Gjermania, fuqia e kuletës

Screen-Shot-2017-08-08-at-16.33.56.jpg

Nga Mark Leonard

BERLIN – Javën e kaluar, Ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ndërpreu pushimet në Detin e Veriut për t’iu përgjigjur burgimit nga Turqia, të një aktivisti gjerman të të drejtave të njeriut. Gabrieli i paralajmëroi turistët gjermanë për rreziqet e vizitimit të Turqisë dhe i këshilloi kompanitë gjermane, të mendonin dy herë përpara se të investonin në një vend, ku angazhimi i autoriteteve për sundimin e ligjit është gjithnjë e më i dyshimtë.

Kjo përbën një politikë të re gjermane ndaj Turqisë dhe konfirmon më tej statusin e Gjermanisë, si një fuqi e madhe ekonomike. Deklarata e Gabriel shkaktoi tronditje në qeverinë turke, sepse ajo kujtonte reagimin e Presidentit rus Vladimir Putin, pas rrëzimit të një avioni luftarak prej Turqisë, në vitin 2015. Sanksionet që Rusia imponoi i kushtuan ekonomisë tashmë në telashe të Turqisë rreth 15 miliardë dollarë, dhe në fund e detyruan Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan që të kërkonte falje.

Përgjigja agresive e Putinit nuk erdhi si befasi. Në të kundërt, vendimi i Gjermanisë për t’u përgjigjur në mënyrë të ngjashme, shënon një ndryshim të fortë, nga stili i saj diplomatik përgjithësisht më i zbutur.

Diplomati gjerman në pension, Volker Stanzel më tha se veprimi më i fundit i Gabriel është në përputhje me personalitetin e tij dhe prirjen për llogaritje politike. Në pritje të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani në shtator, Gabriel e di se Partia e tij Social Demokrate (SPD) nuk ka asgjë për të humbur duke iu kundërvënë Erdoganit, i cili ka armiqësuar gjermanët me personalitetin e tij autoritar, prirjet islamike dhe aludimet e shpenguar mbi Holokaustin.

Stanzel gjithashtu vë në dukje se Gabriel, i cili ndikohet po aq nga mediat, sa edhe nga diplomatët e tjerë, dëshiron të krijojë një stil diplomacie të shekullit njëzet e një, më të hapur për publikun. Dhe, për shkak se posti i tij i mëparshëm qeveritar ishte në Ministrinë për Çështje Ekonomike dhe Energjetikë, është e natyrshme që ai do të përdorte presionin ekonomik, si një masë të parë.

Megjithatë, pozicioni global në ndryshim i Gjermanisë i paraprin Gabrielit, i cili është një i ardhur rishtaz në ministrinë e jashtme. Gjatë krizës së euros, Gjermania përdori mjete ekonomike për qëllime ekonomike në Evropë. Por në politikat e saj ndaj Rusisë, Turqisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, Gjermania gjithnjë e më shumë po përdor forcën e saj ekonomike, për të çuar përpara qëllimet e saj të mëdha strategjike.

Pasi Putini aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014, përgjigja e Perëndimit nuk u udhëhoq nga SHBA, por nga Gjermania, e cila drejtoi diplomacinë ndaj Rusisë dhe Ukrainës, për të mos lejuar shkallëzimin e konfliktit. Gjermania më pas bindi pjesën tjetër të Bashkimit Evropian, që të binte dakord për sanksione të ashpra të paprecedenta kundër Rusisë, për të penguar agresionin e mëtejshëm.

Gjermania e ka mbajtur këtë front të bashkuar evropian për tre vjet, duke sfiduar të gjitha pritshmëritë. Dhe tani që skandalet e lidhura me Rusinë kanë pllakosur në administratën e Presidentit të SHBA, Donald Trump, evropianët po shohin gjithnjë e më shumë nga Gjermania, që ajo të vijojë udhëheqjen në këtë çështje.

Gjermania gjithashtu negocioi një marrëveshje me Turqinë për të zvogëluar prurjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme drejt Evropës, duke riformuluar praktikisht marrëdhëniet BE-Turqi. Në vend që të ruajë sajesën, që Turqia është ende një kandidat i besueshëm për pranimin në BE, Gjermania ka krijuar një marrëdhënie më realiste strategjike dypalëshe. Evropa ende mund të punojë me Turqinë për të avancuar interesat e përbashkëta, por gjithashtu mund të shprehë kundërshtime, ndaj autoritarizmit në rritje të Erdoganit.

