Demokracia, si një bastore publike

0-66.jpg

Angry protesters

Edhe pak ditë, sërish po na bëjnë rresht te kutitë e votimit. Vështirë me i ikë idesë se po bëhemi bashkëpunëtorë në krim, pavarësisht se si do të votosh. Pastaj, e kemi marrë me përtesë. As realiteti nuk duket aq real sa do të duhej. Shumë shpesh, dhe pa arsye, po na shkëpusin nga jeta jonë e vërtetë në rrjetet sociale dhe po na detyrojnë të aterojmë në tokë dhe të përcaktohemi për gjëra që nuk na hyjnë në punë. Në fund të fundit, çfarë rëndësie ka se cili nga ata, do të jetë te foltorja? Pushteti i vërtetë nuk del në televizor.

Por, thonë, demokracia e do kështu. Duhet me dalë. Oligarkët, thjesht e adhurojnë lojën e demokracisë. Kështu, ajo e legjitimon pronën e blerë, me parat e qytetarëve. Na nxjerrin, në votime, sa herë të duhet të vërtetojnë bastet, të legjitimojnë lojën. Vështirë se luan rol, kushdo që të fitojë.

Edhe elektoratin, për aq sa u duhet me na mbajt peng, e kanë blerë. Por, te ne, demokracia , ka dalë prej mode, përfundimisht. Më, askujt nuk i bënë për të.

Është bërë sikur një bastore publike, e kurdisur. Zgjedhjet mbahen, jo për të zgjedhur, deputet apo asambleist lokal, por vetëm për të vërtetuar bastet. Më kot insiston Evropa edhe Amerika, për lista të (pa)pastra. Përse na mundoni kot , çdo tri vjet, kur gjërat dihen? Dihen, pronarët.

Nëse nuk ju pëlqen, të dashur, miq, na e jepni një mbret, ose së paku një president për të cilin dihet se do të na udhëheqë derisa të jetë gjallë ai dhe pasardhësit tij! Atij, i duhet edhe një buxhet, për të rehatuar gjithë njerëzit e vet. Prandaj bëjeni buxhetin e ushtrisë. Nëse nuk i lejoni buxhet, ai krijon kriza. Pra, me procedurë të shkurtuar, ju lutem, është më humane! Nëse do të na pjekin, përse të na rrotullojnë në hell?

Pastaj, përse bëheni merak? Ne e kemi edhe modelin, sipas të cilit, sundon shteti! Qytetarë i kishim edhe përpara, nën okupim, por, nuk kishim shtet, prandaj nëse duhet të ketë ndonjë mit, ai është miti për shtetin, për të cilin, po të jetë nevoja të gjithë qytetarët duhet të sakrifikohen. Qytetarët duhet të shërbejnë shtetin, institucionet, presidentin…! Sistemi sa më i thjeshtë, është më efektiv. Nëse ne qytetarët pengojmë, të gjithë duhet të ikim nga këtu, për të mos penguar shtetin, për të cilin këta që nuk zbresin nga rrethrrotullimi, kanë merita. Le të mbesin veç pronarët, me familjarët e gjerë. Ne, na jepni vizat! Po, ikim!

Ndoshta edhe ju kanë keq informuar, të dashur, miq?! Qytetarët tonë nuk duan, demokraci. Të kuptohemi! Ka qytetarë dhe qytetarë. Ka qytetarë, dhe regjione me merita dhe ka regjione me faje që duhet me i la nëpër shtat gjenerata. Regjionet me merita , do të sundojnë ato me faje do të sundohen. Ky është rendi i gjërave, këtu. Por, ka vetëm një regjion, për të cilin nuk diskutohet. Ai e jep Presidentin, kryeparlamentarin dhe kryeministrin. Edhe tenderët, edhe licencat, edhe…gjithçka. Nëse të tjerët nuk pajtohen, loja prishet. Nëse ata e shpallin fitoren, atje, kot kutitë. S’ka nevojë të numërohen.

Sofra e parë dhe e dytë, e madje edhe e treta, demokracisë tonë popullore, ka kohë që janë përzgjedhur. Vendet nëpër institucione, veç plotësohen. Loja, natyrisht se do të luhet sipas kërkesës që vjen nga jashtë, por rezultatet qysh tani dihen.

Qysh e dini, demokracia jonë, e kontrolluar, kalon në veprim, çdo tri vjet, dhe bënë gjithçka që qytetari të mos lodhet. Ndërkohë, në mes dy palë zgjedhjeve pushon ose luan rolin e opozitës, shoqërisë civile, të pavarurve. Krejt këto veprime, kryhen nga të pavarur, shoqëri civile, debutues, gazetarë. Ata selektojnë, nëpër debate, shërbyesit e oligarkisë.

Në zgjedhjet e kaluara, flitej se fletëvotime të plotësuara, dhe të futura në kuti, kishin ardhur nga vendet fqinje. Përse të lodhen qytetarët. Legjenda thotë, se luftë e madhe bëhej se kush do të shoqëronte kutitë nga vendvotimet deri te KQZ-ja. Por, legjendat janë legjendat, e pushteti që doli nga kjo votë, ishte realitet që prodhoi shumë kriza. Kjo nga ata që e dinë më së miri, pra nga miqtë tanë ndërkombëtar u quajt vjedhje industriale e votave. Për një vend që nuk ka industri tjetër, kjo edhe nuk tingëllonte keq. As vjedhja nuk është më dukuri negative, dhe e rrallë. Është industrializuar dhe institucionalizuar.

Nëse, demokracia është si një lloj bastore, edhe rezultatet duhet të përshtaten me bastet. Varet sa kush ka investuar. Bastoret fitojnë më shumë, kur fitojnë ata që nuk pritej.

Përndryshe, shumica prej mbikëqyrësve dhe kritikëve të radhës së kaluar, e lanë “pavarësinë” e tyre dhe u futën në politikë, kryesisht nëpër partitë të cilat i kishin sharë më së shumti. Me armikun, gjithnjë ekziston një “kimi”. U sakrifikuan në altarin e demokracisë. Në të ardhmen do të njihen si “martirët e gazetarisë dhe shoqërisë civile” . Nëse do edhe fati, veç pak, si në bastore më, ata do të vuajnë, do të shkrihen para syve tonë, nëpër seanca të pafund të parlamentit, e ndonjë më i pafat edhe në ndonjë ministri. A nuk e vuajtën mandatin e kaluar, martirët tonë të demokracisë, deputetët? Lotësjellësi, vezët…eh, kohë të lavdishme, për të cilat ata do të u rrëfejnë gjeneratave.

Nëse, përkundër asaj se tashmë gjithçka dihet, përsëri votohet kjo klasë politike, atëherë me pikëllim të thellë duhet konstatuar se industria jonë e vetme, po funksionon.

Po ne? Me dalë a mos me dalë, kjo është çështja? Nëse i referohemi të kaluarës, ma mirë mos me dalë. Si do të thoshte Orwell, duke dalë, edhe ne bëhemi bashkëpunëtor në mashtrim. Në fund të fundit, edhe nëse nuk dalim, prapë nuk hetohet. Ka kush voton për ne…!

Nga Fadil Lepaja

Komentet
Top