Juristët: Caktimi i Jakimovskit në lëndën e Selës, prapavijë politike

ll-1-620x330.jpg

Darko Jakimovski është caktuar prokuror në rastin e tentativës për vrasje ndaj kreut të LR PDSH-së Ziadin Sela. Në opinionin Jakimovski njihet si prokuror në lëndën ndaj Naser Eshtrefit i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e të riut Angel Petkovski. Jakimovski kishte marr mjaft kritika për mënyrën e menaxhimit me lëndën dhe kualifikimin e veprës si vrasje duke mos e zbuluar se kujt i përkiste thika me të cilën ishte vrarë maturanti nga Gjorçe Petrovi dhe mbi gjitha duke mos pasur prova relevante nga momenti i vrasjes. Ndonëse mbrojtja dhe ekspertiza ligjore kishin konstatuar se Eshtrefi kishte kryer vrasjen pa vetëdije si pasojë e dhunës, Jakimovski veprën e kishte kualifikuar si vrasje me paramendim dhe vetëdije të plotë, duke mos e përfshirë në aktakuzë dhe versionin e dëshmitarit okular, prindit të Angel Petkovskit i cili ka qenë prezent në momentin e vrasjes.

Përveç kësaj lënde, organin e akuzës Jakimovski e kishte përfaqësuar edhe në rastin e vdekjes së tre vjeçares Mevlane Brahimit për të cilën Jakimovski kishte konstatuar se ka vdekur si pasojë e rrahjes së dhunshme nga prindërit e saj Xhemail Brahimi dhe Jasmina Mahmudi edhe pse këta të fundit kishin deklaruar se vajza e tyre ka vdekur si pasojë e rrëzimit nga shkallët.

Darko Jakimovski parashikohej të ishte pjesë e ekipit të prokurores speciale Katica Janeva, por jo zyrtarisht mësohet se pikërisht procedimet e tij me baza politike kanë bërë që i njëjti të hiqet nga lista e prokurorëve special.

Juristët vlerësojnë se caktimi i Jakimovskit për prokuror në lëndën e Selës, mund të jetë bërë me qëllim. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij si prokuror dhe praktikat që kanë treguar se deri më tani në lëndët të cilën më së shumti i kanë prekur shqiptarët janë zgjedhur prokurorë si Jakimovski dhe shefja e tij Gordana Geshkovska, nuk përjashtohet kualifikim i ulët i lëndës dhe dënime të vogla ndaj të dyshuarve.

Lënda që i është dhënë prokurorit në fjalë është zgjidhje me ndikim politik dhe mendoj se që tani e shoh se një lëndë si tentim për vrasje do të përfundojë si pjesëmarrje në turmë me pasoja të caktuara. Mendoj se qëllimi është që të relativizohet situata dhe vepra të paraqitet si vepra të tjera, pjesëmarrje në turmë dhe jo vepër si është konkret ndaj deputetit Zijadin Sela. Shpresoj se pala mbrojtëse do të kërkojë tërheqjen e këtij prokurori dhe lënda të procedohet nga prokuror i pranueshëm – thotë juristja Arta Bilalli.

Për veprën tentim për vrasje ndaj kreut të LR PDSH-së Zijadin Sela dyshohen katër persona. Ndaj  dy prej tyre Prokuroria ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditorë, ndërsa dy të tjerët janë në kërkim. Veprimi i Kire Gjorgjievskit dhe të atit Cane Gjorgjievski u vërtetua edhe nga video materiali që publikoi televizioni Alsat M.

Prokurorë të tjerë të cilët do të hetojnë zhvillimet e 27 prillit në kuvend janë Aleksandar Markovski, Elena Minovska dhe Zorica Pavlloviç. Të njëjtit janë penguar nga kryetarja e deritanishme e Prokurorisë së lartë Publike të Shkupit të bashkëpunojnë drejtpërdrejtë më MPB-në në drejtim të sigurimit të provave dhe dëshmive nga zhvillimet e përgjakshme në Kuvend më 27 prill./Alsat

Komentet
Top