepër, sot ka mbështetjen e OKB-së, Arabia, si kundërveprim me Egjiptin, mbështetën Haftarin që ka zaptuar gjysmën e Libisë.

Por ajo që e xhindosi Arabinë Saudite ishte mbështetja e Katarit për Morsit në Egjipt, ku Vllazëria Myslimane ishte më e fortë se kudo. Morsi largoi Mubarakun dhe mori pushtetin dhe Vllazëria triumfoi duke rrezikuar direkt që radha tani do t’i vinte vetë saudëve. Arabia nuk mund të pranonte një poshtërim të tillë, që vendi më i madh arab të kontrollohej nga Katari dhe organizoi grushtin e shtetit, ku gjenerali Al- Sisi rimori pushtetin. Këtu saudët i kërkuan me forcë Emirit të Katari, Al-Thani, të abdikonte dhe t’ia kalonte pushtetin djalit, Tamim bin Hamad Al -Thani, që është sot Emiri në fuqi, përndryshe do t’i bënin atë që po i bëjnën sot, bile edhe atëherë i ndërprenë për 8 muaj marrëdhëniet diplomatike.

Al Thani pranoi, u largua, i biri mori pushtetin dhe gjakrat u qetësuan në njëfarë mënyre. Të dyja vendet janë përfshirë me shuma kolosale në luftën për rrëzimin e Assadit në Siri, ku këtu gërshetohen urrejtja për shiitët me problemin e gazsjellësit. Katari demonstron hapur një pavarësi dhe nuk ndjek shembullin e Bahreinit, shtetit tjetër të vogël që është një satelit i saudëve. Duke qenë me mazhorancë shiite, të cilët kanë ndërmarrë revolta të dhunshme, Arabia ka ndërhyrë ushtarakisht në Bahrein duke i shtypur me dhunë. Ajo që i nervozon shumë saudët është se Katari ndjek një politikë të pavarur, si Emirati i Dubait dhe jo për çdo gjë mbështet A.Saudite.

Por çështja tjetër që i ka xhindosur saudët dhe ka çuar në një vendim të tillë ekstrem, por që mundohen ta fshehin, janë marrëdhëniet e Katarit me Iranin dhe problemi i gazit.

Në takimin e fundit të Riadit, Katari nuk u shpreh shumë optimist për bordatat që iu veshën Iranit. Al Thani ishte i vetmi lider i Gjirit Persik që uroi Rohanin për rizgjedhjen.

Katari mban një qëndrim të ndryshëm ndaj Iranin nga saudët, EUA dhe Kuvajti, pasi ka një problem shumë të madh me të. Në mes të Gjirit Persik, midis Iranit dhe Katarit, është zbuluar një nga vendburimet më të mëdha të gazit në botë, ai i Parsit, prej 9700 km katrorë. Sipas Konventës së Detit për detet e brendëshme, siç është Deti Persik, e drejta e shfrytëzimit ekonomik ndahet në mënyrë të barabartë midis dy vendeve. Por m.q s. vendburimi ndodhet i spostuar drejt Katarit, rreth 6000 km katrorë ndodhen në zonën ekonomike të Katarit, që e quan North Dome Field dhe rreth 3700 km katrorë i takojnë zonës së Iranit, që e quan South Pars.

Vendet nuk mund të shrytëzojnë vendburimin që ndodhet jashtë ujërave të tyre territoriale,12 milje pa miratimin e përbashkët, kështu që Katari është i detyruar që për shfrytëzimin e vendburimit që ndodhet në ujërat e të drejtës ekonomike, të ketë marrëdhënie mirëkuptimi me Iranin.

Gjithashtu, Katari ka problemin tjetër, që si një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit në botë nuk ka treg shitjeje pasi konsmatorët janë larg si Evropa, India Turqia. Kështu që ka investuar miliarda në prodhimin e GNL, gazit të lëgshëm, ku është prodhuesi më i madh në botë me 80 milionë​ tonë. Një nga arsyet që u fut me aq zell dhe financoi me miliarda luftën e Sirisë ishte për të rrëzuar Asadin që u refuzoi edhe duke bërë lojën e rusëve që e konsideronin konkurrente të gazit të tyre ne Evropë, ndërtimin e gazsjellësit prej 12 miliardë​ dollarësh, Katar, A.Saudite, Irak, Siri, Mesdhe, Evrope.

