“Dopolavoro”, pjesa “e paekspozuar” e fashizmit shqiptar!

0-67.jpg

6 shtator 1940- Hierarkë të Partisë Fashiste Shqiptare dhe asaj italiane , duke shoqëruar eksponentë të Wehrmacht-it gjerman pas një vizite që ata kryen në Tiranë, duke pozuar në hyrjen e njërës prej qendrave, ( Duka e Abrucos) apo Selisë së Përkohshme të DOPOLAVORO-s në Rrugën “F. Jacomoni” në Tiranë. Marrë nga Arkiva e Institutit LUCE

Nga Armand PLAKA

Argëtimi apo kalimi i organizuar i kohës së lirë, që njihej me emërtimin DOPOLAVORO (Paspuna), përkrah “Djelmënisë së Liktorit”, “Fashove Femnore” e “Grupeve të Fashistëve Universitarë”, ishte përcaktuar në statusin e Partisë Fashiste Shqiptare, si pjesë e organizatave që vareshin prej saj.

Një nga ndërtesat më potente e simbolike që u ngritën për t’i shërbyer këtij qëllimi, ishte dhe ndërtesa e DOPOLAVORO-s, ( sot Universiteti i Arteve) në Tiranë, ndërsa ndërtesa të tjera me përmasa më të vogla nisën të shiheshin në atë kohë ngado nëpër Shqipëri.

Nëse flet me dëshmitarët e paktë të mbetur të asaj kohe, apo nëse konsultohesh me materialet arkivore e fotot e kohës, duket se DOPOLAVORO ishte bërë tashmë shumë e njohur në radhët e rinisë shqiptare. Përtej propagandës ajo shërbente edhe si një mundësi e madhe emancipuese në një vend ku prapambetja vijonte të ishte një problem madhor për pushtetin e radhës.

Në këtë kuadër, na shfaqet edhe kjo foto marrë nga Arkiva e Institutit LUCE, që shfaq shumë qartë përveçse anëtarë të Partisë Fashiste Shqiptare dhe “kolegëve” të tyre italianë, edhe eksponentë të Wehrmacht-it gjerman pas një vizite që ata kryen në Tiranë në shtator 1940, duke pozuar në hyrjen e njërës prej qendrave, ( Duka e Abrucos) apo Selisë së Përkohshme të DOPOLAVORO-s në Rrugën “F. Jacomoni” në Tiranë, ku shihet gjithashtu qartë edhe afishimi i organit zyrtar të shtypit të Partisë Fashiste Shqiptare, “Lajme nga Tirana” që botohej në italisht dhe në shqip.

Fotoja tjetër është marrë nga koleksioni i të dërguarit të Rajhut në Tiranë, Erich von Luckwald, thuajse një vit më pas, kur ndërtimi i selisë qendrore të DOPOLAVORO-s, tashmë kishte marrë udhë.

Në veprimtaritë e vatrave apo shtëpive të kulturës, që mbinë më pas në epokën komuniste në Shqipëri, nga DOPOLAVORO-t kishte aplikim të elementëve të ngjashëm në aspektin propagandistik e organizativ, por sigurisht se në shumë aspekte të tjera, nuk donin, nuk mundëm dhe nuk ia dolën të kapnin dot nivelin e atyre, të cilat brenda një harku kohor shumë të shkurtër, ishin bërë tashmë shumë të famshme në mbarë Shqipërinë për mundësitë dhe atmosferën që ofronin.


Foto si pjesë e koleksionit të të dërguarit të Rajhut në Tiranë, Erich von Luckwald, ne vitin 1941, shfaq ndërtimin e Selisë Qendrore të DOPOLAVORO-s në TIranë, sot godina e Universitetit të Arteve


4 nentor 1939 – Faksmile e organit zyrtar të shtypit të Partisë Fashiste Shqiptare, “Lajme nga Tirana” që botohej në italisht dhe në shqip


19 prill 1940- Faksmile e organit zyrtar të shtypit të Partisë Fashiste Shqiptare, “Lajme nga Tirana” që botohej në italisht dhe në shqip

Komentet
Top