Këto gjëra nuk duhet t’ia fshihni doktorit

0-161.jpg

Disa çështje janë të vështira të fliten edhe me mjekun, si për shembull, si dhe kur bëni dashuri, keni apo jo trup të rregullt, pini cigare, apo thjesht bëni tym. Edhe nëse e keni të vështirë, doktorit duhet t’i tregoni gjithçka.

Kur ju dhemb bërryli, kur ju zënë ethet ose gripi, apo kur ju shfaqet papritur një njollë e çuditshme në këmbë, shkoni menjëherë te doktori, sepse sëmundja nuk është problem, madje kur merret shpejt, diagnoza e saktë nuk përbën më stres. Megjithatë ka raste kur ulesh para një doktori dhe është shumë e vështirë t’i shpjegosh atij disa gjëra që janë vërtet tabu. Ja arsyet më të zakonshme dhe më kryesorja, pse nuk duhet të heshtni kurrë para një doktori.

Dieta dhe aktiviteti fizik

Në botë ka shumë fanatikë të palestrave, të cilët janë adhurues të pistave, hekurave, numërojnë çdo kalori (e dinë sa kanë në pjatë dhe sa mund të konsumojnë pa u shëndoshur). Por pjesa më e madhe e njerëzve nuk kanë qejf të heqin dorë nga ushqimet e shijshme të tavolinës. Nëse edhe ju jeni një prej tyre, atëherë mos ngurroni të tregoni. Kështu do të jetë më e lehtë për doktorin të gjejë një mënyrë për të ndaluar që të mos merrni shumë peshë dhe të përkeqësoni shëndetin tuaj.

Alkooli, duhani dhe drogat

Predikimet nuk i pëlqejnë asnjë njeriu, sidomos kur nuk është nëna ajo që jua bën. Për të mos u helmuar më, shpesh një këshillë profesionale është vendimtare, pa marrë parasysh faktin që doktorët dinë ta ruajnë sekretin profesional.

Funksionet trupore

Kur i kryeni nevojat personale, sa shpesh, çfarë ngjyre dhe konsistence ka feçja, e shumë nevoja të tjera personale janë të sikletshme për t’u treguar. Ky është një sekret i përjetshëm mes jush dhe WC-së. Por ndonjëherë doktorit i duhen pikërisht këto të dhëna për t’ju dhënë mjekimin.

Kura alternative

Keni frikë se mos ndoshta duke folur për çajin çudibërës të fqinjës, apo kurat e gjetura në internet, të tjerët do t’ju vënë në lojë? A nuk mendoni se duke mos folur me doktorin që ju mjekon, të gjithë do t’ju përqeshin e do të tallen me ju? Bëni mirë që çdo hap që merrni, ta vini edhe atë në dijeni. Në këtë mënyrë do ta ruani edhe më shumë veten.

Depresion dhe ankth

Ndonjëherë të gjithë trishtohemi dhe shqetësohemi për gjëra që nuk janë madhore. Por nëse kjo ndodh shpesh, ndoshta ka diçka që nuk shkon. Kështu që do të ishte mirë të merrnit në dorë kontrollin. Jo gjithmonë qetësuesit mund ta zgjidhin situatën.

Historitë klinike

Nuk keni dëshirë të tregoni patologjitë që kanë prekur familjen tuaj, apo problemet që u është dashur të përballoni në të kaluarën? Fatkeqësisht nuk mund të arrihet një kurë efikase pa këto informacione.

Zakone seksuale

Ndoshta vetëm duke treguar se çfarë ndodh nën çarçafët tuaj mund të jetë më e vështirë se të flisni për atë që ju ndodh në banjë. Por nëse keni marrë ndonjë sëmundje përmes aktit seksual, i ndërroni shumë shpesh partnerët ose keni ngelur pa dashje shtatzënë, duhet të mos heshtni, por t’ia tregoni me durim doktorit.

Barnat

Duhet të tregoni menjëherë nëse po merrni ndonjë ilaç pa dijeninë e mjekut, sa shpesh dhe në ç’dozë. Mund të jetë e dëmshme për ndonjë patologji “delikate”, kështu që nuk ia vlen të rrezikoni më shumë.

Mos i nënvlerësoni udhëzuesit

Nuk keni pasur dëshirë, apo fuqi të ndiqni udhëzuesit? Tregojuani personit që jua ka dhënë. Kështu ai do të kompensojë mungesën e informacionit që keni ose mund t’ju japë një kurë më të lehtë herës tjetër.

Kërkoni një konsultë tjetër

Asnjë mjek nuk mendon se është autoriteti i fundit në fushën e tij. Nëse dëshironi të dini se çfarë mendon për rastin tuaj një doktor tjetër, kërkojani: ai do t’ju drejtojë te një specialist dhe të shkëmbejë me të informacione e ide për t’ju ndihmuar që të shëroheni.

Komentet
Top