Hasanbeg, banorët kërkojnë investim në rrjetin e kanalizimit

Kanalizimi.png

Vazhdojnë brengat e familjeve të prekura nga përmbytjet e 6 gushtit të vitit të kaluar në Hasanbeg të Shkupit.

Një pjesë e banorëve të rrugës “Konstatin Petkovic” dhe “Todor Ecov” të cilët u përmbytën, kërkojnë investime në rrjetin atmosferik dhe fekal në këtë rrugë që të mos u përsëriten vërshimet.

Meqë kanë filluar punimet për asfaltimin e rrugës, banorët kërkojnë nga autoritetet komunale të bëhet edhe zëvendësimi i gypave, me të cilët do ndjeheshin më të sigurt çdoherë që ka reshje.

“Kanalizimi në nivel të komunës duhet të jetë komplet dhe i mirë, ndërsa gypat e kanalizimit atmosferik dhe fekal në këtë rrugë duhet të jetë F 1000, e jo F 200 si tani. Këtu qëndron problemi kryesor, se kot punohet dhe bëjnë marketing politik kur asfaltimi i kësaj rruge nuk na kryen punë”,- deklaroi një banor i Hasanbegut.

“Nuk na zgjidhet problemi kështu. Një shi të kemi gypa të vegjël, nuk e mbajnë ujin  dhe shumë lehtë përmbytemi në këtë rrugë”,- u shpreh një banor i Hasanbegut.

“Siç dëgjuam nga kryetari  i komunës së Gazi Babës, ata kanë paraparë vetëm asfaltimin e kësaj rruge me një shtresë të re të asfaltit dhe nivelimin e puseve ekzistuese të kanalizimit. Asgjë më shumë. Mirëpo kjo ne nuk na konvenon nëse nuk kemi rrjet të qëndrueshëm të kanalizimit atmosferik”,- tha një banor i Hasanbegut.

Banorët e kësaj rruge thonë se prej ndërtimit të rrjetit të kanalizimit fekal dhe atmosferik në vitin 1967 nuk është investuar asnjë qindarkë tjetër. Për këtë arsye ata paralajmërojnë peticion deri te komuna për problemin.

Nga komuna e Gazi Babës, edhe pse parimisht premtuan se do të prononcohen për TVM2 rreth këtij problemi, ata më pas nuk dhanë kurrfarë sqarimesh rreth kësaj kërkese të banorëve dhe rreth punimet e filluara ndërtimore në këtë pjesë të Hasanbegut.

Komentet
Top