Korridori Jugor: E ardhma e rrugës europiane të gazit

Screen-Shot-2017-06-11-at-9.48.28-AM.jpg

Gazi natyror ka një vend qendror në strategjinë energjitike të Bashkimit Europian. 20% e energjisë së konsumuar nga 28 shtetet anëtare buron nga përdorimi i gazit natyror dhe, me kalimin e viteve, Bashkimi Europian është bërë gjithnjë e më shumë i varur nga importet e huaja. Furnizuesit kryesorë të gazit natyror, të transportuar kryesisht nëpërmjet gazsjellësve, janë Rusia, Norvegjia dhe, në një pjesë të vogël, Algjeria.

Rritja e konsumit të gazit natyror dhe varësia nga prodhues të pakët e kanë shtyrë Brukselin që ta integrojë më mirë tregun e brendshëm të gazit dhe t’i diversifikojnë burimet e veta duke promovuar e duke financuar ndërtimin e infrastrukturave të reja në gjendje që ta garantojnë edhe sigurinë e këtyre furnizimeve. Në këtë strategji futet edhe Korridori Jugor për gazin natyror.

Korridori Jugor do të jetë 4000 kilometra i gjatë dhe do ta transportojë gazin natyror nga vendburimet azere në Detin Kaspik deri në Itali. Kostoja e projektit është e vlerësuar në rreth 45 miliard dollarë, të financuara pjesërisht nga institucionet europiane dhe nga kapitale private. Pjesa e parë parashikon fuqizimin e vendburimit offshore të Shah Denizit në Azerbajxhan. Tri pjesët e tjera e mbetura konsistojnë në ndërtimin e tri gazsjellësve: atë jugkaukazian Azerbajxhan – Gjeorgji, që nga Bakuja do të arrijë në qytetin turk Erzurum; gazsjellësi transanadollas (TANAP) që nga Erzurumi do ta sjellë gazin në kufi me Greqinë dhe ai transadriatik (TAP) që përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Adriatikun për të arritur në Itali, në brigjet e Salentos.

Në mënyrë të veçantë, Bashkimi Europian i ka dhënë TAP-it statusin e “Projektit me Interes të Përbashkët” si për faktin që është funksional me hapjen e korridorit jugor të gazit, ashtu edhe pse futet midis korridoreve energjitike themelore për strategjinë energjitike europiane. Vlerësohet se brenda vitit 2020 TAP-i, kostoja e të cilit është e vlerësuar në 6 miliard dollarë, do të fusë në rrjetin e gazit europian rreth 10 miliard metra kub gaz azer në vit. Me TAP-in do të lidhet në të ardhmen gazsjellësi joniano – adriatikas (IAP) që duhet ta sjellë gazin azer edhe në Ballkan.

Zgjedhjet e Brukselit u përgjigjen konsideratave mjedisore dhe gjeopolitike. Brenda vitit 2020, Bashkimi Europian është impenjuar që të reduktojë emetimet e gazit serë në masën 20%, kështu që përdorimi i gazit natyror do të mundësonte të reduktohej konsumi i burimeve me bazë fosile, shumë më tepër ndotës. Një tjetër shtytje e rëndësishme lind nga nevojat energjitike e vendeve që varen më shumë nga importet e gazit rus. Jo vetëm vende të mëdha si Gjermania, Italia apo Mbretëria e Bashkuar, por edhe vendet ish sovjetike e Europës Qendro – lindore janë thellësisht të varur nga gazi rus dhe për këtë motiv mezi prezin që t’i rrisin larminë e burimeve të veta, duke pasur frikë se mos shtypen nga kërcënimet e Moskës.

Kriza në Ukrainë e ka shtyrë Europën që t’i përshpejtojë planet e Korridorit Jugor për t’u mbështetur mbi një kanal furnizimi energjitik i drejtpërdrejtë me Azinë Qendrore, duke e anashkaluar territorin rus dhe duke tentuar ta reduktojnë varësinë energjitike nga Moska. Përgjigja ruse ka qenë projekti i ndërtimit të një gazsjellësi nën Detin e Zi, i quajturi Turkish Stream, në gjendje që të arrijë gazin rus në Turqi duke anashkaluar segmentin ukrainas dhe ballkanik. Konkurrenca me Korridorin Jugor duket gjithnjë e më shumë realiste nëse gazsjellësi ruso – turk do të arrijë në Itali me projektin Poseidon – ITGI të cilit, në mënyrë krejt paradoksale, Bashkimi Europian i ka njohur statusin e “Projektit me Interes të Përbashkët”. Për më tepër, Gazpromi ka shfaqur tashmë interes për të dërguar në Europë gaz të ri duke përdorur pikërisht TAP-in.

Korridori Jugor vështirë se do ta revolucionarizojë gjeografinë energjitike europiane. Rreziku është se kostot e ndërtimit t’i kalojnë shumë përfitimet. Në strategjinë energjitik të vitit 2050, Bashkimi Europian parashikon një rënie të përgjithshme të importeve energjitike, përfshi ato të gazit natyror dhe duket me shumë pak gjasa se do të rritet vëllimi i nxjerrjes së gazit azer. Është shumë e ulët edhe mundësia se mund të kihet akses në të ardhmet në rezervat e gazit natyror iranian apo Turkmen. Varësia e tepruar energjitike dhe infrastrukturore nga vende pak demokratike si Turqia apo Azerbajxhani ka ngjallur kritika të ndryshme që u shtohen atyre që burojnë nga interesat ekonomike pak transparente që do të kishin kompanitë e përfshira në punime. Megjithatë, institucionet e Brukselit duket se duan ta afirmojnë me mbështetjen ndaj këtij projekti praninë e tyre strategjike në zona përndryshe të dorëzuara influencës ruse apo kineze.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA / Bota.al

Komentet
Top