Natyrisht, gatishmëria e kancelares gjermane Angela Merkel për t’u përballur me Trump-in, mund të jetë ndryshimi më i habitshëm i politikës së jashtme. Menjëherë pas takimit me Trump-in në samitin e G7 në Siçili këtë maj, ajo mbajti një fjalim ku i bëri thirrje Evropës “ta marrim fatin tonë në duart tona”. Qoftë edhe vetëm kjo, shënon një largim nga disa dekada diplomaci gjermane.

Deri tani, ftohja në marrëdhëniet gjermano-amerikane ka qenë kryesisht retorike. Por Merkeli po mbështet gjithashtu pozitën gjeopolitike të Gjermanisë, duke diversifikuar partneritetet e saj globale, veçanërisht me Kinën. Sipas Stanzel, i cili më parë ka shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Pekin, “Merkeli nuk ka iluzione për Kinën, por e sheh atë si një partner për klimën, tregtinë dhe politikën e rendit”.

Qasja e re e Gjermanisë ndaj politikës së fuqive të mëdha ka evoluar në mënyrë të vazhdueshme dhe në përgjigje të ngjarjeve, në dukje të palidhura. Por edhe nëse Gjermania nuk po ndjek një master plan, pikat e forta të saj i kanë mundësuar që të shfrytëzojë fuqinë e vet ekonomike, të përdorë institucionet dhe buxhetet e BE si një shumëzues force, dhe të ndërtojë koalicione ndërkombëtare, në ndjekje të qëllimeve strategjike. Për më tepër, diplomacia në ndryshim e Gjermanisë përfaqëson një vazhdim të procesit të “normalizimit”, që filloi me ribashkimin gjerman në vitin 1989, i shtrirë në debatet kryesore në lidhje me përdorimin e forcës ushtarake dhe rëndësinë e marrëdhënieve të Gjermanisë me SHBA, Rusinë dhe fuqitë e tjera evropiane.

E gjithë kjo sugjeron që Gjermania, më në fund mund të shpëtojë nga dy “komplekse”, që e kanë kufizuar gjatë mendimin e saj strategjik. I pari është kompleksi i saj psiko-historik, i cili i detyron udhëheqësit gjermanë të përkulen prapa, për t’u dhënë të huajve siguri, në lidhje me synimet e tyre. Kjo shpjegon pse Gjermania ka këmbëngulur që “të kontribuojë, jo të udhëheqë” ose “të udhëheqë nga mesi”, dhe tani përqafon idenë e “udhëheqjes shërbyese”.

Kompleksi i dytë ka të bëjë me qëndrimin ushtarak të vendit. Gjermania ende shpenzon një shifër modeste prej 1.2% të PBB-së së saj për mbrojtjen, dhe debatet e saj të brendshme rreth pushtetit kanë tendencë të nxiten nga shqetësimet rreth buxheteve ushtarake, vendosjeve të trupave dhe ndërhyrjeve të huaja.

Në të njëjtën kohë, konsensusi brenda establishmentit gjerman të sigurisë, rreth përdorimit të forcës po ndryshon. Gjermania po ndërton lidhje ushtarake dypalëshe me vende, nga Norvegjia dhe Hollanda, në Japoni. Ajo gjithashtu ka filluar të marrë një rol më aktiv në teatrot e ndryshme të operacioneve, duke vendosur trupa në Afganistan dhe Mali dhe duke ofruar mbështetje për luftëtarët kurdë në Siri dhe Irak. Dhe ajo ka bërë një përpjekje, së bashku me Francën, për të krijuar një fond mbrojtjeje të Bashkimit Evropian.

Këto janë të gjitha zhvillime të rëndësishme. Por ato nuk janë askund aq të rëndësishme, sa vendimi i Gjermanisë për të ngritur fuqinë e saj të madhe ekonomike, në skenën botërore. Përgjigja më e fundit e Gabriel për Turqinë është një hap në atë drejtim. Pse të dërgosh trupa jashtë vendit, kur mund të kesh një impakt më të madh, duke mbajtur në shtëpi turistë dhe kompani të klasit botëror?

Copyright: Bota.al

Komentet
Top