Formimi i Qeverisë, ja çfarë presin partitë e mazhorancës nga VMRO-DPMNE-ja

0-54.jpg

Marrja e mandatit të Zoran Zaevit paraqet një hap më afër formimi të Qeverisë së Maqedonisë. Por, partia më e madhe e cila tashmë është opozitë VMRO-DPMNE për shumë kohë bashkërisht me Ivanovin penguan këtë gjë dhe dukshëm ende nuk kanë ndryshuar qëndrimet kundrejt shumicës parlamentare. Edhe pse VMRO-DPMNE-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sërish përfaqësuesit e shumicës parlamentare, Fadil Zendeli, Ejup Alimi, Vesel Memedi dhe Zoran Zaev vlerësojnë se nuk do të ketë më mundësi që të pengohet formimi i Qeverisë.

“Paralajmërimet e deritashme të VMRO-DPMNE-së tregojnë qartë se ata nuk kanë ndryshuar politikën e tyre dhe se kjo tregon se ne nuk mund të presim ndonjë ndryshim nga ata. Unë nuk mund të paragjykoj se VMRO-DPMNE-ja do të vazhdon të bllokojë formimin e Qeverisë, por se shenja për ndryshim nuk shohim deri më sot. Por edhe nëse ata vazhdojnë me të njëjtën politikë të krijojnë telashe të reja, sërish ata nuk do ta pengojnë formimin e Qeverisë. Ka shumicë parlamentare dhe VMRO-DPMNE tashmë është opozitë”, tha pjesëtari në Kuvend i koalicionit Rilindje me Besë, Fadil Zendeli.

Edhe nga deputetit e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ejup Alimi u tha e njëjta, se VMRO-DPMNE-ja edhe nëse dëshiron të bëjë bllokada, nuk do të ketë mundësi të bëjë të njëjtën.

“Marrja e mandatit të Zoran Zaev nënkupton se tashmë më nuk duhet të presim pengesa nga VMRO-DPMNE-ja për formim të Qeverisë. Edhe nëse ata do të dëshironin të bëjnë bllokada të reja, ata nuk do të kenë mundësi të pengojnë formimin e Qeverisë”, tha Alimi.

Ndërsa nga përfaqësuesi i koalicionit Aleanca për Shqiptarë, Vesel Memedi për Portalb u vlerësua se nuk priten bllokada të reja prej VMRO-DPMNE-së ngaqë ajo duhet të punojë për veten tashmë.

“Nga VMRO-DPMNE-ja nuk presim më bllokada të reja, ajo në vend se të merret me shumicën parlamentare duhet të merret me veten. Nëse punon me veten ajo nuk duhet të bëjë më bllokada të reja ndaj shumicës parlamentare”, tha Memedi.

Edhe lideri i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev u shpreh se pas marrjes së mandatit nuk pret ndonjë pengesë në formimin e Qeverisë dhe se shprehet optimist se ngjarjet e 27 prillit “të cilat ishin revoltë ndaj vendimit të shumicës parlamentare që për kryetar të Kuvendit zgjodhën Talat Xhaferin) nuk do të përsëriten më.

“Rasti i 27 prillit duhet të jetë porosi që e njëjtat dhe ngjarje të ngjashme me qëllim të njëjtë të mos përsëriten edhe njëherë. Pjesëmarrja në takimet e punës të cilat u mbajtën të shtunën paraqet shpresë për mua se të gjitha institucionet shtetërore dhe të gjitha partitë politike do të bashkëpunojnë. Që të kem një mandat qeveritar të suksesshëm më duhet edhe bashkëpunim me opozitën politike”, tha Zaev.

Përndryshe, VMRO-DPMNE-ja me muaj ka bërë përpjekje për pengim të formimit të Qeverisë. Ajo thirrej në Platformën Shqiptare me arsyetimin se ajo po e cenon integritetin territorial të Maqedonisë për të cilën arsye edhe bashkëpartiaku i Nikolla Gruevskit, Gjorge Ivanov me muaj nuk ia dha mandatin për formim të Qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Pas këtij refuzimi të Ivanovit, VMRO-DPMNE-ja bllokadën e zgjeroi në rrugë nëpërmjet protestuesve të “Për Maqedoni të përbashkët” e cila u dëshmua se udhëhiqet nga persona të inkriminuar të kësaj partie.

Por rruga nuk ishte i vetmi bllokim, paralelisht me atë VMRO-DPMNE pengesë ndaj shumicës parlamentare bënte edhe në Kuvend nëpërmjet replikave dhe kundër-replikave të cilat zgjatën me muaj dhe të cilat u ndërprenë me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Zgjedhja e Talat Xhaferi më datë 27 prill të 2017 rezultoi me hyrje të dhunshme të protestuesve “Për Maqedoni të përbashkët” në Kuvendin e Maqedonisë, objekti i të cilit, gazetarë, kameramanë dhe punonjës u terrorizuan në mënyrën më të keqe.

Pas kësaj, Ivanov kërkoi garancë nga Zaev, dhe me të marrë atë, më 17 prill ia dorëzoi mandatin Zoran Zaevit./portalb

Komentet
Top