“KËSHILLTARËT” E PËRZËNË

Hamdi-ISLAMI.jpg

HAMDI ISLAMI  (Pjesë nga shkrimi autobiografik “Gjurmëve të jetës”)

Një muaj më pas, ndërsa rrinte te dritarja “e tij” në zyrën e arsimtarëve dhe bashkë me ta bënte pushimin e gjatë 20 minutësh, në derë pa të hynte me një letër në dorë Faiku, pedagogu i shkollës. Ai kërkoi ta dëgjojnë një moment për një lajm që duhej t’ua kumtonte.
– Nga Enti Pedagogjik, – tha ai, – ka ardhë një letër me të cilën na njoftojnë se, javën tjetër, me këshillëtarët pedagogjikë të të gjitha lëndëve do të bëjnë një hospitim në shkollën tonë, pra kontroll se si mbahen orët mësimore. Po ua lexoj emrat e secilit veç e veç për lëndët përkatëse.
Për të gjithë lexoi nga një, kurse vetëm për Lavdim Dançollin lexoi emrat e dy vetave, sepse vetëm ai jepte dy lëndë: Arifikmet Xhemaili për muzikë, dhe Fatmir Sulejmani për gjuhë shqipe. Me të dëgjuar këta emra, ai aty për aty vendosi që Arifikmetin, kur t’i vinte n’orë, ta përzinte, kurse për Fatmirin e la të mendohej. Për të dy kishte një arsye të përbashkët: e ndjeu veten të fyer me kontrollimin që do t’i bënin, tash, dy vjet para pensionimit. Pastaj, të parin e mbante mend për dy gjëra të këqia: e para, për mendjemadhësinë, se, me punësimin e tij në gjimnaz 10 vjet më pas, (se ishte 10 vjet më i ri), asnjëherë nuk ishte ndalur që të bisedonin, të paktën, nga ana profesionale e punës së njejtë që bënin me nxënësit, edhe pse takoheshin shpesh në rrugën që ua ndante vetëm 50 hapa shkollat ku shërbenin, dhe, e dyta, pse vetëm kur kishte rënë në zor, erdhi e iu lut t’ia jepte partiturën e Himnit Kombëtar që të mos turpërohej me të Partisë si profesor i muzikës që ishte. Kjo është përshkruar në një nga tregimet e vëllimit 3-të.
Për Fatmirin e la të mendohej se, me gjithë respektin që kish, nuk iu duk me vend që ta “kontrollonte” një ish nxënës i vet.
Dhe e mendoi si t’ia bënte me Arifikmetin: kur të hynin në orë, do t’u thosh nxënësve që ka ardhë ky profesor i muzikës të më zëvendësojë këtë orë, pë shkak se unë kam të shkoj diku. Do ta linte në klasë me nxënësit kurse vetë do të dilte. Por ngjarja nuk u zhvillua ashtu si e mendoi. Dhe ja si ndodhi: ishte e mërkurë kur, në pushimin 20 minutësh, në zyrën e arsimtarëve iu afrua Faiku dhe e njoftoi që kishte ardhë. I thuaj se tash jam në pushim, ia ktheu Faikut me një ton nervozizmi. Tjetri iku si i përvëluar, se ia kishte edhe nderin si mësues muzike që e kishte pasur dikur në tetëvjeçare dhe nuk e hapi gojën. Me të mbaruar pushimi, mori ditarin dhe u nis si përherë. Mësim kishte te një klasë mu përballë zyrës së drejtorit. Hajt, ta hap, tha me vete kur arriti aty, të më sheh, se nuk ka kuptim. Sapo e bëri këtë, sytë iu ndeshën me të tij që rrinin në pritje. E la derën hapur dhe, si bëri dy tre hapa të ngadaltë, ndaloi para klasës. Tjetri i erdhi nga shpina e i doli përpara.
– Mirëdita, koleg, – e përshëndeti duke u munduar të buzëqeshë..
– Mirëdita, – ia ktheu edhe Lavdimi dhe s’kishte si mos ia jepte dorën kur pa që ai e kishte shtrirë. – Urdhno, Arifikmet, ç’paske ardhë? – u shtir se nuk di gjë. Tjetri ngeci. Nuk dinte ku ta çonte shikimin.
