Dembelizmi, “sëmundja” e Mesdheut, një në tre të rinj, pa shkollë e pa punë

tetova1.jpg

Komisioni Europian ka publikuar raportin e plotë vjetor për tregun e punës në Bashkimin Europian për 2017.

Shqetësimi më i madh mbeten të rinjtë, ku paçka se ka një përmirësim të lehtë, norma e atyre që nuk studiojnë, qoftë edhe ndonjë trajnim profesional, e as që nuk janë në kërkim të një pune, vijon të mbetet alarmante, në 11.5% mesatarisht në union.

Në vendet e Europës së jugut, pra vendet mesdhetare, kjo normë është shumë herë më e lartë se në Europën qendrore apo atë veriore, me një diferencë deri në katër herë më të lartë.

Në Itali norma fiksohet në 19.9%, në Spanjë në 14.6%, në Greqi 15.8%, ndërsa në Gjermani në vetëm 6.6%, e në Luksemburg 5.4%.

Të dhënat e Komisionit Europian i referohen grupmoshës 15 deri në 24 vjeç.

Pak kohë më parë, Instituti shqiptar i Statistikave dha një të dhënë për këtë fenomen edhe në Shqipëri, në raportin vjetor për 2016, por që i referohet grupmoshës 15 deri në 29 vjeç, ku tendenca flet për një rritje të normës, pasi grupmosha nga 24 deri në 29 vjeç nuk është e predispozuar për të studiuar.

Gjithsesi rezultati është i përafërt me shifrën reale dhe mund të arrihet qartë në përfundime.

Një në tre të rinj shqiptarë, të grupmoshës 15 deri në 29 vjeç, pra 30%, as nuk studion e as nuk është në kërkim të një pune thotë Instituti Shqiptar i Statistikave.

Norma është thuajse tre herë më e lartë se mesatarja europiane dhe i afrohet vendeve të Mesdheut.

Kjo hartë, pjesë e një tjetër studimi, të OECD, tregon shpërndarjen e fenomenit ne grupmoshën 20 deri në 24 vjeç.

Siç duket qartë, vendet mesdhetare kanë një normë në mbi 30%, mjafton të shohim Italinë, Spanjën, Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë ku norma është në 30%.

Po të ngjitemi më lart në Europë, norma zbret nën 10%. – raporton Scan.

Komentet
Top