Kërcënohet me jetë drejtori i Përgjimeve në SHISH nga myslimanët radikal?

1-112-640x417.jpg

Tiranë: Drejtori i Përgjimeve të Shërbimit Informativ Shqiptarë, Dritan Tota dhe familja e tij janë kërcënuar me jetë, raporton Gazeta Shqiptare.

Denoncimi është bërë në prokurori nga vetë drejtori i SHISH dhe është regjistruar si procedim penal me motiv “Kanosje për shkak të detyrës”.

Drejtori i Përgjimeve në SHISH ka marrë një mesazh nga një numër kosovar ku ai dhe familja kërcënohen me jetë. Ndërkaq, burime pranë familjes thonë se të afërmit e Dritanit kërkojnë mbrojtje nga shteti.

Dritan Tota është emëruar drejtor i Përgjimeve në vitin 2013, por me eksperiencë të gjatë në Shërbimin Informativ Shtetëror.

E gjithë çështja është mbajtur tepër sekrete edhe për shkak të pozicionit të punës që ka mbajtur Dritan Tota.

Burime konfidenciale thonë që një nga pistat më kryesore ku po hetohet është ngjarja e arrestimit të myslimanëve në Shkodër para ndeshjes me Izraelin, pasi ka qenë Shërbimi Informativ Shtetëror ai që ka informuar prokurorinë mbi situatën.

Këtë e lidhin edhe me numrin kosovar nga i cili ka mbërritur kërcënimi.

Në materialet referuese të SHISH, mësohet se të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë, kryenin veprime konkrete, duke propaganduar në mbështetje të grupit terrorist ISIS, mblidhnin fonde si dhe rekrutonin besimtarë myslimanë për t’i dërguar në luftën e Sirisë e Irakut.

Burimet thonë se gjatë fazës hetimore, me urdhër të prokurorit Eugen Beçi të dyshuarit janë përgjuar, fotografuar e filmuar gjatë takimeve të ndryshme që bënin në vende të caktuara, ku të pranishëm kanë qenë edhe shtetas nga Kosova dhe Maqedonia.

Gjatë kësaj kohe, ata siguronin mjete financiare për të ndihmuar familjet e personave të vrarë në luftën e Sirisë si dhe punonin për të gjetur rrugë të kalueshme për të dërguar besimtarë myslimanë në Siri në krah të ISIS-it.

Sipas akuzës, ata tentonin t’i kalonin besimtarët myslimanë drejt Greqisë ose Malit të Zi, që më pas të përfundonin në Turqi, nga ku do kalonin për në Siri pranë grupeve terroriste. Katër të arrestuarit shkodranë mohuan akuzat, duke pretenduar se arrestimi i tyre është bërë vetëm për shkak të bindjeve fetare dhe mbajtjes së mjekrës.

Ndërkohë, Protopapa dhe Faslija kanë pranuar njohjen mes tyre, por kanë mohuar njohjen me dy të arrestuarit e tjerë Fishti dhe Hasani, të cilët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim mohues.

Policia shtoi masat e sigurisë ndaj prokurorit të çështjes Eugen Beçi, i cili mësohet se ka marrë kërcënime direkte në sallën e gjyqit./GSH

Komentet
Top