Diplomacia, financat, siguria të ndaluara për shqiptarët

18773131ed4591218ab23b363b015113ad3f8545.jpg

Shkup – Diplomacia, siguria dhe financat ende mbeten sfera të ndaluara për shqiptarët. Këto tre sektorë edhe në Qeverinë e re vazhdojnë të udhëhiqen nga kuadro të partive maqedonase ashtu siç ndodhte edhe në të kaluarën. Gjatë gjithë historisë së pluralizmit në Maqedoni, shqiptarët asnjëherë nuk kanë drejtuar me Ministrinë e Punëve të jashtme, vetëm një herë në vitet e 90-ta ka pasur ministër shqiptar të financave, ndërsa pas vitit 2001 shqiptarët janë mbajtur gjithnjë e më larg këtij dikasteri, raporton SHENJA.

Ministrinë e Punëve të Brendshme shqiptarët e kanë udhëhequr vetëm disa muaj në Qeverinë teknike pas përfundimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare deri në formimin e Qeverisë së re, ndërsa edhe në këtë mandate ministri ka qenë me kompetenca të kufizuara.

Shqiptarët nuk kanë mbajtur as postet në drejtoritë që janë nën ombrellën e këtyre ministrive e që janë kyçe për sistemin shtetëror. Drejtorinë e të ardhurave publike disa herë e kanë përmendur partitë shqiptare e veçanërisht ajo në pushtet, BDI, por edhe në këtë mandate ushtrues detyre drejtor në DAP është emëruar kuadër i LSDM-së.

Shqiptarët nuk kanë udhëhequr as me energjetikën dhe dy kompanitë më të mëdha ELEM dhe MEPSO. Në sferën e sigurisë, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ekzistojnë dy drejtori, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Byroja për siguri publike, të cilat si në qeverisjen e VMRO-DPMNE-së ashtu dhe në atë të fundit të LSDM-së udhëhiqen nga kuadro maqedonas.

Përveç tyre shqiptarët nuk kanë udhëhequr as me Agjencionin për zbulim që është në kompetencë të presidentit dhe vepron jashtë territorit të Maqedonisë. Në sferën e diplomacisë, përveç ministrit të punëve të jashtme, shqiptarët kabnë pasur përfaqësim të ulët edhe në përfaqësitë diplomatike konzulare.

Përveç këtyre kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, që në vitin 2009 ishte zotuar se shqiptarët do të marin përfaqësim të drejtë në udhëheqjen e 12 pozicioneve më të larta shtetërorë, ku aktualisht mbajnë vetëm një, kryetarin e Kuvendit. Nga ministritë dhe organet e tjera që kishte përmendur Ahmeti shqiptarët ende nuk kanë fituar asnjërin nga këto pozicione.

Komentet
Top