Drejtësia e munguar

0-56.jpg

Sistemi gjyqësor i Kosovës ka aq shumë lëndë të papërpunuara që parashkruhen – saqë ata që ndonjëherë kanë besuar në drejtësinë e dinë se kështu zor se do ta përjetojnë ndonjëherë. Përgjegjësit për sistemin e dështuar të drejtësisë në Kosovë pretendojnë ta marrin pushtetin sërish. Dhe, po qe se e marrin, për shkak se ndokush nga LAA-ja e shet votën, asgjë nuk do të ndryshojë këtu. Përkundrazi, sistemi do të instrumentalizohet edhe më shumë, vetëm sa për t’u shërbyer atyre që janë mësuar të funksionojnë në mjegull.

Nga Flaka Surroi

Nesër do të bëhen katër javë nga zgjedhjet parlamentare, e ne ende nuk i kemi rezultatet e certifikuara. Vetëm ky fakt tregon se sa keq i kemi punët, seriozisht. Një ligj i keq; një strukturë hajnash të organizuar dhe deleguar nga partitë politike; dhe situata kur kandidatët për deputetë i akuzojnë bashkëpartiakët për vjedhje – ky është realiteti i zgjedhjeve në Kosovë. Një procesi që nuk mund t’i besosh për shkak se, merreni me mend, vetë partitë janë përplot hajna. E kur procesi i rinumërimit e vërteton hajninë dhe e përmirëson rezultatin – e tëra kalon pa ndëshkim. Ende nuk dëgjova që të jetë bërë ndonjë kallëzim penal kundër numëruesve apo komisionarëve, me gjithë ato ankesa. Përfundimisht, punët i kemi mos vet keq.

Heroina e drejtësisë së papërfunduar

E punët i kemi keq, sepse ky popull ka pranuar të jetojë në këta 18 vjet nën diktatin e atyre që nuk janë të interesuar që ky vend të udhëhiqet nga e drejta dhe drejtësia. Jemi pajtuar që të udhëhiqemi nga zakonet primitive ku mbisundon argumenti i forcës dhe përherë kemi treguar frikë që për të keqen të flasim haptazi dhe ta luftojmë me mjetet ligjore në dispozicion.

Fatmirësisht nuk kemi vepruar që të gjithë njësoj. Heroina e kësaj jave, e me gjasë edhe e shumë vjetëve që do të vijnë, është Shyhrete Berisha. Gruaja, së cilës ia vranë katër fëmijë dhe bashkëshortin, u dëbua nga shtëpia familjare ku kishte krijuar familjen. Arsyetimi hiç ligjor, e aq më pak moral, e më së shumti primitiv ishte: “ti s’ke më familje; nuk ke kurrfarë lidhje me Berishët; s’ke hise”.

Lufta e saj shumëvjeçare nëpër gjyqet e Kosovës u “shpagua” me një aktgjykim (edhe jo fuqiplotë) të Gjykatës në Suharekë, që Shyhretes ia njohu pronësinë mbi gjysmën e shtëpisë dhe mbi gjysmën e dy pronave të paluajtshme. Po qe se Gjykata e shkallës së dytë e vërteton këtë vendim, Shyhretja më në fund do ta përjetojë një grimë drejtësi, sado e vonuar të jetë. Pronësia mbi objektet e paluajtshme nuk do t’ia kthejë kurrë as fëmijët e as bashkëshortin, porse do t’ia kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur nga ata që do të duhej të udhëhiqeshin nga ndjenjat njerëzore e jo nga mentaliteti i Kanunit.

Shtatëmbëdhjetë vjet martesë dhe tetëmbëdhjetë vjet vuajtje dhe pikëllim do të mundë të kompensoheshin (nëse mund ta përdor këtë fjalë) me të drejtën e Shyhretes të disponojë me atë që është pjesë e qenies së saj – i vetmi kujtim i familjes së saj të ngushtë (burri dhe i biri i vogël janë ende në listën e personave të pagjetur). Se a do ta shndërrojë atë shtëpi në muze kujtimesh, kjo është absolutisht vendim që i takon vetëm asaj. Vendim i cili duhet të respektohet nga të gjithë, pa dallime.

