Dhuna në Kuvend, Spasovski suspendon funksionarë të lartë policorë

Protesta-ne-Kuvend-6.jpg

Grupi i punës pranë MPB ka përgatitur raportin mbi zhvillimet e 27 prillit në Kuvend ku ka konstatuar se gjatë zhvillimeve të përgjakshme, policia ka bërë lëshime dhe shkelje të cilat janë në kundërshtim me ligjin për polici. Raporti si përfundim ka konstatuar se policia ka dështuar si pasojë e ndikimit politik.

Në raport është konstatuar se:

  • Nuk janë respektuar procedurat.
  • Ka munguar komanda për organizimin e njësiteve.
  • Nuk ka pasur përgjegjësi të definuar.
  • Ka pasur mungesë të informatave operative nga shërbimet .
  • Shtabi operativ nuk e ka vlerësuar situatën.
  • Plani i skenarëve për neutralizim nuk është aktivizuar.
  • Policia është penguar nga deputetët për t’i mbyllur dyert.
  • Nuk kishte policë rezervë.

Ministri i Brendshëm Oliver Spasovki nuk dha emrat e personave të përfshirë në skenarë duke u arsyetuar me karakterin e klasifikuar të raportit. Raporti do t’i dërgohet Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion.

Ky raport është i klasifikuar dhe nuk mund të jepen informacione në publik. Më së paku dua unë si ministër të jem ai që sjell përfundime dhe gjykoj jashtë institucioneve. Raporti do t’i dorëzohet Prokurorisë Publike e cila do të klasifikojë të gjitha përgjegjësitë personale dhe objektive – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Lidhur me lëshimet dhe shkeljet ministria e Brendshme ka zhvilluar biseda informative me 180 shërbyes policorë, 23 prej tyre janë suspenduar ndërsa ndaj 45 të tjerëve është proceduar me masa disiplinore. Ministri Spasovski denoncoi se brenda MPB-së së fundi ka pasur urdhër politik për përgatitjen e një raporti tjetër.

Një pjesë e strukturave të MPB-së, një ditë pas ndodhive në Kuvend kanë marrë urdhër për të përpunuar një raport të veçantë. Urdhri ka qenë që të njëjtin ta bëjnë për një ditë. Raporti i tillë ishte paraparë të jepte rezultate të cilat do t’i shkonin për shtati personave të caktuar në MPB – tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Nga pozitat nuk janë shkarkuar kryeshefi i Njësisë speciale dhe ai i Shërbimeve qendrore-policore. Ndërkohë për drejtorët e Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit dhe të Byrosë së Sigurimit Publik akoma nuk është vendosur pasi që Qeveria ende nuk ka shkarkuar drejtorët nga përbërja e kaluar qeveritare. Analiza e detajuar e raportit përfshinë edhe veprimet e qytetarëve dhe të personave me maska.

Komentet
Top