Krahasimet e çmendura, Shkëndija vlen sa Lokateli, dy ditë rrogë e Bonuçit sa ..

Lazim-Shkendija.jpg

Në shortin e hedhur dje në Nion të Zvicrës, Shkëndija e Tetovës mësoi se në fazën e “play-off”-ëve të Ligës së Europës kundërshtari i radhës do të jetë Milani.

Sipas mediave italiane, do të jetë një sfidë mes dy skuadrash që përveç ngjyrave të fanellave kanë shumë pak të përbashkëta mes tyre, shkruan ‘Panorama Sport”.

Milani vjen nga një verë plot ndryshime ku vetëm për të përforcuar skuadrën janë realizuar dhjetë blerje, vlera e të cilave i kalon 200 milionë eurot. Për sa i përket disnivelit në buxhet, mes dy ekipeve nuk mund të ketë krahasime. Pavarësisht investimeve të shumta, në sfidën ndaj rumunëve të Kraiovës, Vinçenco Montela hodhi vetëm katër lojtarë që janë blerë së fundmi.

Me pagesën e garancive për Bonuçin dhe Biljan, kuqezinjtë do të jenë të gjithë në dispozicion të trajnerit për sfidën ndaj kuqezinjve të Tetovës.

Në ndeshjen e fundit në Ligën e Europës, trajneri i tetovarëve Qatip Osmani hodhi në fushë njëmbëdhjetë lojtarë, vlera e përgjithshme e të cilëve ishte 411 mijë euro, ndërkohë që vlera e plotë e organikës së Shkëndijës është 6.58 milionë euro. Kjo shumë përkon me vlerën e kartonit të Manuel Lokatelit, mesfushorit 20-vjeçar i rritur në ekipet zinxhir të “Djallit”, i cili luan në skuadrën e parë prej dy vitesh.

Në terma ekonomikë, edhe Injacio Abate vlen sa e gjithë e skuadra e Shkëndijës, por në fund të fundit në fushë zbresin lojtarët dhe jo kartonët ndaj kuqezinjtë e Tetovës do të mund të luajnë plotësisht të gjitha shanset e tyre për të siguruar kualifikimin në fazën në grupe të Ligës së Europës.

Futbollisti më i shtrenjtë i Shkëndijës është kapiteni Ferhan Hasani, i cili vlen 750 mijë euro. Sipas italianëve, kjo shifër mund të konsiderohet shumë e ulët, pasi kaq vlen portieri i tretë i Milanit, Antonio Donaruma.

Te Shkëndija, lojtari më i lirë është portieri Avdyli, i cili kushton vetëm 50 mijë euro, praktikisht rroga e dy ditëve e Leonardo Bonuçit…

Siç thamë, verdiktin e jep fusha, pasi në vlera ekonomike skuadra e drejtuar nga Qatip Osmani vështirë se mund të përballej me Milanin, por djemtë nga Tetova mund t’i servirin Evropës surprizën e radhës ndaj Montela dhe të tijët duhet të kenë shumë kujdes.

Komentet
Top