Koha e mbretërimit të Zogut, ja si lulëzoi arsimi në Shqipëri

vajzat.jpg

Një prej meritave më të mëdha të mbretit Zog është zhvillimi i arsimit në Shqipëri.

Një fushe që ai i dha një rëndësi të jashtëzakonshme dhe për të cilën u kujdes vetë monarku i Shqipërisë. Fryma që përshkoi shkollën shqiptare në vitet e mbretërimit të tij ishte fryma e ndezur atdhetare dhe këndvështrimi laik.

Pikërisht nga këto shkolla që ai i ngriti me standartet më të larta bashkëkohore u krijua elita e vendit tonë. Kjo elitë do të merrte në duar shndërrimin e vendit tonë nga një vend i prapambetur agrar në një vend me industri, tregti, transport, turizëm, legjislacion, kulturë dhe diplomaci moderne.

Dhe në fakt kjo iniciativë e lavdëerueshme nuk ishte gjë tjetër veç vënia në praktikë e ideve që ai kishte Zogu dhe planeve të veta madhështore për shndërrimin e shtetit shqiptar të pavarur në vendin më të pasur dhe më të zhvilluar të Ballkanit, për ta shndërruar gradualisht në një vend me peshë dhe të respektuar në ekuilibrin e përgjithshërn të interesave të politikës ndërshtetërore mbarëeuropiane.

Mbreti Zog I-rë e kishte të qartë plotësisht faktin themelor se mbretëria shqiptare e sapokrijuar nuk mund të ecte para me ata persona dhe me ata personalitete, të cilët kishin kontribuar shumë që nga lufta për shpalljen e pavarësisë dhe deri në stabilizimin e situatës së ngatërruar politike në vitet 1920-1924, e deri në “Triumfin e Legalitetit” më 24 dhjetor 1924. Tashmë roli tyre duhej të quhej i ezauruar.

Njëkohësisht me ambicien e tij për krijimin e një shteti modern mbreti Zog kishte dhe si qëllim të eleminonte kastën e vjetër të politikanëve të cilët kërkonin vetëm përfitime nga ai dhe pse jo ta rrëzonin një orë e më parë atë nga mbretëria.

Zhvillimi i arsimit kombëtar nuk filloi në vitin 1924 por u ngrit mbi bazën e një tradite të vlefshme shqiptare. Në radhë të parë iu kushtua një rëndësi e veçantë shkollave fillore qytetase(shtatëvjeçare) që u ngritën kudo në të gjithë mbretërinë, nga veriu në jug të vendit dhe pjesa më e madhe u hap nëpër qytete. Në fshatra arsimi eci ngadalë. Përveç shkollave qytetëse (shtatëvjeçare) u hapën edhe shkolla të sistemit pesë vjeçar, të cilat për nga cilësia e materialit mësimor të lëndëve që zhvilloheshin në to nxirrnin kuadro shumë të përgatitura, të krahasueshme me nivelin e shkollës së mesme sot.

Gjithashtu edhe shkollat pesë vjeçare të quajtura internat, të hapura kryesisht në qendra të vogla nënprefekturash, si për shembull në Burrel, në Peshkopi, në Krumë etj, të cilat ishin të një niveli shumë të lartë dhe kishin si veçori tolerimin e pjesëmarrjes së grupmoshave të ndryshme me një diferencë disavjeçare që nga ajo 14-15 vjeçare e deri tek ajo 20-vjeçare.

Lëndët u përgatitën nga profesorët më të mirë të cilët ishin ekspertë në këtë fushë dhe u trumpetuan idetë e larta atdhetare.

Një nga karakteristikat më të veçanta të këtyre shkollave ishte se për çdo mëngjes kryhej rituali i ngritjes së flamurit dhe këndohej himni kombëtar nga nxënësit. Në fund të periudhës 1925-1939 u çelën gjithsej 643 shkolla fillore në të gjithë vendin.

Për sa i përket traditës së shkollës së mesme në Shqipëri e kemi që në kohën e xhonturqve në 1 dhjetor 1909 me shkollën normale të Elbasanit ku përgatiteshin mësues për shkollat fillore. Më pas në Shqipëri kemi hapjen e Liceut francez në Korçë, në kohën e Luftës së Parë Botërore nga ana e autoriteve franceze në vitin 1916 që ishte një nga shkollat më të mira të vendit.

Gjatë periudhës 1929-1939 u ngritën 18 shkolla të mesme të përgjithshme dhe të zhvillimit profesional, duke përfshirë natyrisht edhe shkollat prestigjioze të lartpërmendura, të cilat njohën një lulëzim dhe zhvillim mahnitës. Krahas gjimnazeve kemi ngritjen e Liceut të Gjirokastrës, të shkollës tregtare të Vlorës, të Shkollës Bujqësore Amerikane në Kavajë. Këto shkolla të mesme u jepnin nxënësve një përgatitje të gjithanshme si nga shkencat natyrore, të cilat kishin rolin primar, ashtu edhe nga shkencat shoqërore.

Këtu një kujdes shumë i madh u kushtohej lëndëve të tilla si historia dhe gjeografia e Shqipërisë. Shkollat e mesme të dëgjuara në atë kohë ishin ndër të tjera edhe instituti femëror “Nëna Mbretëreshë, i ngritur në Tiranë, posaçërisht për nxënëset vajza. Ato përgatiteshin si pedagoge dhe edukatore të ardhshme të brezit të ri të vajzave shqiptare. Ato vinin nga prefektura të ndryshme të të gjithë vendit.

Po ashtu edhe Medreseja e Tiranës e cila përgatiste kuadrot e ardhshëm drejtues të Komunitetit Mysliman të të gjithë Mbretërisë Shqiptare.

Gjithashtu në qytetin e Shkodrës funksiononin dy lice privatë fetarë të drejtuara dhe të administruara, njëri nga klerikët katolikë jezuitë dhe tjetri nga etërit françeskanë. Po kështu në vend ishin ngritur disa shkolla teknike italiane. Personeli mësimdhënës në këto shkolla të mesme ishte shumë i kualifikuar nga ana pedagogjike, pothuajse të gjithë, qoftë të huaj, qoftë pedagogë vendas kishin mbaruar degë të ndryshme të shkollës së lartë në vendet më të zhvilluara perëndimore.

Mësimdhënia shoqërohej përveç një niveli shumë të lartë të shpjegimit edhe me një kërkesë maksimale të kontrollit të dijeve nga ana e nxënësve, duke mos bërë as lëshimin më të vogël.

Sistemi i vlerësimit të nxënësve me notë bëhej sipas praktikës së kohës me grupnotat nga 1 deri në 5, ku nota 5 ishte nota që shprehte vlerësimin maksimal. Përveç lëndëve të ndryshme mësimore, nxënësit shqiptarë të asaj kohe në shkollat e mesme të vendit mësonin edhe disa gjuhë të huaja që shkonin dy deri në katër dhe që ishin gjuhët kryesore evropiane: italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht.

Ndërsa në shkollën e mesme fetare të komunitetit fetar mysliman, pra në Medresenë e Tiranës, përveç gjuhëve kryesore evropiane mësoheshin edhe gjuhët kryesore lindore, ku parësore ishte gjuha arabe. Në kuadrin e shkollës së mesme një vend të rëndësishëm filluan të zënë edhe kurset ushtarake për oficerë dhe shkolla e oficerëve, e cila filloi përgatitjen e oficerëve të rinj, të cilët më pas, natyrisht kontigjenti më i përgatitur, dërgoheshin në akademitë ushtarake evropiane, kryesisht në ato italiane.

Komentet
Top