– Kam ardhë të asistoj në orë, – tha më në fund.
– Si? Në orë te unë?!
– Po ja, ne jemi shokë… – i dha bisht fjalës tjetri, për ta ndryshuar situatën e pakëndshne që u krijua.
– Po mirë, si shokë që jemi, pse nuk erdhe nja nji javë përpara ose më mbas, po e gjete mu tash?
– Më ka dërgue Enti Pedagogjik, -mezi foli ai. – Unë jam bashkëpunëtor i jashtëm.
– Ashtu, a!? S’e paskam dijtë. Po mirë, çfarë këshille do më japësh ti kur, atë që ke krye ti, kam krye edhe unë! Përveç kësaj, a të kujtohet kur ta dhashë partiturën e Himnit Kombëtar e nuk të turpnova me ata të Partisë që t’ua këndoje me korin e shkollës në Kuvendin që mbanin, po nuk e dije si profesor i muzikës që ishe?
-Jo jo, kështu jo! – ia bëri tjetri si me të bëlbëzuar e me buzëqeshje të fikur, dhe pa nga shkallët që ishin nja tre hapa më tej. Li-lu, ua mbathi këmbëve andej, pa ia dhënë dorën. Eh, i mjeri, tha Lavdimi me vete duke e parë nga shpina tek i zbriti ato me shpejtësi. Pastaj vuri dorën mbi rezen e derës dhe e mbajti. Mirë shpëtoi. Po të bëhej ashtu si e mendova unë, kushedi çka do ndodhte. Ha!
Të nesërmen i erdhi Fatmiri. Atë nuk vendosi ta përzen, për shkak të respektit që kish, megjithë një gafe që i kishte ndodhur me të disa kohë më parë. Ishte duke ndenjur pranë dritares “së tij”, kur ai i erdhi në zyrë e iu ul pranë. Kishte ardhë në shkollë për ndonjë punë të vet, po uljen pranë e mori për respekt. Kur u ngrit të shkojë, e pyeti se ku mund ta gjente e ta blente revistën “Brezi” që e botonte. Hajdeni poshtë t’ua jap nja dy numra që i kam, i tha ai. Lavdimit nuk iu dha t’i thotë që t’ia dërgonte me anë të ndonjë nxënësi që kishte atje plot, po i shkoi mbas, zbritën shkallët e dolën në oborr. Vazhduan deri te fundi ku e kishte lënë veturën. Për këtë më paska thënë të vij, të shoh se paska veturë, mendoi me vete. He, çallami i Sellcës…
Kur doli nga zyra, e pa si ai e priste në hollin para shkallëve. U përshëndetën.
– Paske ardhë, Fatmir? – e pyeti ftohtë.
– Po, mësuesi. Erdha të mësoj prej mësuesit tim si mbahet ora, – tha ai me të buzëqeshur, si ta “ndreqte” fajësinë që kishte ardhë.
– Hajt të mësojmë edhe ne të vjetrit prej të rinjëve e ish nxënësve tonë se çfarë metodash të reja na sjellin për dhënien e mësimit, – ia këputi Lavdimi dhe mori të hip shkallët. U pa qart ironia që përdori. Klasa ku do hynin derën e kishte nga fundi, për shkak të dritareve që i kishte në dy anë dhe dërrasa e zezë s’kishte ku të kapej. Megjithë moshën, Lavdimi e la të hynte ai i pari e të ulet në një nga bangat e fundit,kurse vetë eci mes radhëve e doli te katedra. E shënoi në ditar njësinë që kishte për ta zhvilluar atë ditë: Muhamet Çami, jeta dhe veprimtaria letrare. Doli para nxënësve dhe mori të bëjë përsëritjen e mësimit të kaluar me pyetje për poetët bejtexhinjë që kanë shkruar poezi shqipe me alfabet arab. Pastaj kaloi në zhvillimin e mësimit të ri. Mbasi e shpjegoi, u tregoi nxënësve se në cilën faqe të librit ndodhej mësimi dhe, duke e pasur parasyshë që rrallë ndonjë nxënës mësonte prej librit, u diktoi shkurtimisht një faqe fletoreje. Këtë e bënte edhe për mësimet e tjera. Për përsëritje nuk i mbeti kohë, se ra zilja. Mori ditarin dhe, si dolën e zbritën shkallët, u ndanë duke u tokur ftohtë. Fatmiri u mundua përsëri të buzëqeshë, por shumë thatë.