Assadi, me ndihmën e rusëve, duket se ia doli të qëndrojë në pushtet dhe po përgatitet që mbas mbarimit të luftës t’i japë​ leje ndërtimit të gazsjellësit alternativ Iran, Irak, Siri. Mesdhe, Evropë, ku të trasportojë gazin e Iranit nga vendburimi i Parsit. Kështu Irani i ka propozuar Katarit që të hyjë edhe ai me 30% të vlerës së ndërtimit dhe të transportojë edhe ai gazin e tij, me kusht që të tërhiqet nga mbështetja e grupeve terroriste në Siri dhe Irak, që të përshpejtojnë përfundimin e luftës dhe të nisin gazsjellësit.

Kjo ishte shumë për Arabinë Saudite, që çdo gjë mund t’i falë Katarit, por jo bashkëpunimin me armikun e përjetshëm, Iranin, dhe kjo ishte pika që përmbyti vazon. Kështu që tashmë Katari duhet të marrë një ndëshkim ekzemplar.

Në fakt, marrëdhëniet me Iranin janë shkaku i vërtetë i gjithë kësaj histerie.

Ç’po ndodh aktualisht?

Një veprimtarie të ethshme diplomatike po i bashkangjitet një aktivitet ushtarak frenetik’

Arabia Saudite ka ndërmarrë një kryqëzatë të vërtetë dhe mbas ultimatumit po tenton bllokimin detar, pasi atë tokësor e ka përfunduar. Veprimet e saudëve kanë vënë në siklet gjithë kanceleritë, pasi të drejtën për të vendosur embargo të këtij tipi e ka vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Nëse Arabia Saudite ka prova për përfshirjen e Katarit në mbështetje të terrorizmit, ajo duhet t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit dhe ai mund të vendosë për embargo totale. Por Arabia mendon se mbasi ka vendosur embargo të plotë ndaj Jemenit dhe askush nuk i ka thënë gjë, ajo mund të veprojë siç e gjykon më të arsyshme për interesat e saj. Pastaj, në një debat në KS të OKB-së, nuk dihet çfarë kundërakuza mund të bëjë Katari pasi të mendosh që A.Saudite është kampion në luftën kundër terrorizmit dhe Katari është simboli i mbështetjes së terrorrizmit, është shumë për inteligjencën normale.

Dje Presidenti amerikan u pozicionua qartë pro saudëve, duke akuzuar Katarin për mbështetje të terrorizmit në nivelin më të lartë.

Katari, nga ana e tij, për momentin ka vendosur që të mos dorëzohet . I biri ka vendosur të mos ndjekë rrugën e babait që abdikoi. Ka kaluar në gatishmëri gjithë ushtrinë dhe 90 tanket e tij moderne Leopard-2 i ka vendosur pranë kufirit me saudët dhe gjithë avionët e tij Mirage dhe Rafale janë pa ndërprerje mbi qiellin e Dohas. Nuk janë ndonjë forcë impresionuse luftarake, por Arabia Saudite, me gjithë armatimin modern, ka aftësi luftarake modeste dhe lufta me Huthit e Jemenit të paarmatosur mirë e dëshmoi këtë. Katari ka thirrur në ndihmë Turqinë, aleatin e saj dhe dje Parlamenti turk hapi dritën jeshile për dërgimin e 5000 trupave, por që mund të shkoje deri në 15 000. Erdogani ka vendosur të luajë rëndë këtu pasi ndihet i papërfillur për shqëtësimet e tij për kurdët dhe sidomos mbas pozicionimit të menjëhershëm pro saudëve të Egjiptit, i cili nuk pranon të rivendosë marrëdhënie diplomatike me Turqinë mbas historisë se Morsit. Katari iu ka dhënë punë kompanive turke për ndërtimet e Kupës së botës për rreth 13 miliardë​ dollarë dhe ka investuar 2 miliardë​ dollarë​ në Turqi, që për këto kohë të turbullta nuk janë pak.Turqia mendon se në vazhdim të politikës neootomane ky është një rast i mirë për t’i shprehur mbështetje një vendi të vogël, por shumë të pasur ,që patjetër do t’ia shpërblejë nesër.

Që ushtarët turq të vendosen 2 km larg bazës së Al-Udeidit është shumë për amerikanët, sidomos mbas sjelljes së Turqisë në bazën e Incilikut, ku edhe Gjermania vendosi dje ta abandonojë.

