Destinacionet ekzotike, ja ku po shkojnë shqiptarët dhe sa ju kushtojnë

0-114.jpg

Parajsat ekzotike, të tilla si Maldive, Santo-Domingo, Tailanda, Bali në Indonezi janë destinacionet ideale, për të cilat ia vlen të shpenzohet, të paktën një herë në jetë. Tashmë ato janë lehtësisht të arritshme edhe nga Shqipëria, teksa një pjesë e madhe e agjencive turistike ofrojnë udhëtime të tilla, me udhëtime përmes Stambollit, ose nga Roma, apo shtete të tjera. Çmimet fillojnë nga 1200 euro për person, për të arritur dhe në 2000 euro për person për resorte luksoze, teksa kohëzgjatja është minimum një javë.

Maldive, Dubai, në Santo Domingo në fakt janë destinacionet që kërkohen më shumë këtë periudhë, veçanërisht nga çiftet e reja, që duan të kenë një muaj mjalti të paharruar.

Agjencitë turistike thonë se destinacionet ekzotike bëjnë pjesë te paketat individuale, tek ato që përshtaten sipas preferencave, pasi një nga problemet kryesore mbeten vizat. Janë kryesisht çiftet e reja, të sapomartuar, që zgjedhin këto destinacione të largëta e që kanë më shumë kohë në dispozicion.
Union Travel ofron paketa të personalizuara, për destinacione të tilla si: Male (Bandos Island Resort) duke filluar nga 1,970 euro për person apo edhe Funs Island Resort.

Një tjetër agjenci, Kalemi Travel, ofron udhëtime në destinacione të veçanta, si në Bankon (3 net) për 1,500 euro për person; në Kubë për 7 net duke filluar nga 1,299 euro për person; në Marok për 7 net, duke filluar nga 750 euro për person; në Punta Cana për 7 net, duke filluar nga 1,500 euro për person; në Hong Kong për 7 net, duke filluar nga 1,065 euro për person; në Tanzani për 7 net, duke filluar nga 1,575 euro për person.

Loli Tours ofron pushime në Punta Cana, duke filluar nga çmimi 1190 euro për person, ndërsa për në Maldive paketa shkon në 1875 euro/person (të gjitha të përfshira).

Një tjetër parajsë janë ishujt koralorë të Seishellit, në perëndim të Oqeanit Indian. Mund të bëni sërf, zhytje, peshkim, lundrim etj. Me pak fjalë gjithçka që përfshijnë pushimet ideale. Agjencitë ofrojnë paketa për qëndrime në hotele me katër e pesë yje, për çmime për 7 ditë qëndrimi, që nisin nga 1,900 euro deri në 3,900 euro për person.

Nisjet për këto destinacione bëhen kryesisht nga aeroportet e Italisë, apo dhe Stambolli dhe përfshirja e vizës në çmim është politikë e agjencisë, e cila zgjedh në varësi të kërkesës së klientit ta sigurojë ose jo për ato destinacione që kërkohet. Këto destinacione nuk përkojnë me sezonin tonë të lartë.

Ata që iu drejtohen agjencive turistike për destinacionet ekzotike janë padyshim të rinjtë, veçanërisht të sapomartuarit, që dëshirojnë të bëjnë një muaj mjalti të paharrueshëm. Natyrisht këto janë paketa të personalizuara që agjencitë i përshtatin në bazë të kërkesave të klientëve. Çfarë u ofrojnë resortet dhe hotelet jashtë vendit atyre që janë në muaj mjalti? “Sapo shkon në hotel ke një shishe shampanjë, një tufë me lule dhe dhomat janë arreduar në mënyrë të veçantë”, shpjegojnë punonjës të agjencive turistike.
Idetë dhe destinacionet janë të pafundme. Sekreti: mjafton të zgjidhni një vend që nuk mund ta harroni gjatë gjithë jetës.

Kroçerat, një muaj mjalti ndryshe

Kroçerat, edhe pse jo në masë, pëlqehen veçanërisht nga çiftet e reja që zgjedhin të kalojnë muajin e mjaltit në bordin e anijeve të mëdha. Drejtuesit e agjencisë turistike Union Travel thonë se pëlqehen udhëtime që kanë disa destinacione e kryesisht ishujt e Greqisë, që ofrojnë një përvojë të veçantë.
Një tjetër agjenci që ofron paketa turistike me kroçera është edhe ATHS, me destinacione si Italinë, Spanjën, etj., me çmime që fillojnë nga 500 euro, ku përfshihen edhe taksat portale.

Një tjetër ofertë që vjen nga agjencitë turistike ofron udhëtime me kroçerë nëpër Mesdhe, duke filluar nga 530 euro për person; për në ishuj grekë me qëndrime deri në 3 net, duke filluar nga 299 euro, si dhe në Fjordet Norvegjeze, duke filluar nga 650 euro për 11 net qëndrimi.

Kroçerat janë një treg që po shkon drejt zgjerimit. Me një kontribut që llogaritet në rreth 41 miliardë euro në vitin 2015, kjo shifër është rreth 2% më e lartë se viti 2014. Shpenzimet direkte për turizmin e kroçerave arritën në 16.8 miliardë euro. Sektori punëson rreth 360,000 persona në Europë.
Kroçerat janë pjesë e pandashme e jetës së europianëve dhe do të vazhdojnë të gjenerojnë të ardhura edhe në vazhdim.

Cruisecritic ka realizuar një listë me destinacionet më “të nxehta”, ku në vendin e gjashtë është renditur edhe Shqipëria, me Sarandën, duke e quajtur “portin e ri”. Shqipëria, në mënyrë të veçantë, është vënë nën “radar” për shkak të afërsisë me Malin e Zi dhe Greqinë, vendi parashikohet të ketë një rritje të numrit të anijeve të mëdha me vela, që do të ankorohen në Portin e Sarandës. Pasagjerët nuk do të zhgënjehen nëse vizitojnë qytetin, pasi në të mund të gjejnë ushqim deti të freskët, plazhe me gurë dhe të pashkelur. Nëse jeni në kërkim të tureve kulturore, pranë Sarandës gjendet Butrinti, që është pasuri botërore që mbrohet nga UNESCO. Linja e kroçerave, si Holland America, ofrojnë ekskursione që përfshijë vizita edhe në këtë park.

Komentet
Top