Nga ana tjetër, lufta e saj, nga e cila nuk hoqi dorë me gjithë presionet, do të duhej të shërbente si shembull për krejt gratë e Kosovës. Ajo luftoi për një të drejtë që ia garantojnë edhe Kushtetuta edhe ligji – porse të cilën sistematikisht ia mohuan adetet primitive dhe paragjykimet e një mentaliteti, të cilit nuk po mund t’i ikim as pas shumë e shumë dekadash.

Drejtësi mbi këmbë të qelqta

E po bëhen gati dy dekada prejse në Kosovë është instaluar “sistemi i ri i drejtësisë” me njerëz të vjetër dhe me njerëz të rinj që nuk tregohen të përgatitur për ta funksionalizuar atë si duhet.

Tetëmbëdhjetë vjetët e drejtësisë — fillimisht të UNMIK-ut, që la pas vete mbi 250 mijë raste të fjetura, të papërpunuara dhe të harruara; e më pas të EULEX-it, që solli aty-këtu ndonjë kapje të ndonjë peshku të vogël dhe gjykime maratonike të rasteve të krimeve të luftës, si dhe tash të gjyqësisë së ngathtë kosovare – kanë sjellë shumë frustrime dhe përherë më shumë padrejtësi sesa drejtësi.

Java që e lëmë pas rastisi të jetë shumë e ngjeshur me lajme që i prodhoi gjyqësia jonë. Lajmi i parë erdhi nga Supremja, që e prishi vendimin me të cilin Sami Lushtaku u dënua me 12 vjet burgim për shkak të vrasjes së pretenduar të një njeriu, i cili nuk ka identitet, kufoma e të cilit nuk është gjetur për të shërbyer si dëshmi. Në një proces që, me këto karakteristika, do të duhej të sillte kësi vendimi në fund – ajo që u arrit është që vetëm të bëhet një spektakël i paparë. Një gjykim pa ndonjë logjikë dhe një paraburgim i mbajtur kryesisht në QKUK, e prej aty edhe nëpër vende të ndryshme që nuk janë qendra korrektuese. Për më tepër, një ikje nga paraburgimi dhe një negociatë e paprecedent për kthimin e të paraburgosurit, fillimisht në QKUK, e më pas në Burgun e Sigurisë së Lartë. Pra, brenda vetëm një procesi u dëshmua brishtësia e sistemit disfunksional gjyqësor në Kosovë. Dhe, përfundoi si përfundoi – me lirimin e Lushtakut, i cili tash në bazë të ligjit ka të drejtë të kërkojë kompensim, sepse del se është mbajtur në burg padrejtësisht.

Se a ka pasur Prokuroria prova të tjera, e nuk i ka paraqitur ato në proces – ato ne nuk do ta dimë me gjasë kurrë. Porse që EULEX-i ka ndërtuar një lëndë mbi këmbë të qelqta, u tregua evidente me këtë që ndodhi tash. E se a është dashur Lushtaku të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Skënderajt, për shkaqe morale (meqë ato ligjore ia mundësojnë mbajtjen e postit) – edhe kjo është temë më vete. Mbase do të duhej të shërbente si arsye e mirë, së bashku me rastin e Ramadan Mujës në Prizren, që të ndalohet ushtrimi i postit ekzekutiv që në çastin kur në atë mandat përfshihet drejtësia. Kjo do të nënkuptonte se drejtësia do të duhej t’i përshpejtonte procedurat, e që një lëndë të mos zvarritet shtatë vjet për të përfunduar.

Drejtësi selektive

E ka nja pesë vjet që zvarritet procesi që shënoi lajmin e dytë gjyqësor të javës, e që erdhi nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Dymbëdhjetë studentë dhe asistentë në Mjekësi e Juridik u dënuan me dënime simbolike për marrje dhe dhënie ryshfeti – për të marrë nota kaluese. E se vendimi i Themelores mbërriti në tetik, tregon edhe fakti se po qe se ankesat e disa nga të dënuarit tashmë nuk shqyrtohen deri në shtator, lëndët do të parashkruhen. Sepse kanë ndenjur shumë, shumë gjatë nëpër sirtarët e gjykatave duke u mbushur pluhur.

Përderisa lajmi i mirë këtu është se është zbuluar skema e shitblerjeve të notave – lajmi i keq gjithsesi bën fakti se asnjëri nga profesorët që në fund i ka dhënë notat nuk është ballafaquar me drejtësinë. Kjo nuk ka ndryshe si të quhet pos skandal. Sikurse është edhe skandal kualifikimi i veprës penale që është kufizuar vetëm në mitdhënie/mitmarrje e jo në krim të organizuar – që në fakt është çfarë paraqet kjo skemë.