Ministri jashtëm i Katarit sot shkon në Moskë . Kremlini mban një qëndrim predikues, ku të gjithë duhet të sillen mirë dhe me maturi, por nuk e fsheh kënaqësinë që vetëm për dy ditë çmimi i naftës u rrit me 2 dollarë vetëm nga vringëllimet e armëve nëpër kazerma. Në rast lufte, çmimi i naftës mund të kërcejë deri në shifrën stratosferike të 250 dollarë për fuçi, pasi do bllokonte gjithë eksportin e naftës nga Gjiri ku kalon 30% e furnizimit botëror dhe ky është një skenar apokaliptik, ku të gjithë do marrin armët.

Irani i ka shprehur solidaritet Katarit dhe është gati ta furnizojë duke çarë bllokadën saudite. Kjo për momentin i është refuzuar, pasi do të prishte gjithë ekulibrat strategjikë në Lindjen e Mesme. Por Iranit nuk është se do t’i vijë shumë keq të shikojë gjithë armiqtë e tij të mbërthehen me njëri-tjetrin​.

Ata që janë në vërshtirësi të madhe janë SHBA-të. Politika e Trump për të mbështetur Arabinë Saudite kundër Katarit e konfirmuar edhe dje, kundërshtohet fort nga Pentagoni. Dalja jashtë loje e bazës më të madhe në Lindje te Mesme, Al-Ulaedi, dhe komplikimi i operacioneve të Incilikut ku Erdogani nuk po arrihet të deshifrohet mirë në piruetat e tij, praktikisht do ta linte SHBA-në pa logistikën e nevojshme për të vazhduar luftën kundër ISIS dhe kjo bie ndesh me objektivin imediat politik të saj për zhdukjen e ISIS. Kështu që Sekretari i Shtetit Tillerson është angazhuar maksimalisht për të gjetur një zgjidhje që gjithçka të mos dalë jashtë kontrollit.Është e trishtë për SHBA-në të shohë që aleatët e saj, në vend që të jenë të bashkuar kundër Iranit, të kacafyten në një luftë intrasunite mes tyre.

Në fakt, si Arabia Saudite, Katari opo vendet e tjera të Gjirit Persik, nuk është se janë vende që e hanë shumë luftën. Ata kanë tërë jetën që merrem me tregtimin e miliardave të naftës dhe të braktisin këtë punë dhe të marrin armët është shumë e vështirë për mënyrën e tyre të arsyetimit. Lufta në Jemen po tregon qartë se sa të zotë janë për luftë, ku gjithë vendet e Gjirit, bashkë me një armatim modern, nuk po arrijnë të mposhtin Huthit.

Por lufta mund të vijë nga papërgjegjshmëria dhe sjelljet inatçore provinciale të tyre dhe mund të sjellë pasoja katastrofike për gjithë rajonin dhe ndoshta për gjithë globin.

Pas tri luftrave që janë në kulmin e zhvillimit në Siri, Irak dhe në Jemen, një e katërt ku mund të përfshijë edhe Iranin, është shumë për një rajon të tillë.

Vetëm në një luftë botërore mund të luftohet kaq shume në një territor relativisht kaq të vogël.

Ekonomia, geopolitika, nacionalizmi dhe feja po përzihen në një mishelë shumë të rrezikshme përreth Gjirit Persik. Koha për negoziata po mbaron dhe tashmë është koha për t’u pozicionuar. Askush në rajon nuk mund të rrijë jashtë kësaj loje. Tashmë duhet të zgjedhësh qartë me kë duhet të bësh aleancë, të llogaritësh mirë risqet dhe përfitimet, të shikosh përtej rajonit për të kuptuar lëvizjet e Uashingtonit dhe Moskës, për të patur një vend në tavolinën e Jaltës së re të Lindjes së Mesme, që herët a vonë po përvijohet në horizont. Ndoshta për Planin e Neocon-ëve të Hillary Klinton për një dizenjim të ri të kufijve të Lindjes së Mesme, mund të këtë ardhur koha për t’u marrë në konsideratë.

Çdo pozicionim i gabuar kushton shtrenjtë dhe historia moderne e ka vërtetuar shumë herë se mbijetesa varet nga aftësia për të kuptuar fituesin dhe fituesi nuk është gjithmonë ai që duket si i tillë.

Komentet
Top