Erdogan: BE të ndajë mendjen, a na do a s’na do në gjirin e saj

erdogan.jpg

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, hodhi akuza mbi Bashkimin Evropian, në një intervistë të dhënë për BBC-në.

Ai tha se Turqia po humb kohën e saj, duke pritur që BE ta pranojë, ndaj këta të fundit duhet ta ndajnë mendjen.

“Ne jemi ende në pritje për të parë se çdo të bëhet, në lidhje me anëtarësimin tonë në BE. Kjo pritje po na humb kohën, ndaj do të ngushëlloheshim edhe sikur të na thoshin se nuk janë në gjendje të pranojnë Turqinë në Bashkimin Evropian. Pastaj, ne do të fillojmë me planin tonë B dhe C”, u shpreh presidenti turk, transmeton Tch.

Erdogan theksoi se tani shumica e turqve nuk e duan më BE-në, pasi kanë parë qasjen e saj ndaj vendit të tyre.

“Shumica e turqve nuk e duan më BE-në dhe besojnë se qasja e saj ndaj Turqisë është jo e sinqertë. Gjithsesi, ne do të vazhdojmë të jemi të sinqertë me BE-në edhe për pak kohë, në pritje të një përgjigjeje finale prej tyre”, tha Erdogan.

Presidenti turk mohoi edhe akuzat se ka burgosur 150 gazetarë, duke thënë se vetëm dy njerëz me kartëvizita shtypi, janë në burg.

“Të jemi korrektë. Askush nuk është burgosur për gazetari në Turqi. Nuk është e vërtetë se janë burgosur 150 gazetarë, madje mund t’ju them se vetëm 2 njerëz me kartëvizita shtypi janë në burg, por edhe ata nuk janë burgosur prej të bërit gazetari”, tha Erdogan për BBC.

Komentet
Top