Krimi financiar pengesë për zhvillim socio-ekonomik

finance_numerals_and_charts.jpg

Kosova gjatë viteve të fundit ka dështuar të krijojë një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Madje, vështirësi kemi pasur që t’i bindim edhe diasporën që të investojë mjetet e tyre në Kosovë. Këtë më së miri e tregon niveli i investimeve të huaja në Kosovë ndër vite.

Krimi financiar, krim i shekullit 21, është shumë profitabil, pothuajse i paevitueshëm dhe sfidues për t`u ndjekur penalisht nga ana e institucioneve të zbatimit të ligjit. Asnjë shtet, shoqëri apo komunitet nuk mund të jetë imun nga ndikimi i krimit financiar mbi qeveritë, ekonomitë, shoqëritë dhe viktimat. Krimi financiar gjithnjë e më shumë është duke u trajtuar në literaturë, për shkak të pasojave dhe efekteve negative të tij në sistemin ekonomik, politik e social, të secilit vend të rajonit e të mbarë botës.

Në masë të madhe, efektet negative të krimit financiar janë në: demokraci, investime, standard të jetesës, rritje ekonomike dhe besim në institucione shtetërore, në nivel global, ndërsa efektet më të mëdha negative ndihen te shtetet në zhvillim dhe ato në tranzicion, siç është Kosova.

Efekti i parë negativ i krimit financiar është rënia e investimeve, sepse ka efekt negativ mbi investitorët dhe ngecje në zhvillimin ekonomik. Një vend shumë i korruptuar ka të ngjarë të jetë një vend ku biznesi operon në një mjedis të pasigurt dhe arbitrar. Një mjedis i tillë inkurajon elitat lokale për të investuar jashtë vendit dhe dekurajon investimet e huaja direkte. Përveç kësaj, ndikon negativisht në shpërndarjen dhe përdorimin efektiv të burimeve ekzistuese në ekonomi dhe shkakton inflacion dhe pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave. Kosova gjatë viteve të fundit ka dështuar të krijojë një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Madje, vështirësi kemi pasur që t’i bindim edhe diasporën që të investojë mjetet e tyre në Kosovë. Këtë më së miri e tregon niveli i investimeve të huaja në Kosovë ndër vite.

Njëra prej ndikimeve kryesore të krimit financiar është te grumbullimi i tatimeve, sepse është shkatërrues ndaj aftësive të shtetit për mbledhjen e tatimeve/taksave, për zbatimin e politikave koherente dhe racionale të zhvillimit, për të rishpërndarë burimet ndërmjet grupeve dhe rajoneve, dhe si pasojë në aftësinë e tij për të transformuar shoqërinë dhe ekonominë sipas prioriteteve politike. Në Kosovë nuk ka shumë të dhëna se sa është shmangia tatimore. Në një studim të Bankës Botërore tregohet se humbjet më të mëdha në Kosovë janë nga mosmbledhja e TVSH-së. Raporti thotë se 34 për qind e të hyrave nga TVSH-ja nuk hyjnë në arkën e shtetit. Vjedhje ka edhe në tatimet tjera, siç është Tatimi në të Ardhurat Personale dhe Tatimi në të Ardhurat e Korporatave.

Përveç kostove direkte, kemi edhe kostot indirekte të krimit financiar të cilat janë të shumta. Organet e zbatimit të ligjit duhet të punësojnë oficerë për të hetuar krimet e tilla, ndërsa prokuroritë/gjykatat duhet të përdorin burimet e tyre të kufizuara për të ndjekur penalisht ata që janë kapur. Për këto raste kemi gjyqe të shtrenjta që kërkojnë ekspertiza të kushtueshme për të shpjeguar krimet e komplikuara. Rregullatorët u kërkojnë monitorim dhe raportim organizatave, në mënyrë që krimet të jenë të detektueshme, kështu që u kushton bizneseve dhe konsumatorëve edhe më shumë. Pastaj, ekzistojnë shpenzime që është gati e pamundur të kuantifikohen, që lidhen me shëndetin dhe sigurinë, që ndodhin për shkak të mashtrimeve mjedisore, në vendin e punës, të kujdesit shëndetësor, etj.

Prokurimi e privatizimi

Korrupsioni në prokurimin publik paraqet një prej problemeve sociale më të ndërlikuara me të cilin përballen qeveritë sot, sepse dobëson ekonomitë, krijon cinizëm në mes shoqërisë civile, dhe në disa raste kërcënon madje stabilitetin e qeverive. Një prokurim publik jotransparent, favorizon biznese joadekuate joefiçiente e më të shtrenjta që shpesh janë të lidhura ngushtë me grupe të caktuara të interesit. Pra, nga njëra anë bën që institucionet të marrin shërbime më të dobëta dhe nga ana tjetër shteti të paguajë më shumë. Kjo ndikon që ato biznese të mos perfeksionojnë produktet/shërbimet e tyre, e të jenë më konkurrente në treg, për të konkurruar me produkte/shërbime me bizneset e vendeve të zhvilluara. Nuk mjafton vetëm prokurimi elektronik për të eliminuar korrupsionin në prokurim publik, por kërkohet një koalicion gjithëpërfshirës i bizneseve, shoqërisë civile dhe institucioneve kyçe të shtetit.

