Edi Rama ecën sigurt drejt një mandati të dytë

rama-takim-me-pensionistet-per-cmimin-e-energjise3.jpg

Artur Zheji

Nuk ka dyshim që situata politike e favorizon sot kryeministrin aktual. Ka grumbulluar shumë pushtet dhe interesa në duart e tij. Ka një Ligj elektoral, të miratuar sëbashku me PD në vitin 2008, që nuk lejon kërcënime të papritura, që nuk lejon pra, Partitë e reja që kanë lindur, të rriten deri ne kërcënim për profilin e ardhshëm të zgjedhjeve politike. Rrezistenca e Pd dhe e Lulzim Bashës, ashtu sikundër nuk dyshohej, nuk e tërhoqi dot pas vetes Lsi në një front të përbashkët kundër “arrogancës apo kanabizimit” dhe sot Ilir Meta është president i Republikës, ndërsa bashkëveprimi i sotëm Ps-Lsi, funksionon si një sahat që herë ngec dhe herë lëviz, por që tregon orën e duhur, sa herë që shtrëngohen gjërat. Deklarata e paracakohshme e Metës, që nuk do të bënte më aleanca politike djathtas, rezultoi më serioze se sa u interpretua kur u bë.

Pamvarsisht rezistencës moralisht të admirueshme të Pd dhe të Bashës, rezistencë e cila vendosi në një kuotë të re, pozicionin politik të Bashës, në brendësi të Pd dhe në rrafshin politik kombëtar, duket se kjo nuk e pengon dot Ramën drejt mandatit të vet të dytë si kryeministër.
Sepse lëvizjet e kundërshtrëve të tij politikë, nga brenda partisë apo të së Majtës, kanë qenë të gjitha me një ose me dy kohë vonesë, të parashikuara në kohë nga kryeministri, stafi dhe kupola e këshilltarëve të rregjur pranë tij. Pamvarsisht se do të mvaren shumë gjëra nga rezultatet zgjedhore, qofshin këto në korrik apo në shtator, vetëm koalicioni opozitar udhëhequr nga Pd, krijon në terren një balancë forcash.

Porse sondazhet janë kokëforta dhe në kokëfortësinë e tyre, sondazhet favorizojnë përsëri votimin majtas, të pjesës më të madhe të votuesve të deritashëm.
Titullarët e politikës së sotme shqiptare, nuk e kuptojnë, nuk duan ta kuptojnë apo nuk munden ta kuptojnë se egoizmi i ngushtë partiak, kah priren më së shumti në politikë bërjen e tyre të sotmë, i shkon për shtat Ramës, më shumë se vetë atyre.

Sepse, rezervat e kapitaleve parapolitike dhe rezervat elektorale të Ps, që gjinden në dispozicion të kryetarit dhe të kryeministrit të sotëm, janë të mjaftueshme për të ruajtur primatin e Polit më të rëndësishëm ekonomik, të Polit më të rëndësishëm të pushtetit dhe të pushteteve okulte dhe pra, Rama do të mundet të ruajë gjithësesi, përparësinë në të negociuarit e gjërave më të rëndësishme.
Në mandatin e vet të dytë, kryeministri i mandatit të parë, do të jetë akoma më shpërfillës dhe akoma më i fortë dhe do të ketë plus një eksperiencë edhe më të madhe, duke vijuar më tej në grumbullimin e pushteteve të mëtejshme.

Duke filluar nga njera anë një fushatë blerjesh dhe nga na tjetër një fushatë ndëshkimesh, ndaj të pabindurve, ndaj të panënshtruarve apo ndaj atyre që e kanë “tepruar zullumin” me kryeshefin…
Sidoqoftë rezultate zgjedhore të Koalicionit të drejtuar nga Pd dhe të Lsi, do të ruajnë forcën e tyre përcaktuese, në përmbajtjen ose jo, të prirjes shpërfillëse dhe autoritariste të qeverisë së ardhshme Rama2. /360grade

Komentet
Top