Kosovë: Shemben bastionet e PDK-së dhe LDK-së

0-126.jpg

Hambarët e partive kryesore të pasluftës kanë nisur rrjedhjen më të madhe. Vota u është tkurrur gjithandej komunave.

Zgjedhjet e parakohshme të së dielës kanë dëshmuar shembjen e bastioneve të partive që kanë qenë pjesë e pushtetit në periudha të ndryshme të pasluftës, shkruan sot gazeta “Koha Ditore”.

Partisë Demokratike (PDK), e cila prej tri mandatesh ka mbajtur statusin e subjektit me fuqinë më të madhe elektorale, gati i është përgjysmuar vota në rajonin e Drenicës, ku përpara ka ditur të siguronte mbështetjen edhe në shkallën mbi 90 për qind.

I është zbehur mbështetja në shumë komuna, përfshirë edhe Mitrovicën, prej nga është lideri i ri i saj, Kadri Veseli.

Lidhja Demokratike (LDK), e cila gjatë viteve ’90 e edhe deri në 2007-n ka qenë forca kryesore politike në Kosovë, tani ka rënë e treta në nivel vendi.

Për herë të parë ka humbur primatin edhe në Prishtinë dhe në komunën e saj fqinje, Fushë- Kosovë. Tkurrje ka përjetuar edhe në bastionet sikur është Podujeva, e madje edhe në Istog, vendlindjen e liderit historik të LDK-së, ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Komentet
Top