Kjo grua është imame në një xhami në Berlin

19569299_403-730x411.jpg

Xhamia “Ibn Ruschd Goethe” hap dyert në Berlin. Seyran Ates dëshiron të jetë aty imame. Ajo është avokate, autore dhe aktiviste e gruas. Ates kërkon të mbrojë islamin nga islamizmi.

Xhamia “Ibn Ruschd Goethe” hap dyert të premten (16.06) në Berlin në hapësirat e kishës së dikurshme evangjeliste, “Sankt Johannes” në lagjen Moabit. Emrin kjo xhami e ka marrë nga dijetari islam, mjeku dhe filozofi i njohur arab, Ibn Ruschd, i njohur si Averroes (1126-1198) dhe poeti e dijetari i famshem, Johann Wolfgang von Goethe.

Në xhami do të falen bashkarisht burrat dhe gratë, aty do të ketë lexim e interpretim historik-kritik të Koranit. Xhamia është për të gjithë e hapur, por jo për nikabin apo burkën. Seyran Ates premton në “Spiegel”, se “me nikab apo burka nuk do të hyjë kush në xhami”.

Në të njëjtën kohë me hapjen e xhamisë, Ates boton edhe librin e saj, “Selam Frau Imamin” – “Selam zonja imame”. Aty besimtarja myslimane shpreh zemërimin për tendencat fundamentaliste brenda islamit.  Shumica e imamëve në Gjermani kanë një marrëdhënie të vështirë me lirinë e fesë, barazinë gjinore, e homoseksualitetin. Ata predikojnë një islam të pardjeshëm, kritikon ajo, njofton DW.

Seyran Ates bëhet imame

Aktualisht Seyran Ates ndjek një kurs për t’u bërë imame. “Një kohë të gjatë kam ëndërruar që myslimanët liberalë të bashkohen, të jetojnë një islam, që e mbështet fuqimisht demokracinë, dhe barazinë në komunitetin e besimtarëve”, shkruan ajo në artikull.

Sipas avokates e aktivistes së gruas, Ates, islami duhet të modernizohet me urgjencë. Gjithnjë e më shumë myslimanë e myslimane dëshirojnë një islam paqësor, që ruan dialogun me fetë e tjera, thotë 54 vjeçarja për gazetën gjermane Die Zeit. Por ky islam nuk ka ende hapësirën e tij në Europë. “Ekzistojnë vetëm komunitete konservatore, që nuk lejojnë asnjë hapësirë për kritikë apo vënie në pikëpyetje.”

Hapja e xhamisë mbrohet nga policia

Seyran Ates mban një predikim në ditën e hapjes së xhamisë. 54 vjeçarja që kritikohet ashpër për qëndrimet e saj liberale të islamit, ka marrë disa herë kërcënime për jetën. Xhamia Ibn Ruschd Goethe ruhet nga policia.

Seyran Ates erdhi në Gjermani në moshën 6-vjeçare nga Turqia. Studimet e juridikut ajo i financoi me punën në një qendër konsultuese për femrat nga Turqia. Nga viti 1997 Ates është edhe avokate dhe lufton kundër dhunës familjare dhe martesave të detyruara.

Pas sulmeve terroriste në Londër e Mançester, Seyran Ates kërkon që myslimanët “të bëjnë më shumë kundër esktremizmit në islam”. “Shumica e heshtur myslimane duhet të marrë përgjegjësi dhe të veprojë kundër kësaj”, thotë Ates. Madje ajo është e mendimit se “çdo mysliman sot duhet të reflektojë ndaj pyetjes-çfarë bën ti kundër asaj që feja jote keqpërdoret dhe diskreditohet?”. Në xhaminë “Ibn Ruschd Goethe” ajo do të përpiqet të gjejë përgjigje.(DW)

Komentet
Top