FOTO të rralla të Divizionit SS-Skanderbeg

0-151.jpg

Në fakt për Divizionin e 21-të malor SS “Skanderbeg” tashmë është shkruar në një volum të konsiderueshëm dhe po ashtu kanë dalë në dritë edhe shumë prej fotove që lidhen me prezencën e tij në territoret shqiptare, ose më mirë le të themi, në rajonin e Kosovës e të ish-Jugosllavisë.

Nga Armand Plaka

Koleksionet fotografike të marra nga faqja e internetit e Arkivave Kombëtare të SHBA-së dhe Administrata Dokumentare (NARA), të kryera nga fotografi gjerman i luftës, Georg Westermann, i cili shoqëroi divizionet e ndryshme të “Waffen-SS” në Ballkan, ndër shqiptarët janë bërë të njohura në fakt nëpërmjet botimit në faqen personale të studiuesit Robert Elsie, i cili i ka kushtuar një sesion të veçantë atyre në tri gjuhë.

Por duket se disa nga fotot, të bëra jo domosdoshmërisht prej fotografit zyrtar gjerman në fjalë, ekzistojnë edhe në muze e koleksione të tjetra, siç është ai i historianit të Luftës së Dytë Botërore, studiuesit të Rajhut të Tretë dhe gazetarit investigativ britanik, Ian Sayer, i cili duket se ka shfrytëzuar në një masë të konsiderueshme edhe fondet muzeale ish-jugosllave.

Në këtë kuadër po botoj edhe këtë foto, e cila vjen pikërisht prej koleksionit të tij, realizuar në Prizren, me shumë gjasa po nga Georg Westermann, megjithëse emri i autorit në koleksionin e tij mbetet anonim.

Diçitura ka këtë përmbajtje: Në qendër të Prizrenit mbi urën e Bistricës, komandanti SS August Schmidhuber, fton komandantin e Armatës së Dytë, Gjeneralin e Trupave Malore, Boehme, për të inspektuar Gardën e Nderit. Në sfond shihet edhe Xhamia e famshme e Sinan Pashës, si dhe Kisha Ortodokse e Shën Gjergjit (thellë nga e djathta).

Ndryshe nga fotot e tjera të koleksionit të Westermann, të sjella nëpërmjet Elsie-t, ajo paraqet një moment më të plotë, me një pamje e skenë më të hapur në qytet, ku fare qartë dallohen dhe banorët dhe dyqanet me emra shqiptarësh. Kjo e shton edhe më shumë dyshimin se ato nuk janë pjesë e koleksionit “Westermann”.

Pjesë të këtij koleksioni dhe përtej tij, duket se janë edhe dy prurje të tjera që lidhen me Divizionin SS-Skanderbeg, të cilat edhe pse mund të komentohen në mënyra të ndryshme, padyshim se pasurojnë edhe më shumë fondin tonë të fotografive me vlera e sfond historik.

Komentet
Top