Dhe në vend se t’i kemi ca profesorë prapa grilave, për shkak se i kanë shkelur jo vetëm ligjin, por edhe betimet etike profesionale, tash i kemi nja tre-katër asistentë që janë dënuar simbolikisht, e që mund të mos e vuajnë dënimin fare për shkak të vonesave procedurale, përderisa ndërkohë janë avancuar në postet akademike në Universitetin Publik.

Megjithatë, më e keqja nga e gjithë kjo është se këta blerësit e notave nesër do të diplomohen. Madje do të bëhen mjekë e gjyqtarë, kurse ne do t’u bëhemi pacientë e palë gjykimesh me shansin më të madh për t’u shndërruar madje në viktima mortale.

Gjyqësi taktike

Për aktivitete mortale këtë javë u arrestuan katër veta dhe u paraburgosën menjëherë. Madje njëri nga ta u ekstradua nga Gjermania. Pra, bëhej fjalë për vrasjen e dy policëve në një sulm të planifikuar nga ky grup i organizuar që në vitin 2004. Tre nga të arrestuarit kishin jetuar në Kosovë 13 vjet pa i prekur kush. Thuhej se s’kishte pasur prova inkriminuese, kurse ato ishin shfaqur së voni, kur një njeri që tashmë është dënuar për veprimtari kriminale kishte vendosur të fliste.

Për të arrestuarit flitet se kanë qenë anëtarë të SHIK-ut. Pra, po qe se është e vërtetë, paskan pasur eprorë dhe urdhërdhënës për çfarëdo pune ilegale me të cilën janë marrë. Madje thuhet se kanë marrë pjesë në krimet politike që janë kryer pas fundit të luftës – për shkak se u ishte thënë se “LDK-ja e kishte kundërshtuar luftën çlirimtare të UÇK-së”. Se çka do të dalë prej gjithë këtij rrëfimi është vështirë të dihet, porse është shumë indikative se arrestimi i tyre ndodh mu në ditën kur bëhet publike se Gjykata Speciale më nuk e ka asnjë pengesë procedurale për të nisur ngritjen e aktakuzave.

Nëse është e vërtetë se janë pjesëtarë të një grupi kriminal të cilin dikur e kishin udhëhequr Agron Sylejmani dhe Ruzhdi Shaqiri (që të dy të vrarë ndërkohë) që ka punuar me urdhra, atëherë nuk ka dyshim se do të dinë shumëçka për shumë kë dhe se mbase do të mundë të shërbenin si dëshmitarë të mbrojtur, për çfarë arsye do të kishin edhe lehtësime në rast të dënimit eventual.

* * *

Rrëfimi për gjyqësinë e munguar në Kosovë do të mundë të vazhdonte pafundësisht. Ka aq shumë lëndë të papërpunuara që parashkruhen – saqë ata që ndonjëherë kanë besuar në drejtësinë, e dinë se në këtë sistem dhe se me këso qeverisjeje, zor se do ta përjetojnë ndonjëherë.

Përgjegjësit për sistemin e dështuar të drejtësisë në Kosovë pretendojnë ta marrin pushtetin sërish, posa të certifikohen rezultatet. Dhe po qe se e marrin, për shkak se ndokush nga LAA-ja e shet votën, atëherë asgjë nuk do të ndryshojë këtu. Përkundrazi, sistemi do të instrumentalizohet edhe më shumë, vetëm sa për t’u shërbyer atyre që janë mësuar të funksionojnë në mjegull.

Para pesë vjetësh Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale kanë pësuar ndryshime. Dhe këto kode, ndër të tjera, parashohin se askush nuk mund të dënohet në mungesë – që do të thotë se po mungove në seancë, gjykimi mund të shtyhet deri në parashkrim. Nga ana tjetër, nuk përmban ndonjë sanksion të përnjëmendtë ndaj gjyqtarëve të apelit që pa asnjë arsye i kthejnë lëndët në rigjykim – posaçërisht ato që janë të lidhura për njerëzit e pushtetit.

Kështu, kjo situatë nuk do të ndryshojë përderisa ata që e kanë modeluar sistemin gjyqësor sipas nevojave të veta do të vazhdojnë ta mbajnë pushtetin. Për shkak se me ta në pushtet, Kosova përherë do të ketë drejtësi të munguar.

Komentet
Top