Nëpër shtetet në zhvillim, siç është edhe Kosova, kemi pasur shumë raste të krimit në privatizim të pronës shoqërore. Në proces privatizimi kemi privatizim të paplanifikuar, të përshpejtuar, jotransparent, shitje shumë të lira, madje edhe pa kushte siç janë rastet e resurseve natyrore të cilave pas një kohe të shkurtur pas privatizimit u ndërrohet tërësisht veprimtaria natyrore.

Korrupsioni ndikon më shumë te shtresat e varfra, pasi që ato janë më të cenueshme dhe të varur nga cilësia e qeverisjes dhe përkrahjes shtetërore, ku vjedhja e fondeve redukton burimet për programe dhe investime sociale, si në arsim, shëndetësi, shërbime komunale, etj. Andaj, sa më i shprehur që është i ashtuquajturi korrupsion në një vend, aq më e prekur është shtresa e varfër, e cila duhet të ballafaqohet çdo ditë me ekzistencën dhe marrjen e shërbimeve bazike në vend. Për më tepër, varfëria redukton shëndetin psikik të njerëzve, ku të papunësuarit janë të goditur më fort, pasi që tendosja financiare nga papunësia mund të shkaktojë shëndet të dobët mendor.

Mungesa e besimit në qeveri dhe gjykata, mund të rezultojë në destabilizim politik si dhe ekonomik, ose të paktën me një mungesë të besimit për investitorë të huaj, ngushton gamën e njerëzve të biznesit të gatshëm për të investuar në vend. Investitorët e ligjshëm nuk mund të jenë në gjendje për të konkurruar me bizneset që mbështeten nga investimet e paligjshme e grupet kriminale. Risku i reputacionit rezulton në të qenërit i perceptuar si një vend që lejon pastrimin e parave. Ky rrezik ka potencial për të shkaktuar deformime makroekonomike, shpërndarje të keqe të kapitalit dhe burimeve, rritje të rreziqeve për sektorin financiar të vendit dhe të dëmtojë kredibilitetin dhe integritetin e sektorëve të brendshëm financiarë dhe sistemin financiar ndërkombëtar.

Krimi financiar është në rritje në një shkallë alarmante dhe globalizuese, si gjeografikisht ashtu edhe në larmi, për çka duhet bërë thirrje për veprime urgjente globale. Andaj, kuptimi i thellë i krimit financiar dhe dinamikave të tij në një vend është një hap i parë i domosdoshëm për hartimin e një strategjie efektive të reformave që ia përcakton vendit një rrugë të re drejt integritetit më të madh të qeverisë dhe që rezulton në zhvillim ekonomik.

Çfarë mund të bëjmë kundër krimit financiar

Në radhë të parë është edukimi i të rinjve në lidhje me parimet e qeverisjes demokratike dhe ekonomisë së tregut. Ky është parakusht që të rinjtë dhe qytetarët të kuptojnë se si funksionon një treg i lirë dhe cilat janë të drejtat e tyre. Zakonisht krimet ekonomike e financiare arrijnë të bëhen me ndihmën e grupeve të interesit dhe vendimmarrësve.

Natyrshëm, luftimi i krimit kërkon një vullnet politik për një angazhim më të madh nga ana e qeverive për të njohur natyrën e dëmshme dhe transnacionale të krimit financiar dhe për ta luftuar atë. Kërkohet përmirësimi i ligjeve dhe trupave rregullatorë që ua lehtësojnë institucioneve luftimin e këtij krimi. Në këtë vijë është edhe miratimi dhe zbatimi i ligjit kundër pasurimit të paligjshëm.

Kërkohet që të kemi një depolitizim dhe profesionalizim të shërbyesve publikë, sidomos të atyre që punojnë nëpër sektorë të ndjeshëm siç është sistemi financiar apo prokurimi publik. Duhet të ketë një profilizim dhe specializim të zyrtarëve që merren me parandalimin, hetimin dhe gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimi.

Organizatat/bizneset duhet të vendosin politika dhe procedura të duhura, të sigurojnë përmbushjen, të njohin stafin e tyre, furnizuesit, partnerët dhe agjentët, t’u kushtojnë kujdesin e duhur konsumatorëve, të mbajnë të dhëna strikte, të trajnojnë stafin e tyre lidhur me rreziqet, të sigurojnë infrastrukturë dhe staf të specializuar kundër krimit kibernetik, të bëjnë vlerësime të rregullta për risk nga mashtrimet, të raportojnë aktivitete të dyshimta; etj.

Ma.Sc.Lirim Dervisholli, është autor i librit “Krimi Financiar – Pengesë për Zhvillim Ekonomiko-Social në Vende të Evropës Juglindore”.

Komentet
Top