Dobitë mahnitëse të vajit të ullirit

vaj-ulliri-696x325.jpg

Përdorimet e ndryshme të vajit të ullirit datojnë mijëra vite më parë. Që në lashtësi, pema e ullirit konsiderohej e shenjtë dhe vaji i ullirit përdorej për kura të ndryshme popullore kundër inflamacionit.

Në ditët e sotme, vlerat e vajit të ullirit janë të provuara shkencërisht ndërkohë që përdorimet e tij vërehen në produktet e kujdesit të lëkurës, siç janë kremërat hidratues, eksfoliantët, locionet pastruese, tonikët, sapunët e të tjerë.

Vaji i ullirit ka një përmbajtje të lartë të acideve yndyrore, veçanërisht atij oleik që ndihmon në rikthimin e lagështisë natyrale të lëkurës. Për më tepër, ky acid mbron membranat e qelizave ndërkohë që vitaminat, veçanërisht ajo E, luftojnë radikalet e lira. Në këtë mënyrë proçesi i plakjes së lëkurës ngadalësohet.

Vaji i ullirit është një produkt i shkëlqyer për ushqimin, rigjenerimin dhe zbutjen e lëkurës dhe të flokëve. Nëse dëshironi të përfitoni prej këtyre vlerave, ju rekomandojmë trajtimet e mëposhtme:

Kremi i konturit të syve: Ngrohni tre lugë gjelle me vaj ulliri, një lugë çaji me dyll, gjysëm luge çaji me gjalpë kakao në banjë mari. Më pas, lëreni masën e krijuar të ftohet dhe shtoni dy lugë gjelle me lëng trëndafili. Përzijeni deri sa të formohet një pastë e njëtrajtshme dhe e trashë, e cila mund të përdoret në zonën përreth syve.

Maskë për lëkurë të thatë: Përzieni 1 lugë gjelle me vaj ulliri, të bardhën e një veze, një lugë me tul avokado dhe një lugë gjelle me mjaltë. Maskën vendoseni në fytyrë dhe mbajeni për 10 minuta. Më pas shpëlajeni fytyrën.

Eksfoliant: Përzieni gjysëm filxhani me vaj ulliri, 3 lugë gjelle me sheqer dhe një lugë gjelle me tërshërë. Përdoreni në lëkurë me lëvizje rrethore. Ky eksfoliant do të largojë qelizat e vdekura dhe do ta mbajë lëkurën të butë dhe të ushqyer.

Ushqyes për lëkurën e duarve: Hidhni disa pika vaj ulliri në duar dhe masazhojeni lëkurën. Vendosni doreza plastike dhe lëreni vajin të veprojë për 15 minuta.

Trajtim për ushqimin e flokëve: Fërkoni flokët nga rrënjët tek majat me vaj ulliri. Masazhoni skalpin për 5 minuta për të stimuluar qarkullimin e gjakut dhe forcuar flokët. Mbulojeni kokën me një napë fanellate për 10 minuta dhe më pas lajini flokët si zakonisht. ju rekomandojmë të përdorni vaj ekstra të virgjër për shkak të përmbajtjes së lartë të ushqyesve.

Komentet
Top