Mbas një jave i erdhi procesverbali, mendimi që kishte dhënë ai për orën e mbajtur. Përveç fjalëve të tjera, të mira, kishte shkruar edhe se flet bukur.
Pas do kohësh, ndërsa ecte në këmbë teposhtë udhës së “Kurtishit”, një veturë e kuqe në të errët iu ndal para këmbëve. Kur u hap dera, pa të japë ballë Fatmiri që i doli përpara me dorën e shtrirë.
– Mirëdita, mësuesi Lavdim, – i tha po me atë buzë-qeshje të stisur.
– Mirëdita, – ia ktheu ky e sytë e tyre, sakaq, u ndeshën. Sapo bënë pyetjet e rastit, tjetri vazhdoi:
– Mësuesi Lavdim, prej atëherë kur ju kam qenë në orë, ju sikur jeni ftohë me mua. Disa herë keni bë se nuk më shihni dhe ma keni kthyer shpinën. Nuk e di pse.
– Jo, bre Fatmir, për atë, – e gënjeu Lavdimi, – por, mbasi qenke brengos dhe, si duket, më ndale për këtë muhabet, po ta them: nuk bëre mirë që më erdhe në orë. Të them të drejtën, më erdhi për ofendim, se edhe dy vjet e dal në pension. Po nuk ta zë për të madhe, se ti je i ri. Nuk e di sa është me vend që ish nxënësi t’i hyjë në orë mësuesit e ta kontrollojë si e mban mësimin, aq më tepër kur më njeh. Kësaj këndej kah ne i thonë: hajde babë të t’i tregoj kufijt e arës! Apo jo? Ti vetë është dashur ta mendosh këtë. Po, megjithatë, nuk ta zë për kusur, se je i ri. Ishte edhe ai i gjeografisë te profesor Shukriu, bile më i vjetër se ky, po në orë nuk i kishte hy. E ka thirr të ulen bashkë në një zyrë, e ka pyet se çka ka atë orë, e kanë bë bashkë procesverbalin dhe kanë mbaruar punë. Edhe ujku i ngimë, edhe dhentë në numër, kurse ti…
– Ai është bashkëpunëtor i jashtëm dhe e ka bë sa t’i merr 25 eurot, kurse unë e kam punë të rregulltë, – u ngut të thotë Fatmiri i zënë ngusht.
– E di, e di, po, megjithatë, ke mund ta bësh kështu edhe ti. Kush do ta dinte përveç nesh? Pastaj, ti je këshilltar, po je për fillestarët, për ata që bëjnë hapat e parë në arsim, që t’u japësh ndonjë këshillë, e jo për mua që jam në prag të pensionimit, ë? Sipas kësaj del që unë ende paskam nevojë për këshilla. Ende nuk e paskam përvetësuar mësimdhënien. Nuk është ky ofendim? Unë kam mund të të përzë edhe ty, ashtu si ia bëra Arifikmetit kur më erdhi, po për ty pata e kam konsideratë, se të kam pasur nxënës dhe je punëtor e lexues i madh, pa marrë parasyshë se jemi kundërshtarë në idealet e në pikëpamjet tona. Të them të drejtën, më ka shkuar mendja edhe për një gjë tjetër: mos vallë e bëre këtë për çallam, për të m’u mburrur se ja ku paske arritur: ta kontrollosh edhe mësuesin tënd të dikurshëm. Po s’e ke gjet njeriun, o Fatmir! Sidomos kur po i bëj 38 vjet përvojë pune në mësimdhënie. Këtë është dashur ta mendosh. Hajt, tungjatjeta, se e zgjatëm shumë! – i tha, duke ngritur dorën te tëmthi, pa ia dhënë. Tjetri mbeti si hu gardhi, pa bërë as gëk as mëk. Kaloi kohë deri sa Lavdim Dançolli prapa shpinës dëgjoi ndezjen e veturës dhe nisjen e largimin e saj me gërvimë…

Komentet
Top