Konjufca: Kaloi koha e liderëve që punuan më shumë për veten sesa për shqiptarët e Maqedonisë

111-4-1000x600.jpg

Në një intervistë ekskluzive për Lajm TV Glauk Konjufca, anëtari i kryesisë qendrore të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur për zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë, faktorin politik shqiptar në Maqedoni si dhe mossuksesin e këtyre të fundit për unifikimin e fuqisë politike. Sipas tij, inatet personale dhe theksimi i egos para të mirës së përgjithshme ishin faktori kyç që nuk pati sukses bashkimi i lëvizjeve të reja në Maqedoni, e ku si lehtësues në bisedime u paraqit Lëvizja Vetëvendosje.

Konjufca ka folur për faktorët që kanë ndikuar në rritjen e saj si subjekt politik. Ai vë në theks se, VV ka pasur një konsistencë politike, ka ndërtuar projektin e vet politik për një kohë të gjatë.

“Kemi bërë 12 vite nga themelimi i Lëvizjes. Më kujtohet kur VV ka pasur vetëm 10 aktivistë dhe deri në këto zgjedhje kur 200 mijë mbështetës e çuan VV-në përpara. Ishte një zgjim i madh popullor, një lloj revolte qytetare kundër keqqeverisjes, e cila në Kosovë ishte e instaluar për një kohë të gjatë. Së pari mendoj që ka të bëjë me drejtimin tonë të palëkundur. Populli është bindur që VV nuk bën kompromise kur është puna te qytetari, interesi shoqërorë dhe interesi kombëtar. Kjo është shumë e vlefshme. Të tjerët i kanë tradhtuar parimet. VV ka qëndruar drejt, dhe ka ecur drejt vazhdimisht. Tjetër faktorë mund të numërohen gabimet e kundërshtarëve politik. Ata kanë gabuar shumë! Kanë keqpërdorur shumë. Kanë instaluar në Kosovë një skemë piramidale të krimit të organizuar. Të gjitha këto parti politike që kanë qeverisur deri më tash e kanë tradhtuar interesin e qytetarëve. Si rezultat i kësaj kemi elita politike që janë pasuruar shumë. Pasurimi i tyre ka qenë pasurim për vete duke e tradhtuar interesin e popullit, e aq më keq duke u pasuruar me paratë e popullit të varfër të Kosovës”, rrëfen për Lajm TV Konjufca, duke kujtuar se faktorët tjerë janë periferik në krahasim me këto dy faktorë.

VV përjashton çdo bashkëpunim me Partinë Demokratike të Kosovës. “PDK nuk vjen në shprehje, si partner i ardhshëm i qeverisjes. Ne mendojmë që PDK për gjitha këto procese, që i themi në kapje e shtetit, rrënim i demokracisë, një lloj i krimit të rrjetit që ka përfitimin personal dhe jo interesin publik, ajo është përgjegjëse. PDK e ka pasur pushtetin nga viti 2007. Ajo ka krijuar një rrjet të kilentalizmit që ka ndikuar në dobësimin e parlamentarizmit. I vetmi partner që do të mbetet është LDK”, potencoi ai.

Konjufca ka zbardhur edhe detaje nga takimet me subjektet e reja politike shqiptare në Maqedoni- Lëvizja Besa dhe Aleanca për shqiptarët, të cilët duhej të unifikoheshin para zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar (2016).

“Ne gjatë vitit 2015- 2016 kemi pasur një seri të takimeve të subjekteve opozitare. Ne mundoheshim të krijojmë një Platformë të përbashkët të gjitha këtyre subjekteve, që ato të dilnin më një projekt të përbashkët. Me një projekt që do ta zëvendësonin politikën e BDI-së, e cila nuk ka qenë ë suksesshme në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve. Ne në ato takime mundoheshim të krijojmë një afrim në mes Aleancës Shqiptare dhe Lëvizjes Besa. Mirëpo në të gjitha ato përpjekje tona ne vërejtëm aty një lloj mospajtimi. Arsyet që jepnin ata ishin të paqëndrueshme, ishin të natyrës sekondare dhe tretësore për nga rëndësia. Për ne ishte esenciale mbrojtja e interesit shqiptar, krijimi i një grupacioni të përbashkët i cili në zgjedhje nëse do të merrte mbi 80 mijë vota, do të ishin para BDI-së. Nuk e di a e kuptonin ata, apo se kuptonin seriozitetin e situatës?! Arsyet që i jepnin ata për pamundësinë e bashkëpunimit ishin disa raporte të tensionuara personale mes liderëve të subjekteve që i përfaqësonin apo të anëtarëve të atyre subjekteve që ndoshta ndonjëherë kishin folur keq për njëri tjetrin. Kur dëgjoja arsyet e tyre, kur e shihja se me çka e konsumonin kohën, derisa ne bënim përpjekje që ne t’i bashkonim nuk ishin arsye serioze”, deklaroi për Lajm TV Konjufca.

Nga këndvështrimi i tij, nëse vazhdohet kështu këta do ta çojnë një mesazh që më të rëndësishme janë hatërmbetjet personale sesa interesi i përgjithshëm.

“Nëse mbesim në këtë nivel, ata do të nënkuptojnë se egot janë më të mëdha se kolektivi. Nëse ata e bindin popullin se janë më shumë sedërlinjë sesa kombëtarë, nuk do të mund ta krijojnë njëfarë koncepti të shpresës. Ata rrezikojnë që pesha e tyre të bije dhe nuk do të ketë optimizëm për popullin shqiptarë në Maqedoni se këta mund të krijojnë një lloj bashkimi ku ata mund ta mbështesin shpresën”, pohoi Konjufca.

Jemi lodhur me liderë që kanë punuar më shumë për veten se sa për shqiptarët në Maqedoni, shtoi më tutje ai.

“Ndjehem i gëzuar kur ndodhem në Kumanovë. Në qytetin dhe aktivistin e dëshmorit të demokracisë, Astrit Dehari dhe vëllait të tij, Arbnor Deharit, të cilët humbën jetën, për një komb shqiptar në një pozitë më të mirë. Gjithmonë do të na udhëheq ideali i tyre dhe i dëshmorëve që ranë gjatë çlirimit edhe të Kosovës por edhe të trojeve shqiptare në Maqedonisë. Vetëm duke e ndjekur rrugën e tyre, unë mendoj që jemi në rrugë të drejtë dhe populli do të na vlerësojë gjithmonë”, përfundoi Konjufca.

Komentet
Top